As pas skadimit të afatit prej pesë ditësh Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk do të kërkojë nga gjykata lëshimin e urdhërarrestit ndaj katër deputetëve të opozitës. Ky afat, sipas burimeve të gazetës “Koha Ditore”, brenda prokurorisë, pritet të shtyhet edhe për 4-5 ditë të tjera.
Deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, si dhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi, po dyshohen për veprën penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, që lidhen me ngjarjen e fundit në Kuvendin e Kosovës, për hedhjen e gazit lotsjellës gjatë seancës plenare.
Në javën e kaluar prokuroria u kishte dhënë afat atyre vetëm deri më 2 nëntor për t`u paraqitur në polici e për të dhënë deklaratë. Nëse nuk do t`i përgjigjeshin thirrjes, ishte paralajmëruar kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit. Mirëpo, kësaj thirrjeje nuk i janë përgjigjur asnjëri prej tyre.