Prokuroria e Përgjithshme kërkon heqjen e mandatit për dy deputetë.
Bëhet fjalë për deputetin e PDIU Aqif Rakipi dhe deputetin e LSI-së Gledion Rehovica.
Sipas prokurorisë dy deputetët preken nga ligji i Dekriminalizimit. Kërkesa për heqjen e mandatit për dy deputetët është firmosur nga prokurorja Rovena Gashi dhe është depozituar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Kërkesa e Prokurorisë lidhet me të shkuarën edy deputetëve, të cilët vite më parë kanë jetuar e punuar në Itali ku janë arrestuar për vjedhje, si dhe kanë përdorur emra të tjerë. Këto vepra penale ata nuk i kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Aqif Rakipi është deputet i PDIU në qarkun e Elbasanit ku ai realizoi një rezultat spektakolar për këtë zonë ku kjo forcë siguroi dy mandate. Vetëm pak kohë më parë u dorëhoq deputeti tjetër i PDIU në Elbasan Bujar Muça. Ndërkohë Gledion Rehovica është deputet i LSI për qarkun Berat.
Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në KQZ përgjigje për dy ish-deputetë dhe një kryetar bashkie të cilët nuk preken nga dekriminalizimi. Bëhet fjalë për ish deputetin e PDIU Omer Mamo, i cili nuk rezulton me shkelje, gjithashtu edhe Mhill Fufi i PD, nuk rezulton me shkelje. Ndërkohë as kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri nuk e kap ligji i dekriminalizimit.
/a.m.










