Ngarendja e politikanëve për të organizuar ceremoni të kota (për shembull për pritjen e vaksinave), xhirot e pandërprera nëpër Kosovë për “të kujtuar viktimat e luftës”, prononcimet vend e pavend ia humbin kuptimin seriozitetit të postit dhe qeverisjes.
Nga Enver Robelli
E si është në viset tona shqiptare?
Sidomos në dekadën e fundit politika shqiptare është meditizuar fund e krye. Gjatë gjithë javës politikanët e niveleve më të larta (kryeministra, ministra, presidentë) presin në rend për t’u intervistuar. Kur s’ka tema, shpiket ndonjë, për shembull: a kishte LDK apo UÇK të drejtë në vitet 90-të? Thua se njëra pa tjetrën do të bënin mrekulli. Kryeministri aktual i Shqipërisë, i cili ka mjaft talent publicistik, të cilin do të mund ta shfrytëzonte më ndryshe, në daljet e tij të shpeshta publike, kur s’ka diçka për të thënë, imiton gazetarët apo kundërshtarët politikë. Gjithë këto paraqitje mediale të politikanëve shqiptarë mund të provokojnë pyetjen: a punojnë këta njerëz ndonjë gjë? Për gazetarët, intervistat e vazhdueshme me politikanë kanë një përparësi: inskenohet një luftë gjelash për argëtim të publikut pa ndonjë punë të madhe gazetareske.
Me rastin e ardhjes së vaksinave të para në Kosovë, u pa një protagonizëm i tepërt i ekipit të ri qeveritar, por edhe i ambasadorëve perëndimorë. Fjalime mbajtën kryeministri i ri, ministri i ri i Shëndetësisë dhe dinjitarë të tjerë pushteti e diplomacie. Të gjithë të renditur në pistën e aeroportit. U prononcuan edhe politikanë të opozitës që deri dje ishin në pushtet.
Çfarë po ndodhte në të vërtetë? Erdhën 24 mijë doza me vaksina pas një vonese tmerrësisht të gjatë. Dhe shkaktarë të kësaj vonese janë politikanë e organizata që vendosin në nivel global, por edhe të tillë që merrnin vendime në nivel lokal. Protagonizmi bosh shkakton vetëm dëm. Jo vetëm në rastin e pritjes së vaksinave me fanfarë e propagandë. Edhe xhirot e pandërprera nëpër Kosovë për të “kujtuar viktimat e luftës”, “betejat historike” etj. tashmë janë shndërruar në ekskursione rutinore, ku vazhdimisht përsëriten fjalët e njëjta, gjestet e njëjta, pozat e njëjta.
Ka ardhur koha të mendohet për një përkujtim më origjinal të të rënëve për lirinë e Kosovës. Mund të caktohet një datë për të kujtuar të gjitha viktimat. Mundësisht pa fjalime politikanësh. Mundësisht me ndonjë ekspozitë të hairit apo fjalim të pasardhësve të viktimave. Kështu do të shmangej ndoshta pak gjuha patetike përkujtimore, e cila po ia humb seriozitetin edhe posteve më të rëndësishme shtetërore.