Ka nisur përgatitja për tubimin e thirrur nga opozita në orën 18:00, ku Policia është vënë në gatishmëri për çdo skenar të mundshëm të protestës, pasi pritet që sot të jetë pa fjalime dhe në lëvizje.
Përqark godinës së Kryeministrisë shihen automjete të shumta policore, autoambulanca, si dhe makina të hedhjes së ujit.
Sikurse në protestën e së premtes së kaluar, Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Efektivë policie janë vendosur në shumë institucione të tjera, jo vetëm te Kryeministria, por edhe rrugët kryesore të kryeqytetit.
Si skenar mund të jetë edhe bllokimi i rrugëve duke nisur nga Rruga e Elbasanit, por nuk përjashtohen të tjera skenarë. Në total do të jenë të angazhuar mbi 1400 forca policore.











