Më 26 mars të vitit 1990 u zhvillua protesta e parë antikomuniste në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar e kujtoi dje këtë ngjarje, e cila ndodhi në qytetin e Kavajës.
Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe një sërë ndryshimesh radikale politike, që ndodhën në vitet 1989-1990 në Bllokun Lindor kanë pasur ndikim edhe në jetën politike shqiptare. Protesta e parë kundër regjimit komunist në vend, erdhi si pasojë e ngjarjeve të një dite më parë, më 25 mars 1990, në stadiumin “Besa” gjatë ndeshjes Besa-Partizani, ku shumë të rinj shpërthyen në thirrje kundër regjimit komunist. Gjatë kësaj proteste u arrestuan shumë të rinj. Thirrjet kundër diktaturës gjatë ndeshjes Besa-Partizani të dielën e 25 marsit 1990, u pasuan me arrestime në stadium dhe më pas nëpër shtëpitë e kavajasve. Megjithatë shpirti i revoltës nuk u ndal. Të nesërmen, më 26 mars, në Kavajë u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste në sheshet dhe rrugët e një qyteti. Më 26 mars 1990 një numër i madh njerëzish iu drejtua rajonit të policisë me thirrjet “Lironi shokët tanë”, “Poshtë diktatura”, “Liri, Demokraci”. Kjo protestë i hapi rrugën zhvillimeve të reja në vend.
TENSIONET
Kishte kohë që populli i Kavajës kishte filluar ta shprehte pakënaqësinë e revoltën kundër atij pushteti të urryer. Kjo kishte ndodhur nëpër ndërmarrjet e fabrikat e qytetit, ku qeveritarë të ndryshëm të E.Hoxhës ishin tallur e kishin ikur me turp në Tiranë. Pastaj nisën të shpërndaheshin trakte nëpër dyqane, në gjimnaz, nëpër muret ishin shkruar parulla antikomuniste. Sekretarin e partisë, që kishte ardhur nga Durrësi këtu për problemin e parullave, funksionar i lartë i qeverisë së Ramiz Alisë, njerëzit e revoltuar e detyruan të shkelte me këpucët e veta mbi veprat e mësuesit të tij, Enver Hoxhës! Por të dielën e 25 marsit 1990, rinia kavajase u ngrit me guxim, i dha grushtin e parë diktaturës, duke vrarë një herë e përgjithmonë frikën. Atë të diel skuadra e “Besës” luante futboll në fushën e vet me “Partizanin”.
Qeveria e nuhaste si qeni rrezikun që i kanosej, e ndiente qartë afrimin e shembjes dhe përgatiste planet si do vepronte. Ajo donte të zgjaste jetën e vet, përpiqej të mbahej akoma në këmbë. Diktatura mori masa të shumta për të frikësuar e nxitur të gjithë pushtetarët, që të ishin gati për të parandaluar shpërthimin e uraganit, i cili nisi pikërisht në Kavajë. Gjithë ato ditë ishin bërë mbledhje urgjente nëpër shkolla, ndërmarrje e kooperativa bujqësore; policë shihje plot nëpër rrugë; qëllimi ishte që njerëzit të frenoheshin e të mos shkonin për të parë atë ndeshje. Dëgjoheshin thirrjet e të rinjve: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, “Enver-Hitler!”, “Poshtë dinastia!”, “Liri-Demokraci!”, “Poshtë Nexhmija!” etj..
Gjelbërimi ishte i ndotur nga dhjetëra qen kufiri e nga sampistat me uniforma të frikshme e nga policë e dedektivë civilë. Por populli i Kavajës nuk mbahej, sepse kishte arritur aty ku s’mbante më! Me dhjetëra vepra të Enver Hoxhës, me qindra gazeta “Zëri i popullit” u grisën e u hodhën në fushë, u dogjën! Njëzëri oshtiu kënga patriotike: Eja, mblidhuni këtu-këtu, bashkë me ne! U shpalos ajo këngë në gjithë qytetin si një flamur i madh për veprim. Në tribunën përballë u ndezën gjakrat e nisën përleshjet mes popullit e sampistëve me policët bashkë, nën vëzhgimin e kamerave të fshehta, që filmonin gjithçka e që do të përdorej më pas si provë. Gjatë përleshjeve ata bënë edhe arrestime. U arrestuan Ilir Rugia e Safet Beçeri, të cilët u morën zvarrë mespërmes fushës. Në minutën e tetëdhjetë organizatorët e protestës futën një djalosh të vogël për të ndërprerë lojën e për të matur pulsin e forcave të rendit. Atmosfera u ndez dhe më tepër. Përleshjet vazhduan bashkë me arrestimet natën shtëpi më shtëpi. Grumbulli i madh i njerëzve vazhdoi të marshonte deri përpara godinës së policisë. Atje menjëherë ushtoi zëri me zhurmë e bubullimë: “Lironi vëllezërit tanë!”, “Enver-Hitler!”, “Liri-demokraci!”, “Nexhmia…”, duke sharë keq, me fjalë vulgare.
DEMONSTRATA
Protestës në Kavajë i parapriu ajo e datës 14 janar të vitit 1990 në Shkodër, e cila shënon demonstratën e parë antikomuniste në Shqipëri dhe që u desh një vit për të rrëzuar regjimin komunist, i fundit regjim diktatorial në Evropën Lindore. Mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit dhe protestuan në heshtje. Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit. Kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste. Po kjo ngjarje, për vetë rëndësinë dhe kohën në të cilën u zhvillua, me të drejtë u konsiderua si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Pati jehonë brenda e jashtë Shqipërisë, u analizua dhe komentua nga mediat ndërkombëtare, sepse u hapi rrugën më pas edhe zhvillimeve të tjera demokratike në mbarë Shqipërinë, e frytet e saj demokratike nuk u vonuan. Ngjarja u komentua dhe u përcoll edhe në mediat e huaja si “BBC”, “World Service”, “RAI”, “VOA” – “Zëri i Amerikës”. Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Iniciatorët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkëngjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin më të mëdha. Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit, i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”. qëndresa e parë antikomuniste u shoqërua me arrestime të disa personave të përfshirë në të.
Dhjetë prej tyre, të cilët u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi, ishin: Aldo Perrizi, Dedë Kasneci, Flamur Begu, Gjergj Livadhi, Klaudio Daka, Kolec Hublina, Nikolin Margjini, Nikolin Thana, Rin Monajka, Tonin Dema. Atë ditë pati qindra qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe pësoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u dënuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruan në psikiatri dhe shumë familje u internuan. Një prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu në gjendje invaliditeti ekstrem. Mbrëmjen e 13 janarit, disa prej tyre u arrestuan, por plani i thurur në fshehtësi u vu në jetë të nesërmen pavarësisht se busti i Stalinit, në qendër të qytetit nuk u rrëzua. Torturat shtazarake e kishin bërë efektin makaber! Pas torturave, të arrestuarit u akuzuan për vepra të renda penale dhe i priste dënimi me pushkatim, por kush i shpëtoi të rinjtë shkodranë?
Disa prej tyre sot nuk jetojnë me si pasojë e torturave dhe keqtrajtimit, por protagonistët e tjerë të asaj ngjarje, janë shumë të zhgënjyer për Shqipërinë e këtyre 30 vjetëve. Pas afro 46 vitesh nën një tirani të paparë në histori, shqiptarët të nxitur nga ngjarjet në Evropën Lindore, por edhe nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhej vendi nga politikat e gabuara të qeverisë filluan të kundërshtonin regjimin komunist të Ramiz Alisë. Gjendja politike ishte e vështirë për Partinë e Punës. Regjimet komuniste në të gjitha vendet e Europës Lindore kishin rënë. I fundit kishte qenë regjimi rumun që kishte mbaruar në mënyrë të përgjakshme. Komunistët shqiptarë nuk po reflektonin. Shqipëria ishte i fundit vend me një regjim komunist në Europë. Pak ditë më pas më 26 mars 1990 zhvillohet një demonstratë masive antikomuniste në Kavajë. Forca të shumta policore e shtypën me egërsi këtë demonstratë. Masivisht fyhet diktatori Hoxha.
AMBASADAT
Më 2 korrik 1990: Antikomunistët informohen dhe marrin shembull nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore. Ata përhapin menjëherë idenë e largimit përmes ambasadave. Me mijëra të rinj shpërthejnë për t’u futur në ambasadat perëndimore, për të fituar më në fund lirinë dhe me shpresën e përfitimit të të drejtës së strehimit politik. Ambasadat në të cilën u futën më shumë persona është ajo gjermane me rreth 3100 qytetarë e pasuar nga ajo italiane. Ambasadat e vetme, të cilat nuk u prekën nga dyndja masive ishin ajo e kineze dhe ajo kubane. Radio Televizioni Shqiptar transmeton vetëm pamjet ku disa persona të pasigurtë kërkojnë të dalin, por gjoja nuk i lejojnë autoritetet e ambasadave. Më pas në të gjithë vendin fillojnë të zhvillohen demonstrata antikomuniste. Në korrik-nëntor 1990 demonstrata antikomuniste zhvillohen në gjithë vendin e veçanërisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë.
Kërkesa kryesore e demonstruesve është hapja e Shqipërisë dhe rrëzimi i regjimit diktatorial komunist. Fillon emigrimi masiv drejt Italisë me anë të anijeve. Mbi 20.000 shqiptarë largohen me mjete ujore. Policia kufitare vret shumë të rinj shqiptarë që po arratiseshin drejt një jete më të mirë. Nis emigrimi masiv i shqiptarëve 1990-1991. Më 8 dhjetor 1990, studentët e Universitetit të Tiranës ngrihen në protestë. Më 11 dhjetor 1990, studentët takohen me Presidentin e vendit, Ramiz Alinë. Ata i bëjnë të ditur atij kërkesat e tyre… Më 12 dhjetor 1990: Studentët bashkë me intelektualë shqiptarë formojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas afro 50 vitesh. Udhëheqësit kryesorë janë Sali Berisha, Azem Hajdari, Genc Pollo, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko etj. Partia e re bazohet mbi idealet e “Demokracisë, Lirisë, Pluralizmit dhe Tregut të Lirë”.