Zyra e shtypit të kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike e cila tha se lejen për klinikën Kosovës ja ka dhënë Rama në 2004.
Në reagimin e shpërndarë për mediat, zyra e shtypit të Erion Veliaj thekson se ajo disponon të gjtiha dokumentat që tregojnë se Kosova ka ndërtuar pa leje.
“Sot kandidati i Partisë Demokratike për kryetar i bashkisë së Tiranës dhe drejtor i ardhshëm materniteti privat në 22 qershor, deklaroi se lejen e ndërtimit të klinikës së tij private, prej nga ka fituar disa milionë euro, ia paska dhënë Edi Rama në vitin 2004. Të njëjtën gjë tha sot edhe zëdhënësja e Partisë Demokratike. Madje ajo shtoi se Halim Kosova nuk gënjen kurrë dhe nuk e ka shkelur kurrë ligjin.
Zyra jonë zotëron të gjitha dokumentat që provojnë se Halim Kosova ka shkelur lejen e ndërtimit e për pasojë ka ndërtuar pa leje.”, thuhet në reagimin e PS.
PS shtron disa pyetje retorike, të cilat sipas saj tregojnë qartë se kanidati i PD, Halim Kosova ka shkelur ligjin dhe lejen e dhënë në 2004.
“Por, për të provuar se Halim Kosova gënjen, mjafton vetëm një fakt. Nëse Halim Kosova paska ndërtuar me leje, atëherë përse ka aplikuar për legalizim të klinikës së tij? Çfarë kishte joligjore klinika private e Halim Kosovës, që më pas në vitin 2013 u legalizua? Pse vetëm një vit pas ndërtimit, që zoti Kosova pretendon se ka qenë me leje, ky i fundit aplikoi për legalizim?
Halim Kosova duhet të thotë të vërtetën pasi një kandidat që synon të drejtojë qytetin, por që vetë ndërton pa leje, dhe më pas gënjen për ndërtimin pa leje, është gjëja e fundit që i duhet Tiranës. Fakti që Halim Kosova ka kërkuar legalizim të klinikës në 2006 do të thotë vetëm një gjë: ai ka shkelur ligjin dhe lejen e dhënë në 2004.”, mbyllet reagimi.









