Inspektoriati rajonal i Punës në Korçë ka pezulluar pa afat aktivitetin e firmës së fasonerisë në Bilisht pas protestës së punonjësve të këtij subjekti.
Eris Papa, drejtor i këtij inspektoriati ka bërë me dije se ndaj subjektit është marrë masë administrative për shkak të pengimit të së drejtës sindikale për protestë. Papa më tej ka bërë me dije se nga të gjitha kontrollet e ushtruara nga ky inspektoriat subjekti ka rezultuar i rregullt me pagat mujore të punonjësve, sigurimet si dhe pagesat për lejet vjetore dhe raportet mjekësore.
Gjithashtu kreu i këtij inspektoriati ka bërë me dije se kryetarja e sindikatës së këtij subjekti nuk është pushuar nga puna por ka pranuar se ka filluar procedura për largimin e saj duke respektuar atë çfarë parashikohet në kodin e punës.
Megjithatë edhe ditën e sotme punonjëset e kësaj fasonerie në Bilisht nuk kanë pranuar të kthehen në vendet e punës për aq kohë sa pronarët e fasonerisë nuk do të pezullojnë procedurën për largimin nga puna të punonjëses njëherazi dhe kryetare e Sindikatës së Fasonerisë në Devoll.
/a.r