Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta e paralajmëruar e opozitës më 24 janar do të ketë një kërkesë të vetme: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë, kreu demokrat tha se zemërimi popullor është i madh dhe se shqiptarët nuk duan t’i shohin më me sy drejtuesit aktualë të qeverisë.
“Dorëheqja, dorëheqja, vetëm dorëheqja. Kjo është e gjithë puna. Shqipëria nuk do, nuk do më t’i shohë me, nuk do më t’i shohë me sy të ballit këta njerëz, a kupton. Nuk do, ka fituar urrejtje të madhe”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, opozita nuk ka dhe nuk do të ketë skenarë të dhunshëm duke përjashtuar çdo paralelizëm me ngjarjet e 21 janarit.
“Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë me datën 12 dhjetor të vitit 1990. Konseguent në këtë linjë, ai e ka provuar. Natyrisht, Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit. Edi Rama është i pashpresë. Dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të”, theksoi kreu demokrat.
Berisha theksoi se protestat do të jenë të formave të ndryshme dhe do të vendosen në kohën e duhur, ndërsa akuzoi qeverinë Rama për korrupsion masiv dhe lidhje kriminale, duke iu referuar edhe deklarimeve të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
“Mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë. Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. Dhe ne jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund largimin e kësaj organizate kriminale që siç e patë ju dhe nga intervista e fundit e Arben Ahmetaj, që në 5 dosje nxori rreth 12 miliardë euro të amnistuar, të vjedhura nga qeveritarët, nga Edi Rama dhe anturazhi i tij dhe të amnistuara nga SPAK-u i partisë”.
Lidhur me bashkimin e opozitës, Berisha deklaroi se në betejën kundër qeverisë janë të mirëpritur të gjithë ata që janë të vendosur të luftojnë “të keqen që quhet Edi Rama”, ndërsa shtoi se qytetarët nuk vijnë në protesta me kuota, por të shtyrë nga revolta dhe pakënaqësia e thellë ndaj qeverisjes aktuale.
“Siç e patë ju, u mbush Tirana me njerëzit. Njerëzit i sjell këtu revolta e brendshme shpirtërore, urrejtja e pakufishme që kanë për Lubi Babukun, Edi Ramën, Lindat e tij, komplet siç është rasti i, se nuk është më pak ajo si quhej ajo, Sesilia e Maduros. Sesilia quhej ajo? Po. Po, më pak nuk është më pak. Edhe Linda e Surrelit, aty afër është, sepse dhe ajo i fut duart në tendera, në gjëra kështu, a kupton apo jo”.











