Rreth 30.000 persona, kryesisht të rinj, mbrëmë sërish dolën në protesta antiqeveritare nëpër rrugët e disa qyteteve rumune edhe krahas dorëheqjes së djeshme të kryeministrit Viktor Ponta, lajmëroi TASS.
Sipas policisë rumune, rreth 20.000 njerëz kanë marrë pjesë në protestën e mbajtur në Sheshin universitar në Bukuresht, i cili ishte vatër e kryengritjes kundër liderit të fundit komunist të Rumanisë, Nikollae Çaushesku në dhjetor të vitit 1989.
Edhe rreth 10.000 persona janë mbledhur për protesta antiqeveritare në Temishvar, Kluzh, Jashi dhe disa qytete tjera më të vogla.
Pjesëmarrësit në protestat, të cilat kaluan qetë, mbanin flamuj rumun dhe kanë brohoritur parrulla si “Poshtë sistemi mafioz” dhe “Rumani, zgjohu”.
-Dëshirojmë ndryshim të mentalitetit të klasës politike. Një dorëheqje nuk është e mjaftueshme, deklaroi aktivisti rinor Kornell Apostoll në fjalimin në protestën në Bukuresht.
Demonstruesit i akuzojnë autoritetet për jo profesionalizëm dhe korrupsion dhe kërkuan formim të Qeveri teknokrate, sepse siç theksuan, nuk i besojnë asnjë partie politike.
Një pjesë e demonstruesve kanë mbajtur edhe marsh protestues nëpër rrugët e Bukureshtit deri para ndërtesës së Parlamebntit rumun, ku kërkuan që të gjithë deputetët të japin dorëheqje.
Kryeministri rumun Viktor Ponta dje dha dorëheqje në funksion, pas protestave të rreth 20.000 njerëzve në Bukuresht të martën në mbrëmje, në të cilat u kërkua përgjegjësi për shkak të incidentit në një diskotekë në kryeqytetin rumun gjatë ditës së premte, me ç’rast e humbën jetën 32 persona.
Hetimi konfirmoi se arsyeja për incidentin ishte mosrespektimi i normave dhe rregullave për siguri të objektit dhe se autoritetet lokale nuk kanë ndërmarrë kurrfarë masa, për çka demonstruesit kërkuan përgjegjësi indirekte dhe dorëheqje të Pontas dhe ministrit të Punëve të Brendshme Gabriel Opreja.