Nga Bajram Peçi
Mësohet se janë diku te 40 vetë, ish luftëtarë e drejtues të UÇK-së, që janë parashikuar për thirrje nga Prokuroria Speciale në Kosovë. Është e përfshirë pothuajse gjithë elita drejtuese e organizuese e asaj lëvizjeje që shihet e mbetet si një nga faqet më të ndritura të historisë së Kosovës. Hetimi mbase i bën mirë shëndetit moral e politik të Kosovës. Ashtu u bëftë, le të kryhet! Për këdo që akuzohet për krim ndaj bashkëatdhetarëve “bashkëpuntorë të pushtuesit”, popullatës serbe dhe komunitetit të pakicës rome, të çohet para drejtësisë. Për më tepër, ka ardhur koha që kjo klasë politike kosovare, e lakuar dhe stërlakuar, të iki. Gjithsesi, ska pse heshtet kur sheh se shqiptarët janë rëndom të paragjykuar.
Ja se si! Së pari, bëhen orvatje e kam ndeshur plot të tilla, ku paraqitet Prokuroria e Gjykata Speciale në Kosovë si nismë e organeve të Republikës së Kosovës. Në të vërtetë, është nxitur krijimi i këtyre dhomave me këmbënguljen e BE-së. Është nënshkruar marrëveshja, janë penduar më pas, janë orvatur ta rrëzojnë dhe përfundimisht janë tërhequr nën kushtëzimet Europë-Amerikë. Së dyti, struktura të tilla speciale hetimi e gjykimi janë ngritur vetëm për Kosovën. Janë disa dhjetra vrasje e krime të ndodhura realisht në Kosovë, të pa ndëshkuara, për të cilat do duhet të përgjigjen të akuzuarit. Ndërkohë, janë 10 deri 11 mijë shqiptarë të vrarë nga ushtria, milicia dhe civilët serbë, në vitet 1998-2000, një pjesë të të cilëve nuk u gjëndet varr, se s’kanë të tillë. Edhe shkritoret e metaleve dhe acidi u përdorën nga kriminelët serbë për zhdukjen e gjurmëve. Më tej, përmëndet shifra e 20 mijë grave të përdhunuara, krime këto masive, me hetimin e të cilave nuk është marrë e sdo merret kërkush. Mirëpo, jo vetëm që në Serbi dhe Europë ato nuk po i heton njeri, por, përkundrazi, vrasjet në kufijtë e shfarrosjes të kësaj periudhe, gjeneralët serbë i kanë futur si leksione në shkollat ushtarake. Së treti, kriminelët e serbisë, me pak përjashtime që lidhen me krimet në Bosnje, jetojnë të lirë, të pa shqetësuar, të pa akuzuar. Europa dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u kufizuan përpos se në krimet e luftës, nga ku mori dënim një shqiptar dhe pesë a gjashtë serbë. Kaq! Europa, jo vetëm që nuk ndërmori gjësend hetime të krimeve të serbëve, por harroi shpejt. S’vonoi që Serbisë t’i jepnin statusin e vëndit kandidat për BE.
Në ndërgjegjen kolektive të shqiptarve është brumosur bindja se lirinë e pavarësinë e Kosovës e gëzojmë falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Europa atje ishte, kur ndodhnin krimet serbe në Bosnje dhe ushtrohej genocid e shtypej përdhunshëm populli shqiptar që jetonte në Jugosllavi, dhe atje ngeli, në po ato pozicione. Në një farë mënyre, shtetet që sundonin hapësirën vendimmarrëse europiane, ishin pajtuar me gjendjen. Por ndodhi që më pas, një burrë, që do t’i jemi mirënjohës në jetë të jetëve, William Walker, të bënte publike pamjet e tmerrshme të masakrës serbe në Reçak. Bota u trondit, civilizimi europian e pa veten të poshtëruar nga serbët, fantazma e krimeve të nazizmit endej e shfaqur ndër platformat televizive. Amerika, Britania, thanë: mjaft më!
Serbët u dorëzuan nga e keqja që po u ndodhte, por nuk është se ndryshuan qendrim. Do të donin shumë t’i vrisnin gjithë shqiptarët, por s’mundnin. Zgjodhën të luftojnë me shpifjen si armë. U përqendruan te ajo që mund të sillte dëmin më të madh: ndotjen e luftës për liri, të rezistencës ndaj okupatorit, të figurës së drejtuesve. Plot dhjetë vjet më parë, aparati i stërmadh i shpifjeve i përgatiti Prokurorisë së Serbisë një akuzë: drejtuesit e UÇK-së janë trafikantë organesh!
Ishte Karla del Ponte vegla që politika serbe ja mbërriti të përdorë suksesshëm, për të barazuar në akuzë si agresorin serb ashtu dhe viktimën shqiptare. Ish kryeprokurorja e Hagës përdori një banesë në fshatin Gurrë të Matit, që për shkak të bojatisjas nga jashtë të mureve, i vunë emrin “Shtëpia e verdhë”. Shpërthimi i intrigave të krisura e të rrezikshme, ku serbia luante rolin kryesor, mori status zyrtar. 12 veta (është shkruajtur se ka qenë dhe një përkthyes me emërin Luli) e vizituan dhe inspektuan çdo skutë të banesës. Për të gjetur mbetje të “krimit”, me gjasa “Trafiku i organeve që u merreshin serbve”, ajo abuzoi dhe e shpërdoroi postin. Futet në lojë prej saj i quajturi Dik Marty. Si hetues ai është i anshëm. Është po ai Dik Marty që ka folur publikisht kundër pavarësisë së Kosovës. U stis një histori, që e famshmja e librave të verdhë, Agata Krist, do t’ua kishte zili. U shtirën si të paanshëm mes palës agresore e viktimës dhe pothuajse tërë komandantët e formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në atë kohë u vunë në një listë hetimi. Ku që po kryhet tani rezulton të jetë i katërti. Me një fjalë, donin të na ndotënin e na ndotën!
Atë botë, si në administratën e lartë shtetërore edhe në media, u kuptua se po luhej një lojë e pisët, që do ja dëgjonim zërin. Mediat tona nuk është se i kushtuan ndonjë rëndësi kësaj akuze të stisur e dekoruar madje edhe me “dëshmitarë” serbë, se ato jo gjithmonë kanë patur nuhatjen të kuptojnë orën e nevojës. Por nga Ministria e Drejtësisë u dyshua seriozisht keqdashësia, ndaj u kundërshtua vizita e këtij Martyt. Ende nuk ishin zbuluar deklarimet e tij publike që na paska qënë kundër pavarësisë së Kosovës, por reagimi ndodhi se po e ndjenin institucionin të nëpërkëmbur.
Kosova, për mirë apo për keq, ka qënë tërë kohën nën presionin e Europës. Përfaqësuar nga grupe pune e ambasadorë të akredituar, kryesonin bisedime palësh, ku dukshëm shihej presioni që Kosova të bënte lëshime. Patjetër që Rusia do qëndronte, qoftë edhe në distancë, si sëpatë. Kështu ndodhi me kufijtë e demarkacionit Mali i Zi-Kosovë; me Asosacionin e komunave me popullatë dominuese serbe, që decentralizonte me cënime serioze pushtetin qendror; me qesharaken e të turpshmen “Fusnotë”. E fundit në radhë: për faj të Presidentit të Kosovës, projekti i Serbisë për të marrë Veriun, u fut në axhendën europiane. Thuhej “për korigjime kufijsh”, por Vuçiç e tha disa herë se Serbia nuk ka gjë për të dhënë, aq më pak Preshevën. Dëmi i madh që pasonte këto bisedime ishte cënimi i Paketës Ahtisari, nëpërmjet të cilës Serbisë dhe Rusisë ju bënë gjithë lëshimet dhe Kosovës gjithë pengimet, ku mes të tjerash spikat mohimi i bashkimit me Shqipërinë, mbajtja e përdorimi i flamurit kombëtar dhe simboleve të tjera kombëtare.
Dukej prej kohësh që mirëkuptimi i shoqërisë në Jugosllavi ishte prishur. Thyerja më serioze vrehej mes serbëve dhe shqiptarve, dy popuj këta me gjuhë e kombësi të ndryshme nga pjesa tjetër e federatës. Popullit serb, me bekimin e kishës së saj ortodokse, prej një shekulli i ishte shpëlarë truri, për t’i ngulitur bindjen se ishin ata të caktuarit nga historia e të zgjedhurit e zotit për të sunduar këtë pjesë të botës. Ata u zhytën në krime deri në grykë, ushtruan shtazërisht genocid mbi popuj të tjerë e për rreth 10 vjet u bënë makthi i Europës. Zëmrimi i tyre veçanërisht u shpalos me tërë egërsinë mbi popullin Shqiptar e atë Boshnjak. Mizoritë që kryen ishin të pa fundme. Faleminderit SHBA-ve dhe Europës, që të tmerruara nga krimet që shihnin, të papërsëritura që nga Lufta e II-të Botërore, më së fundi vendosën t’i thonë ndal egërsisë serbe ndaj shqiptarve në Kosovë. Por, a i kërkuan kujt të falur qeveritë serbe që pasuan? Askujt!
Duhen vendosur disa realitete mbi çka po ndodh me këto hetimet. Serbia ka një goxha trashëgimi shpifjesh në këtë fushë. Ja psh: serbët “dëshmitarë”, që “ju kanë hequr organet”, dëshmitë ja dhanë prokurorisë së Serbisë. Nuk u verifikuan kurrë. Më pas, u zbulua se tre prej tyre, Miladin Radanoviç, Predrag Zheljokoviç dhe Igor Juçinac, ishin agjentë të shërbimit BIA të Serbisë. Por akuza mbeti.
Janë serbët dhe jo shqiptarët e Kosovës, që u lejohen të shkojnë në Europë pa viza. Në të vërtetë, me apo qëllim, Kosova është shndrruar në kuptimin e plotë të fjalës, Geto e Europës. Dikur Europa vlonte nga planet për Kosovën e sapo çliruar. Premtimet po e po. Do jepej për Kosovën një ndihmë financiare, aq e kaq miliardë, që nuk shkoi kurrë. Do i jepej, (pas marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi) lëvizja e lirë për në BE, që s’ju dha. E izoluar, e keqpërdorur, e mashtruar, Kosova me Ramushin kryeministër vendos atë taksën për mallrat serbe, çka i bëri të gjithë të rreshtohen, ku me këshilla e ku me presione, kundër. Ramush Haradinaj e pati shtetin në ngarkim dhe u kujdes, sipas tij, për më të devotshmen. Ky është edhe momenti i veprimit të Prokurorisë Speciale.
Si rregull, koha e keqe nuk pastrohet pa një rrebesh. Në këto ditë, kush se ka dashur, ka shkarkuar e ka shfryrë kundër “Rambos”, gjë që unë nuk mund ta bëjë, jo se ka qenë pa mëkate, por se ka qenë i vetmi politikan e udhëheqës në Kosovë me qendrim të qartë kundra neootomanizmit turk, kundër ndikimit në rritje të islamizmit e në mbrojtje të shtetit sekularist. Respekt për të dhe daltë faqebardhë! (Java News)/l.m