Policia e Tiranës njofton se ka nisur procedimin në gjendje të lirë për tre shtetas, të cilët ishin të pranishëm ditën e djeshme në protestën e opozitës te Bashkia e Tiranës.
Sipas bluve të kryeqytetit, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit K. K., 27 vjeç, S. G., 40 vjeç, dhe A. Q., 63 vjeç, ndaj të cilëve rëndon akuza për “Prishje e qetësisë publike”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
“Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:
– K. K., 27 vjeç, S. G., 40 vjeç, dhe A. Q., 63 vjeç, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit Z. B., 19 vjeç, R. D., 19 vjeç, dhe N. M., 57 vjeç, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
/a.r