Nga Enver Robelli
Francis Pike është historian britanik dhe publicist shtegtar. Në numrin e fundit të revistës «Weltwoche» të Zürichut (e njohur për tekste problematike, shpesh pro Putinit), Francis Pike boton një tekst për Maqedoninë (e Veriut). Është një artikull i shkruar me entuziazëm, lexohet si reklamë falas për Maqedoninë (e Veriut).
Faktet nuk janë aq me rëndësi për historianin Pike. Për shembull ai krijon përshtypjen sikur ekziston një linjë direkte mes Maqedonisë së Filipit të II-të dhe Maqedonisë së sotme. Edhe më problematik është një paragraf i Francis Pike mbi shqiptarët në Maqedoni.
Ai shkruan: «Jeta (e Maqedonisë) si shtet i pavarur nga viti 1991 nuk ka qenë e thjeshtë. 70 për qind e maqedonasve janë ortodoksë. Probleme shkaktoi pakica shqiptaro-myslimane (25 për qind), liderët e së cilës lëshuan pe ndaj NATO-s tek më 2001. Më 2012 shpërthyen prapë tensionet etnike, marrëdhëniet mes ortodokësve dhe myslimanëve janë fragjile».
E vërtetë, «pakica shqiptare» ka shkaktuar probleme: ka kërkuar shkollim të lartë dhe është qëlluar me plumba. Ka kërkuar të drejta dhe është diskriminuar. Ka kërkuar participim në jetën publike dhe është injoruar.
Më 2001 shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë qenë në konflikt me NATO-n, siç sugjeron historiani qesharak britanik. Pike synon me dashakeqësi që shqiptarët e Maqedonisë t’i reduktojë në një «komunitet myslimanësh» që po u shkaktojnë probleme maqedonasve sllavë.
Shkrimi i tij mund të përshkruhet me një fjalë: «bullshit». Shoqëri të vëmendshme do të protestonin kundër shkrimeve të tilla.