Prokuroria Speciale e Hagës kërkoi dënimin me 180 vite burg në total, 45 vite për secilin, për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime kundër njerëzimit.
Analisti Blerim Burjani në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me moderatorin Aleksandër Furxhi, u shpreh se kjo pretencë ka nxitur reagime të fuqishme në Kosovë, duke filluar nga veteranët e luftës e deri te personalitetet publike dhe politike.
Z.Burjani argumentoi se pretendimet e prokurorisë janë të “orkestruara mirë” dhe se po tentohet të provohet ekzistenca e një “plani kriminal”.
Ai e konsideroi këtë pretendim si të palogjikshëm, pasi sipas tij, UÇK-ja ka qenë një ushtri vullnetare dhe nuk ka pasur mundësi të kontrollonte tërë procesin dhe luftën në të gjithë Kosovën në mënyrë të centralizuar.
Burjani bëri një krahasim të fortë, duke thënë se masa prej 45 vitesh burg e propozuar nga prokuroria është e ngjashme me atë që kishte propozuar vetë Beogradi.
Intervista e plotë:
Si është pritur në Kosovë kjo pretencë e Hagës?
Burjani: Ka reagime të fuqishme nga të gjitha anët, duke filluar dhe nga, veteranët e luftës dhe të tjerë personalitete publike dhe politike në Kosovë. Natyrisht që kjo është diçka shumë e rëndë dhe e keqe që mund të ndodhë dhe se mendoj që prokuroria ka bërë një propozim i cili nuk do të thotë që është përfundimtar, mirëpo pretendimet e saj janë shumë të qëllimshme dhe shumë të organizuara mirë dhe të orkestruara mirë, dhe duket se e ka planifikuar këtë proces mjaft mirë deri në fund. Prandaj ka tentuar dhe po tenton gjithë kohën, që të thotë që ka ekzistuar një plan kriminal që realisht nuk ka pasur kurrë plan kriminal që ka mundur të kontrollohet nga UÇK-ja i tërë procesi dhe tërë lufta në Kosovë, pasi që kjo ushtri ka qenë vullnetare dhe, duke u bazuar se ka qenë ushtri vullnetare, nuk ka mundur të ketë kontroll në tërë Kosovën. Pra, kjo është e palogjikshme.
Zoti Burjani, çfarë ndikimi pritet që të ketë në Kosovë, në skenën politike, në sferën publike kjo kthesë e papritur ndoshta në procesin e Hagës në kuptimin e masës së dënimit që kërkojnë prokurorët?
Burjani: Për momentin nuk ka se çfarë e godet në kuptimin politik vendin, por në kuptimin real ndërkombëtar mund ta godasë Kosovën në shumë segmente, sidomos në pastërtinë e luftës që e ka bërë ushtria e Kosovës, e që duket që intenca themelore apo kryesore e ka këtë prokuroria. Pra, kjo është shumë e dëmshme për shtetin. Ndërsa sa i përket aspektit politik, Kosova ka organizim të mirë politik, ka institucionet e saj demokratike dhe ajo do të funksionojë ashtu si duhet, por brenga më e madhe mbetet se kush do t’i besojë një drejtësie të tillë të njëanshme që ka qenë dhe që ka organizuar apo orkestruar së bashku, duket, me faktorë të ndryshëm relevantë ndërkombëtarë dhe me Serbinë. Këtu duket që kanë dorë shumë faktorë relevantë, edhe ata politikë, edhe ata që duket që kanë të bëjnë me rendin rajonal. Natyrisht kjo është kundër paqes, se dënimi i tyre është kundër situatës paqësore që mbretëron në Ballkan dhe askush nuk mundet të sigurojë Ballkanin në të ardhmen që mund të ketë ndonjëfarë qetësie në këtë variant apo në këtë mënyrë kur njerëzit e pafajshëm pretendohet të dënohen dhe të marrin masa drakonike apo dënime të rënda dhe ndoshta të papara, dhe të krahasohet me gjykatat serbe, sepse është e çuditshme se këto 45 vjet që ka propozuar prokuroria, kishte propozuar edhe Beogradi. Realisht nuk ka prova direkte, po ka disa dëshmi që i quajnë prova direkte, dhe në mënyrë indirekte tërë procesin e dëshiron ta sqarojë apo ta shpjegojë dhe ta lërë fajtor apo përgjegjës që janë shquar, ku thotë, përkatësisht liderët e UÇK-së, pra me prova tërthorazi, duke pretenduar që ka mjaft prova tërthorazi që dëshmojnë indiciet e veprave të rënda penale që i quajnë ata kriminale. Kjo është për t’u dyshuar jashtëzakonisht.











