Nga Lorenc Vangjeli
“Me zjarrin, edhe kur dëshiron ta ndezësh, edhe kur kërkon ta fikësh, duhet të sillesh si me gratë e bukura: qetë, butë, me ndjenjë”. Kjo është një shprehje që pak a shumë në thelb, por jo në këtë formë, i atribuohet poetit më të madh lirik shqiptar, Lasgush Poradecit. Dhe çfarë mendonte poeti për gratë, zjarrin dhe pasionin për t’u marrë me gratë dhe zjarrin, duket se do të vlente pafund nëse tentonte të shpjegonte raportin e politikës me protestën dhe protestën si mjet politik.
Në fund të javës së shkuar ministri i brendshëm doli dhe vetë në protestë. Jo në krye, por as në fund të saj. Në atdheun e çudive, kjo ishte një çudi më vetë; Saimir Tahiri, duke u kthyer nga Durrësi, bëhet pjestar i protestës në Kombinat, zonën e tij elektorale. Dhjetra qytetarë, të majtë e të djathtë, votues pro dhe kundër Rilindjes në dy zgjedhje të njëpasnjëshme, kishin dalë në rrugë, kishin bllokuar qarkullimin dhe kundërshtonin mbifaturimet e ujësjellësit. Tahiri ju dha të drejtë dhe ju premtoi ndërhyrje personale tek kryetari i bashkisë Veliaj nga i cili varet ndërmarrja gjigante e ujësjellësit të Tiranës. Nga ai moment nisi të kuptohet se çfarë kishte ndodhur në Kombinatin me ministër protestues në rrugë, kishte ndodhur dhe shumëkund tjetër në Tiranë. Mijëra familje dhe biznese detyroheshin të paguanin shumë më shtrenjtë për faturën e ujit të pijshëm. Drejtori i ndërmarrjes u shkarkua dhe ka nisur dhe një hetim që nëse do të jetë serioz, me gjasë do të ishte porta e parë e hapur në një labirint shumë të errët të së shkuarës dhe të së sotmes. Të paktën kështu kanë nisur dyshime serioze dhe jo mediatike që e konsiderojnë një labirint misterioz e korruptiv sjelljen e ujit në rubinetat e qytetarëve. Veliaj kërkoi ndjesë dhe premtoi rikthimin në normalitet të kësaj çështjeje mjaft të ndjeshme. Por me një retrospektivë fare të shkurtër në kohë duhet kujtuar sot një detaj: dje pakkush e vriste mendjen për faturën e ujit apo të energjisë. Edhe kur vinte, pavarësisht sesi dhe sa vinte, ajo kishte të njëjtin fat për më shumë se 40 për qind të familjeve shqiptare. Thjesht nuk paguhej.
Të dielën, në protestën për Liqenin pati përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë. Gardhi që i ndante u shemb dhe një incident mjaft i rëndë u bë publik në çast duke shumëfishuar peshën e tij edhe më tej: një mjeke u qëllua me shuplakë në fytyrë nga një polic. Rasti dhe koincidenca fatale e solli që mjekja të jetë shumë e njohur edhe mes socialistëve, edhe për demokratët. As të majtët dhe as të djathtët nuk mund ta quajnë dot votuese të tyren Doktoreshë Boçarin. Ajo i ishte bashkuar PS-së në grevën e urisë të vitit 2010 dhe PD-së në të njëjtën formë proteste në 2013-ën. Edhe në rastin e parë, edhe në të dytin, Doktoresha ishte qytetarja normale e një vendi që normalitetin e ka përjashtim nga rregulli. Polici që u godit dhe goditi u pezullua nga detyra, si një shenjë që në Shqipëri lavjerësi i gjykimit shkon vetëm në ekstreme: policisë së “Rilindur” siç e çuan Rama dhe Tahiri, i duhet të distancë ekstreme me dhunën. Dje nuk ka pasur ndëshkim për plumbat e uniformave të shtetit, sot shuplaka meriton të vihet në shtyllën e turpit.
Protesta për Liqenin njohu një kulm të papritur kur u vu në skenë një gjetje e përkryer regjizoriale. Në fillim të javës, protestuesit në Tiranë ju sulen makinave si Luddistët anglezë nja dy shekuj më parë. “Dërmuan” një eskavator të vogël dhe shkulën gardhin me pasionin që asistentdentisti do të shkulte dhëmbin e pacientit. Pikërisht atë gardh e tërheqin përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit si trofe dhe e çojnë tek godina e Bashkisë së Tiranës. Aty ndodh çudia regjizoriale: e vendosin gardhin me tela para gardhit njerëzor të policisë. Dhe për paradoks, ndryshe nga sa ka ndodhur më herët në Tiranë, protestuesit mbronin gardhin që donte ta largonte policia. Dikur ishte ndryshe. Jo shumë vite më parë, në emër të rregullores së Bulevardit dhe për hir të gardhit, u pushkatuan katër vetë.
Të Enjten e Doktorit Partia Demokratike ka premtuar të bëhet gardh dhe të bllokojë seancën e Kuvendit. Ka premtuar edhe bojkotim të Parlamentit. Në këmbim të tre kushteve. Sipas teorisë së vjetër politike në Shqipëri që niset e bitiset në paradigmën “…ose, ose…”. Njëlloj dhe jo ndryshe siç ka bërë, natyrisht pa ndonjë sukses të dukshëm e të prekshëm, edhe e majta në një të djeshme të afërt. Me kushte përjashtuese. Dhe duke përdorur një nga mjetet më domethënëse të demokracisë, protestën në forma të ndryshme dhe në mënyrë të përshkallëzuar. Që nis në të gjitha herët me ultimatum dhe përfundon po me ultimatum. Duke prodhuar si dje, edhe sot të njëjtin produkt: edhe tensionin social dhe moszgjidhjen e problemit për të cilin protestohet. Sepse reaksioni i parë ndaj ultimatumit, si rregull, është shndërrimi në gardh i kundërshtarit. Që bëhet gardh përpara “armikut” opozitar dhe bën të hyjë në fuqi rregullorja e gardhit mbas të cilit fshihet zakonisht policia. Edhe në rastet kur vetë ministri i policisë ndodhet në protestë, siç zgjodhi të bëjë Tahiri në Kombinat.
Ndoshta në një vend si Shqipëria ja vlen që e para strukturë që ngrihet në protëstë duhet të jetë vetë qeverisja. E djathtë dje, e majtë sot. Që të tregojë se është e pakënaqur me çfarë ndodh në vend. Sepse si rregull, pavarësisht emrit, njeriu më i pakënaqur me qeverinë dhe qeverisjen e një vendi, duhet të jetë kryeministri. Në emër të suksesit në politikë, kryeministrit/kryeministrat, duhet të veprojë sipas këshillës së Lasgushit: të sillen me qytetarët si me gratë. Edhe kur ata marrin zjarr. Cikli është i thjeshtë: me zjarrin, edhe kur dëshiron ta ndezësh, edhe kur kërkon ta fikësh, duhet të sillesh si me gratë e bukura: qetë, butë dhe me ndjenjë. Në një rast të tillë, edhe pak hipokrizi është një mëkat që nuk bie fare në sy, madje mund të jetë një mëkat i dobishëm.