Ish-ministri i Rendit, Bajram Yzeiraj, i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të tregojë maturi dhe përmbajtje gjatë menaxhimit të protestave të opozitës, duke paralajmëruar se duhet të shmangen situata si ato të Protesta e 21 Janarit 2011.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” të gazetarit Andrea Danglli në A2 CNN, Yzeiraj theksoi se policia ka detyrim ligjor të përdorë forcën vetëm në raste të domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale.
“Policia ka detyrim ligjor jo vetëm të jetë e duruar, por edhe nëse lind nevoja për të përdorur forcën, forca duhet të përdoret kur është e domosdoshme. Kur është i domosdoshëm përdorimi i forcës, në mënyrë proporcionale dhe në përpjestim me forcën e dhunës që përdorin tubuesit. Policia është për parandalim dhe për të vendosur rregullin, jo për të përdorur dhunë ndaj të gjithëve”, u shpreh ai.
Yzeiraj shtoi se forcat e rendit duhet të shmangin përdorimin e mjeteve të rrezikshme dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të përdorin armë ndaj protestuesve, ndërsa u bëri thirrje edhe organizatorëve të protestave të mos nxisin dhunë.
“Kur vjen puna për armën, në asnjë mënyrë. Policia që vret është e paaftë, s’është e zonja. Në asnjë mënyrë të vrasësh ti se po të qëllojnë me gurë apo shishe benzine. Forcat e Rendit duhet të jenë të matura dhe të duruara, ndërsa organizatorët duhet të heqin dorë nga përdorimi i forcës”, deklaroi ish-ministri.
Ai kujtoi gjithashtu se në ngjarjet e Protesta e 21 Janarit 2011 mungoi koordinimi mes strukturave të sigurisë.
“Në 21 janar bashkëpunimi Polici-Gardë ka qenë përtokë fare. Po të kishte qenë koordinimi i mirë, mund të evitohej ajo që ndodhi më 21 janar”, theksoi Yzeiraj.











