Prokuroria do të çojë fletëthirrje për Lulzim Bashën në shtator për lejet e ndërtimit
Duket se Kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha do ketë pak ditë dhimbje koke me drejtësinë shqiptare. Disa ditë pasi prokurorët zbarkuan në Bashkinë e Tiranës, për të konfiskuar dokumentacionin për lejet e paligjshme të ndërtimit, ka nisur edhe lufta e ftohtë mes Prokurorisë së Tiranës dhe Lulzim Bashës. Një grup prokurorësh të Prokurorisë së Tiranës mësohet se kanë mbledhur të gjithë dokumentacionin për lejet e paligjshme të ndërtimit të firmosura nga Lulzim Basha, ndërsa po shqyrtohen me intensitet, për të identifikuar përgjegjësitë e gjithsecilit, duke filluar që nga drejtorët deri tek ish-kryebashkiaku, Lulzim Basha. Sipas burimeve, prokurorët do të vendosin për të marrë në pyetje Lulzim Bashën gjatë javës që vjen ose në ditët e para të muajit shtator, transmeton gazeta SOT.
Në bazë të shkeljeve, përgjegjësive dhe elementeve të veprës penale që do të konstatohen gjatë shqyrtimit të materialeve hetimore, prokurorët do të firmosin fletëthirrjen për ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Paraprakisht mësohet se prokurorët, nga shkoqitja dhe shqyrtimi i deritanishëm i dokumentacionit, kanë konstatuar shkelje kompromentuese për Lulzim Bashën. Mësohet se prokurorët kanë fakte dhe elemente që rëndojnë pozitat e Lulzim Bashës, i cili tashmë nuk ka as imunitet. Sipas burimeve, të gjitha gjasat janë që kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, të merret në pyetje në ditët në vijim, për të sqaruar rolin e tij në batërdinë që është bërë në Bashkinë e Tiranës me lejet e ndërtimit. Ndërkaq, nuk dihet nëse Lulzim Basha do t’i përgjigjet drejtësisë apo do të tentojë të shmanget me manovra procedurale siç bëri me skandalin me rrugën Durrës-Kukës, ku sipas KLSH u vodhën 230 milionë USD. Megjithatë, ndryshe nga 6 vite më parë, Lulzim Basha tashmë nuk ka imunitet për të zmbrapsur hetimet dhe për t’i bishtnuar organit të akuzës.