Pas fermerëve të Korçës, këtë herë janë ata të Dibrës të cilët ankohen për tonelata mollë të mbetura stok. Disa prej tyre i kanë hedhur mollët e kalbura në anë të rrugës nacionale Maqellarë-Peshkopi.
Fermerët dibranë ankohen se nuk kanë treg për shitjen e mollëve, duke bërë që të bjerë dukshëm interesi i tyre për kultivimin e kësaj kulture, por edhe të qershive, karakteristike të kësaj zone. Ata akuzojnë shtetin se ndryshe nga ajo që deklaron, nuk i ka mbështetur në asnjë formë.
Këtë vit fermerët nuk kanë kryer as procesin e krasitjes së pemëve frutorë, duke paralajmëruar se sezonin e ardhshëm do ndalojnë së kultivuari këtë kulturë bujqësore, pasi njohin vetëm humbje.
Mollët kultivohen prej vitesh në bashkinë e Dibrës, duke u shndërruar në burimin kryesor të të ardhurave për dhjetëra fermerë në këtë zonë. Por situata është vështirësuar vitet e fundit, si pasojë e një sërë faktorësh, mes tyre kultivimi në mënyrë të pavarur nga banorët e këtyre zonave, si dhe futja e mollëve të importit.
ma.me