Fredi Beleri ka dhënë një intervistë për mediat greke pas betimit të tij si eurodeputet i Demokracia e Re. Duke folur për ANT1, ai tha se ishte një ditë gëzimi dhe emocioni të madh për të. Ai deklaroi se ndjen një përgjegjësi të madhe për të përmbushur pritshmëritë që janë krijuar, ndërsa në të njëjtën kohë falënderoi kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe popullin grek për besimin që treguan tek ai. Madje Beleri tha se gjatë gjithë kësaj kohe ka marrë shumë mesazhe mbështetjeje.
Mes të tjerash Beleri tha se duhet të paraqitet në burg të shtunën. “Kam bërë kërkesë për lirim nga burgu. Do të kthehem në Himarë, është shtëpia ime. Unë nuk do të largohem. Unë do të përballem me pjesën tjetër të dënimit tim sido që të jetë.”, tha ai. Beleri theksoi se Himara është një vend i banuar nga grekë dhe shqiptarë, të cilët kanë bashkëjetuar prej shumë vitesh dhe kështu duhet të jetë. “Ne duhet të kemi të drejta civile. Të kemi të drejtën e vetëvendosjes”, tha ai në mënyrë karakteristike.