Ka përfunduar rrethimi dhe sulmi i protestuesve ndaj bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme. Situata tashmë është vënë nën kontroll dhe flakët e zjarrit në bunker janë shuar.
Zona përreth është nën mbikqyrjen e Policisë së Shtetit ndërkohë, bunkeri siç duket edhe në foto ëhstë dëmtuar rëndë nga flakët dhe sulmi me mjete të forta.
Pasi protestuesit u larguan nga bunkeri, një pjesë e tyre u mblodhën pranë selisë së Partisë Demokratike ku lideri i saj Lulzim Basha, mbajti një fjalim të shkurtër.
Duke iu drejtuar mbështetësve të opozitës, Basha tha se simboli i izolimit dhe arrogancës u vu në flakë. Ai deklaroi se protestat do të vijojnë deri në largimin e qeverisë Rama.
“Ju jeni heronjtë e lirisë. Izolimi, arroganca dhe korrupsioni që përfaqësonte bunkeri në mes Tiranës sot është i kallur në flakë. Së bashku sot nuk kemi kryer vetëm një protestë ndër më madhështoret në historinë e kombit, jo thjesht kemi shembur simbolin e korrupsionit, krimit por kemi hapur rrugën e lirisë dhe dinjitetit të çdo shqiptari”, -tha Basha.