Dita e 28 e protestës në zonën e Astirit, është mbyllur me shoqërimin në polici të tre banorëve. Banorët e zonës prej disa kohësh kundërshtojnë projektin e Unazës së Madhe. Edhe gjatë zhvillimit të saj, protesta është shoqëruar me tensione mes banorëve dhe drejtuesve të mjeteve. Disa prej shoferëve të irrituar nga ngecja në mes të rrugës së bllokuar tentuan të kalojnë, por u penguan nga protestuesit që kanë bllokuar rrugën në te dyja akset e saj duke e bërë të pamundur kalimin e makinave. Por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me një ambulancë, të cilën protestuesit e kanë lejuar që të kalojë.
Në mbështetje të banorëve, si herët e kaluara kanë qënë edhe deputetët e opozitës Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj, Edmond Spahio, Enkelejd Alibeaj, Klevis Balliu etj.
Para nisjes së protestës, banorët e zonës vendosën që të mbajnë një minutë heshtje për vdekjen e ish-presidentit amerikan Geogre H.W. Bush.Protesta e banorëve të Astirit është mbështetur nga Partia Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha prej disa ditësh. Banorët kundërshtojnë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, pasi sipas tyre ky projekt prek shtëpitë e tyre. ARRSH ka sqaruar se banesat për të cilat kundërshtojnë banorët janë të palegalizuara, ndërkohë që Bashkia Tiranë ka ofruar zgjidhje për ta, bonusin e qirasë dhe strehimin nëpër banesa sociale. Protesta zhvillohet në një kohë kur IKMT vazhdon shembjen e banesave dhe pastrimin e zonës për të bërë të mundur nisjen e punimeve.










