Nga Zef Brozi
Nga media dhe shtypi shqiptar kam dëgjuar këto ditë shumë komente të politikanëve dhe të tjerëve për një protestë para godinës së Gjykatës Administrative në Tiranë në lidhje me një cështje me interes të madh për sigurinë publike të Tiranës dhe qytetarëve të saj.
Me fjalorin më bastard që është bërë e zakonshme në Parlamentin e Shqipërisë, deputeti zullumëmadh i opozitës, dhunuesi e shkatërrimtari i pavarësisë së Gjyqësorit në vitet 1994-1995 e deri më sot, dhe kundërshtari i madh i Reformës së Drejtësisë që po synohet të votohet në Parlament sëshpejti, iu hakërrye egërsisht kryetarit të suksesshëm të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili me të drejtë mori pjesë dhe foli në atë protestë.
Në këtë shkrim unë do t’u përgjigjem tre pyetjeve: 1) A kanë të drejtë qytetarët të protestojnë paqësisht para gjykatave, prokurorive e stacioneve të policisë? 2) A është ndërhyrje e dhunim i pavarësisë së gjykatave e prokurorive të protestosh paqësisht para godinave të këtyre institucioneve? 3) A mund të komentohen vendimet e gjykatave e prokurorive?
Tani që kam më se 20 vite si imigrant në Amerikë dhe që kam shumë fakte nga përvoja Amerikane, mund të jap lehtësisht përgjigjet për këto pyetje: Po, qytetarët kanë të drejtë të shprehin qëndrimet e tyre dhe të protestojnë paqësisht në hapësirat publike para godinave të Gjykatave, Prokurorive, ashtu sikurse kanë të drejtë të protestojnë para godinave të Parlamentit, Qeverisë, Policisë dhe në vende të tjera publike.
Por qytetarët nuk kanë të drejtë të protestojnë brenda godinave të këtyre institucioneve dhe brenda territorit që nuk është hapësirë publike. Protestat paqësore të qytetarëve në hapësirat publike jashtë godinave të këtyre institucioneve nuk janë as kërcënim, as dhunim i pavarësisë së gjyqtarëve e prokuroreve e pushteteve të tjerë. Protesta qytetare janë e duhet edhe me shumë te jenë tërmet ndaj korrupsionit kudo që ai te ndodhë: në prokurori, gjykata, qeveri, parlament, politikë, etj.
E keqja është se shqiptarët janë nga ata që protestojnë më pak ndaj së keqes, mosndëshkimit të korrupsionit pushtetar, apo edhe për cështje të tjera në interest të tyre. Protestat paqësore qytetare janë jo vetem të lejueshme, por edhe të domosdoshme për t’i mbajtur Gjyqësorin, Prokurorinë, Policinë, Qeverinë dhe Parlamentin nën vëzhgimin qytetar, për t’i ndihmuar këto institucione që të mos gabojnë në vendimarrjen e tyre, dhe nëse ato gabojnë, qytetarët përmes protestave përcjellin mesazhin e mospranimit të veprimeve të tilla nga kushdoqoftë. Pra protestat paqësore qytetare janë të domosdoshme kur institucionet shtetërore veprojnë keq, dhe janë të nevojshme edhe kur këto institucione punojnë mirë.
Këtu në Amerikë bëhen shumë protesta të qytetarëve e shoqatave (madje ku marrin pjesë edhe politikanë), para godinës së Gjykatës së Lartë të Amerikës, kur kjo Gjykatë shqyrton cështje ku qytetarët protestues shprehin pikpamjet e qëndrimet e tyre pro apo kundër.
Por nuk kam dëgjuar që gjykatësit e kësaj Gjykate të jenë ankuar se po u cënohet pavarësia e tyre apo se ndihen të kërcënuar nga këto protesta. Po përmend vetëm disa raste nga protestat e shumta që bëhen para Gjykatës së Lartë të Sh.B.A. Për shembull, në Prill 2016 ndërsa Gjykata e Lartë e Amerikës po shqyrtonte cështjen që lidhej me urdhërin ekzekutiv të Presidentit Obama për imigracionin dhe deportimin e imigrantëve të paligjshëm, para godinës së kësaj gjykate mijëra protestues me pankarta pro dhe kundër këtij urdhëri, thërrisnin e shprehnin qëndrimet e tyre.
Në Mars të këtij viti, ndërsa Gjykata e Lartë e Amerikës shqyrtonte një cështje që lidhej me abortin, qindra gra dhe shoqata protestonin para godinës së kësaj gjykate. Në Qershor 2015 ndërsa kjo Gjykatë shqyrtonte cështjen për martesën e homoseksualëve, para godinës së gjykatës ishin mijëra vetë që protestonin, pro dhe kundër këtyre martesave.
Po të kërkoni në internet me këto fjalë “protests at the U.S. Supreme Court” dhe do të shikoni edhe fotografi dhe video nga protestat në hapësirat publike para kësaj gjykate. Natyrisht, protesta nuk lejohet të bëhen brenda terrirtorit dhe godinave të gjykatave sepse ato nuk janë hapësira publike. Bëhen protesta këtu në Amerikë edhe para godinave të prokurorive, gjykatave të tjera, godinave të policisë etj. Por këto institucione vazhdojnë normalisht kryerjen e detyrave të tyre sipas ligjit e provave.
Pra, u bëj thirrje institucioneve dhe politikanëve në Shqipëri që të mos tentojnë të shuajnë zërin e protestave qytetare apo të përbaltin a dënojnë protestuesit paqësore edhe kur ata protestojnë në vende publike të tilla si para godinave të gjykatave e prokurorive. Protestat paqësore të qytetarëve e shërojnë sistemin gjyqësor e të prokurorisë dhe ndihmojnë që ato të bëhen jo vetëm të pavarura, por edhe të përgjegjëshme dhe me integritet.
Për pyetjen se a mund të bëhen komente për vendimet e gjykatave dhe prokurorive, duke u nisur edhe nga përvoja Amerikane, përgjigja është:
Po, vendimet e gjykatave dhe prokurorive mund të komentohen. Studiuesit, juristët, qytetarët, shtypi e media dhe kushdo tjetër kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre pro apo kundër vendimeve të këtyre institucioneve, ashtu sic shprehen edhe për ligjet a vendimet e Parlamentit, vendimet e Qeverisë, apo vendimet dhe aktet e institucioneve të tjera.
Pra as protestat paqësore në hapësirat publike para godinave të gjykatave e prokurorive, as komentet për vendimet e gjykatave e prokurorive, nuk përbëjnë dhunim të pavarësisë së këtyre institucioneve, as kërcënim apo ndërhyrje në veprimtarinë e tyre.
Ndërsa shembujt më brutalë të dhunimit, terrozimit dhe shkatërrimit të pavarësisë së Gjyqësorit në Shqipëri (dhe sikurse e konsiderojnë shume të huaj madje në gjithë botën), i dha Sali Berisha në vitet 1994-1995 kur rrethonte me polici e SHIK-as Gjykatën e Kasacionit për ta kërcënuar haptazi këtë gjykatë, mbushte me SHIK-as e militantë të tij sallën e gjyqit për të kërcënuar e bërë presion ndaj trupit gjykues, përndiqte me SHIK-as e banditët e tij kryetarin e Gjykatës së Kasacionit dhe rrethonte me SHIK-as, policë e banditë edhe apartamentin ku ai banonte, i pezullonte buxhetin kësaj gjykate, sabotonte disa procese gjyqësore, urdhëronte Parlamentin që me vota të fallsifikuara dhe në dhunim të Ligjit Kushtetutes të shkarkonte natën e 21 Shtatorit 1995 kryetarin e Gjykatës së Kasacionit vetëm se ai nuk pranoi të bëhej vegël e tij.
Shqiptarët dhe politikanët bëjnë mirë tia kujtojnë edhe këto akte kriminale Berishës, sidomos kur ai pushton tribunën e Parlamentit dhe u mban leksione të gjata deputetëve dhe shqiptarëve për pavarësinë e gjykatave, edhe pse ai mund t’u japë lëksione shqipatëve dhe gjithë botës me përvojën e tij se si mund të nënshtrohet gjyqësori e prokuroria.
Besoj se këto fakte nuk i di vetëm deputeti kurajoz Erion Brace! Është e pafalshme, për më tepër edhe misterioze, që edhe sot në opozitë Saliu ka mbipushtet ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë, që për fatkeqësinë e Shqipërisë sonë të dashur, të dyja këto institucione vazhdojnë të jenë edhe gardianët më besnikë të krimeve monstruoze të tij dhe të klanit berishian.
Prandaj Saliu po bën gjithcka për ta sabotuar Refomën në Drejtësi. Por a do të arrijë Saliu të fitojë edhe këtë herë kundër Shqipërisë, kundër Qeverisë Amerikane dhe Bashkimit Europian? Une dua të besoj se i humburi do jetë Saliu dhe e fituar Shqipëria.
Vetëm miratimi sa më shpejt në Parlament i Reformës së Drejtësisë do të krijojë kushtet që gjyqësori e prokuroria të bëhen jo vetëm vërtetë të pavarurura nga politika, por edhe të përgjegjshëm e me integritet dhe të fitojnë besimin dhe respektin e popullit. Por edhe pas Reformës në Drejtësi askush nuk do të mund tua mohojë qytetarëve të drejtën e tyre kushtetuese për protesta paqësore në hapësirat publike edhe para godinave të gjykatave e prokurorive.
Zef Brozi Uashington, D.C. 22 Maj 2016