Fermerët grekë kanë përshkallëzuar protestën mbarëkombëtare për të cilën kryeministri Kirakos Mitsotakis u shpreh në rrjetet sociale, një ditë pasi fermerët refuzuan ftesën e tij për takim. Në mesazhin e tij, kryeministri grek kritikoi bllokadat në rrugë që, sipas tij, shënjestrojnë shtresa të tjera të shoqërisë, duke theksuar se veprime të tilla minojnë kërkesat e fermerëve dhe dëmtojnë ekonomitë lokale.
“Dialogu nuk mund të zhvillohet përmes ultimatumeve”, shkroi Mitsotakis në mesazhin e tij, duke nënvizuar se qeveria mbetej e hapur për diskutime me fermerët dhe blegtorët. Ai gjithashtu vuri në dukje faktin se qeveria po shqyrtonte masa shtesë në mbështetje të fermerëve, duke përdorur fonde të paalokuar të subvencioneve të BE-së, ndërsa këmbënguli se duhet të reformohet agjencia shtetërore e pagesave për bujqësinë, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe drejtësi.
Megjithatë, fermerët mbajtën një qëndrim të palëkundur, duke i dërguar qeverisë një listë kërkesash në vend të zhvillimit të një takimi. Këto kërkesa përfshijnë kompensim për të ardhurat e humbura, çmime minimale të garantuara për të korrat, karburant të pataksuar për ta dhe kosto të reduktuara të energjisë elektrike.
Protestat ndërkohë janë intensifikuar në perëndim të vendit dhe në Epir, ku janë bllokuar rrugët dhe janë mbajtur demonstrata simbolike para zyrave lokale të agjencisë së pagesave për bujqësinë, si dhe marshime të organizuara me traktorë në qytete si Janina dhe në autostradat kryesore të vendit.
Fermerët thonë se bujqësia ndodhet në një rrugë pa krye dhe kërkojnë masa konkrete dhe të menjëhershme për t’i mbështetur. Protestat e tyre u nxitën nga vonesat në dhënien e subvencioneve të Bashkimit Europian për bujqësinë, për shkak të një hetimi në lidhje me një skemë masive mashtrimi me këto subvencione.











