Teksa të ardhurat buxhetore të këtij viti pritet të shënojnë një hendek mbi 8 miliardë nga programi i rishikuar i shtatorit, pritshmëritë, nëse projektbuxheti 2016 i prezantuar së fundmi në Kuvend, do të mund të zbatohet pa ndryshime rrugës, zbehen.
Në fund të periudhës 10 mujore të ardhurat totale në buxhet nuk janë rritur më shumë se 3.4 për qind krahasuar me faktin e vitit 2014, ndaj dhe dyshimet shtohen nëse këto të ardhura do të mund të rriten me 8 për qind siç ka programuar qeveria duke marrë në konsideratë zhvillimet e këtij viti.
Në krahun e shpenzimeve dhe deficitit, situata duket të jetë më e kontrolluar. Shpenzimet totale pritet t jenë 452.1 miliardë lekë, me një rënie prej gati 1% në raport me një vit më parë. Fondi i pagave do të vijë në ulje me 4.3%, duke zbritur në 61 miliardë lekë, nga 63.8 miliardë lekë një vit më parë. Rritja me 5% e të ardhurave dhe tkurrja me 1% e shpenzimeve mundësojnë uljen e deficiitit me 40% në 34 miliardë lekë.
Të ardhurat rritje me 8%
Të ardhurat në projektbuxhetin e vitit 2016 pritet të jenë 417.7 miliardë lekë, me një rritje mbi 8 % me faktin e këtij viti.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për vitin 2016, vlerësohen në rreth 283 miliard lekë ose rreth 20,8 miliardë lekë më shumë se parashikimi i vitit 2015 ose rreth 8% më shumë. Në ndryshim nga vitet e kaluara, parashikimi i të ardhurave nuk është bazuar në metodën historike të kuadrit makroekonomik për çdo zë, sqaron Ministria e Financave. Miradministrimi i disa sektorëve pritet të gjenerojë rreth 2,5 miliard lekë. Kjo do të vijë nga formalizimi i tregut të celulareve nëpërmjet ngritjes së bazës së të dhënave tek Administrata Tatimore, me efekt rreth 500 milion lekë nga TVSH në vitin 2016, nga heqja e regjimit të përpunimit aktiv, me pezull TVSH, që pritet të gjenerojë rreth 1,5 miliard lekë.
Miradministrimi i rentës minerare mbi mineralet jometalike do të rrisë të ardhurat me 400 milion lekë. Kjo i do të vijë nga ndryshimi i bazës së taksimit të këtyre mineraleve, nga përqindje ndaj çmimit të shitjes në vlerë fikse për ton apo metër kub.
Aksioni antiformalitetit gjeneron 8 mld lekë
Të ardhurat nga lufta ndaj informalitetit pritet të gjenerojnë rreth 8.9 miliard lekë. Në këto vlerësime qeveria ka marrë në konsideratë disa sektorë. Vlerësohet se për vitin 2016 do të importohen 3,000 ton cigare në krahasim me rreth 2,600 ton që priten për vitin 2015. Pritet një rritje e importeve të karburanteve me 3.4% në krahasim me vitin e kaluar, bazuar në rritjen e konsumit të karburanteve janar-shtator 2015 krahasuar me 2014 si dhe rritjen reale ekonomike për vitin 2016.
Nga muaji shtator 2015 qeveria ka filluar luftën ndaj informalitetit. Pavarësisht se është ende herët që të bëhet një vlerësim mbi të ardhurat shtesë, në parashikimin e të ardhurave për vitin 2016, nuk janë përfshirë të ardhura shtesë për zërat kryesorë të ardhurave tatimore, me përjashtim të vlerësimit rreth 1,5 miliard lekë të ardhura shtesë nga TVSH e brendshme.
Rritja ekonomike, 5.9 mld më shumë
Të ardhurat në total nga kuadri makroekonomik priten të jenë rreth 5,9 miliard lekë. Për efekt të kujdesit në parashikimin e të ardhurave, në vlerësim është përdorur vetëm indikatori i rritjes ekonomike prej 3,4%, sqaron Ministria e Financave. Bazuar edhe në rekomandimet e FMN, aplikimi i rritjes reale ekonomike nuk është bërë për çdo taksë. Kështu, norma e rritjes reale ekonomike është zbatuar mbi TVSH-në e brendshme; të ardhurat e tatimit mbi të ardhurat personale, duke përjashtuar nga baza e rritjes me të ardhurat nga dividendët dhe interesat.
Taksat e reja 1.4 mld lekë shtesë
Të ardhurat nga politika fiskale janë llogaritur me 1,44 miliard lekë shtesë në buxhetin e 2016. Kjo shumë do të vijë nga rritja e masës së primit të sigurimit nga 3% në 10%, me efekt rreth 700 milion lekë. Ulja e normës së kompensimit të TVSH-së për fermerët nga 20% në 6%, me efekt rreth 400 milion lekë dhe vendosja e një taksë regjistrimi në masën 70 mijë lekë dhe një taksë vjetore në masën 21 mijë lekë, për makinat luksoze me cilindrate mbi 3000 cm3, me efekt rreth 349 milion lekë.
Masa të tjera, 2 mld lekë
Të ardhurat nga faktorë të tjerë vlerësohen rreth 2 miliard lekë, nga Ministria e Financave. Gjatë analizës së të ardhurave për vitin 2016, u mbajtën në konsideratë disa faktorë të cilët ndikuan edhe në performancën e të ardhurave të vitit 2015, të cilat ishin me efekt negativ në të ardhura vetëm për vitin 2015 dhe jo për vitin 2016.
Shpenzimet buxhetore më 2016 rrudhen me 1%
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2016 është planifikuar të arrijë 452.1 miliardë lekë me një reduktim 1 % në raport me Aktin Normativ 2015.
Shpenzimet e personelit – Për vitin 2016 reforma e administratës publike do të fokusohet në rritjen e vazhdueshme të eficenses së administratës qendrore, e cila do të arrihet nëpërmjet ristrukturimeve të institucioneve ekzistuese. Numri i punonjësve për vitin 2016 arrin në 81.350 punonjës, duke reflektuar transferimin e disa funksioneve nga qeverisja qendrore në atë vendore, sipas relacionit të projekt buxhetit.
Shpenzimet për interesa janë bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuar të normës së interesit. Për pasojë, shpenzimet për këtë zë parashikohen në nivelin 43 miliardë lekë ose 2.8 për qind të PBB, duke mbajtur të njëjtin nivel si përqindje ndaj PBB me AN 2015.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2016 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 38.7 miliardë lekë ose rreth 2.5% për qind të PBB-së.
Fondet për vendorët rriten me 18%
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2016 janë parashikuar në masën 47.5 miliardë lekë ose 3.1% e PBB-së. Në këtë zë është përllogaritur rritja e transfertës së pakushtëzuar për njësitë vendore, së bashku me Fondin e Zhvillimit te Rajoneve dhe financimin e funksioneve te reja qe transferohen ne qeverisjen vendore. Shpenzimet e buxhetit vendor janë 18% më të larta se ato të vitit 2015. Në këtë rritje të shpenzimeve krahas rritjes se financimeve nga buxheti, ndikon edhe rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore në masën 439 milionë lekë, krahasuar me AN 2015. Në buxhetin e vitit 2016, është bërë një formule e re për shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore, e cila siguron më shumë barazi, drejtësi dhe parashikueshmeri për qeverisjen vendore, sipas relacionit. Buxheti vendor i vitit 2016 është buxheti i fillimit të zbatimit të reformës së re administrativo-territoriale.
Mbrojtja sociale, 152 mld lekë
Në shpenzimet e fondeve speciale përfshihen shpenzimet totale për fondet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, të cilat kapin një vlerë prej 152.6 miliardë lekë. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2016, parashikohet në masën 113.3 miliardë lekë ose 7.4% e PBB, nga e cila për politikën e rritjes së pensioneve është parashikuar një fond prej 1.17 miliardë lekë. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2016 janë parashikuar në masën 36.2 miliardë lekë ose 2.4% e PBB. Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohet në total në masën prej 3 miliardë lekë ose 0.2% e PBB. Në shpenzime të tjera sociale përfshihen fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në të njëjtin nivel sikurse dhe vitet e kaluara, në masën 1 miliardë lekë. Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 20.5 miliardë lekë. Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB. Ndërsa fondi i parashikuar si kompensim për shtresat në nevojë në mbështetje të politikave në sektorin e energjisë, do të jetë respektivisht pjesë e buxhetit të ISSH dhe zërit buxhetor të “Ndihmës ekonomike”, pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Kjo, me qëllim reflektimin e politikës së lartpërmendur të iniciiuar në 2015, e cila tashmë do të vijojë t’u bashkangjitet përfitimeve të tjera sociale të shtresave në nevojë.
Subvencionet marrin 1.6 mld lekë
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.6 miliardë lekë, kryesisht për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe atë të ujësjellësve, subvencionimin e librit për një kategori të caktuar të nxënësve, veprimtarinë e shërbimeve qeveritare, etj. Njëkohësisht, qysh prej vitit 2015, në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në këtë zë, përfshihet edhe fondi në mbështetje të industrisë fasone. Niveli i fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe Kontigjencës për ruajtjen e deficitit për vitin 2016, parashikohet të jetë në masën 3 miliardë lekë, përkatësisht 1 miliardë lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 2 miliardë lekë fond kontigjence për ruajtjen e deficitit.
Investimet, “përkëdhelët” bujqësia
Për vitin 2016 investimet publike janë planifikuar në masën 5.1% e PBB ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 10.05 miliardë lekë, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 5 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2016 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Ashtu si në 2014 dhe 2015, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe mbartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim. Për planifikimin e investimeve janë ndjekur kriteret e mëposhtme.
Për vitin 2016 janë planifikuar 31.4 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 28.4 miliardë lekë financim i huaj, dhe ka një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj. Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Sipas burimit të financimit, vlerësohet se rreth 87% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja. Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 83,8% e planit të investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.
Projektbuxheti i vitit 2016 në sektorin e energjisë parashikon një financim total prej 2.3 miliardë lekë. Për shëndetësinë parashikon një financim total prej 2.3 miliardë lekë financim të brendshëm dhe të huaj. Për sektorin e bujqësisë parashikohet një financim në masën 5.2 miliardë lekë. Projekt buxheti i vitit 2016 për sektorin e arsimit dhe sporteve arrin në masën 3.5 miliardë lekë. Ky buxhet siguron vazhdimësinë e veprimtarisë dhe reformave të nisura në të gjithë komponentet e sistemit arsimor sipas nënndarjeve të mëposhtëm. Policia 2.2 mld lekë investime kultura 642 mln lekë.
Deficiti ulet në 2.2 % të PBB
Deficiti buxhetor për vitin 2016 parashikohet të ulet në nivelin 2.2% të PBB nga 4.1% e PBB që ishte planifikuar në Aktin Normativ 2015. Financimi i tij do të realizohet kryesisht nëpërmjet huamarrjes së brendshme me rreth 1.4% të PBB, krahasuar me atë të huaj në rreth 0.8% të PBB. Deficiti buxhetor pritet të ulet me 40 për qind. Këtë vit vendi kalon në suficit primar duke marrë një borxh të ri vetëm 34 miliardë lekë nga 58 miliardë lekë që janë planifikuar këtë vit.
Ministria e Financave sqaron se për vitin 2016 dhe në vijim, objektivi kryesor i Menaxhimit të Borxhit Publik është përmirësimi i strukturës dhe rritja e qëndrueshmërisë së borxhit të brendshëm duke synuar sigurimin e rifinacimit të borxhit dhe huamarrjes së re kryesisht nëpërmjet instrumenteve afatgjatë, në varësi edhe të zhvillimeve të tregut. Emetimi i Garancisë Pjesore të Bankës Botërore (PBG), si edhe rifinancimi i Eurobondit ekzistues gjatë vitit 2015 kanë rritur likuiditetin në buxhetin e Qeverisë dhe kanë ulur ndjeshëm presionin në tregun e brendshëm, duke i dhënë frymëmarrje burimeve të limituara të këtij tregu dhe duke krijuar kushtet e përshtatshme për përmirësimin e strukturës së borxhit të brendshëm. Në të njëjtën kohë, kjo praktikë ndikon në rritjen e stabilitetit të normave të interesit për periudhën në vijim si edhe në rritjen e kredibilitetit dhe riafirmimit të Republikës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, thuhet në relacion.
Menaxhimi i Borxhit,gjithashtu synon edhe ruajtjen e balancës midis kostos dhe riskut, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron tregu i brendshëm në momente të caktuara, nëpërmjet fleksibilitetit të kalendarit të emetimeve.
Përsa i përket mbajtësve të borxhit për vitin 2016, pritshmëritë janë pozitive në kuadër të diversifikimit të portofolit të borxhit. Gjatë vitit të ardhshëm pritet një rënie në stokun e borxhit të mbajtur nga bankat kryesore dhe një rishpërndarje e kësaj peshe tek institucionet e tjera jo bankare dhe tek individët.
Gjatë vitit 2016 pritet që të ketë një qëndrueshmëri ose një rritje të moderuar të normave të interesit për instrumentet financiare shtetërore, duke marrë në konsideratë nivelin më të ulët historik të normave të interesit aktuale , si edhe kufizimet e sistemit bankar për të mbajtur nivele të pranueshme ekspozimi ndaj borxhit sovran dhe për të ruajtur raporte të caktuara të likuiditetit. Nivel më të lartë rritje pritet që të ketë në segmentin e instrumenteve afatshkurtra (bonove të thesarit) si edhe në segmentin e instrumenteve me norma të lëvizshme, spread-i i të cilave është subjekt i ndryshimit në normat e bonove të thesarit 12 mujore. Gjithashtu, edhe huazimi në monedhë të huaj pritet që të shtrenjtohet, pasi parashikimet flasin për një rritje të mundshme të normës bazë të interesit nga ana e Rezervës Federale gjatë fundit të vitit 2015, e cila do të reflektohet në ri-çmimin e borxhit të jashtëm gjatë vitit 2016.
Për sa më sipër dhe për shkak të shtesës në stok, shërbimi i borxhit për interesa në terma nominale gjatë vitit të ardhshëm pritet që të jetë më i lartë krahasuar me vitin aktual. Lidhur me tregun e jashtëm, huamarrja e huaj do të bazohet në financimet e pritshme të projekteve ekzistuese, si edhe të projekteve të reja për të cilat Qeveria është angazhuar me kreditorët. Gjithashtu, financimi i huaj pritet të plotësohet nga mbështetja buxhetore në nivelin e 14 miliardë lekë, sipas marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Borxhi i pushtetit vendor pritet që të mos ketë emetime të reja.
Paketa fiskale shton barrën e taksave me 10 milionë dollarë
Paketa Fiskale e vitit 2016 parashikon disa ndryshime në sistemin e taksimit, me efekt në të ardhura rreth 1.4 miliardë lekë
Birra
Ndryshon niveli i akcizës së birrës, nga 360 lekë/HL/shkallë alkoolometrike për prodhim vjetor nën 200 mijë hl dhe 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike, në 400 lekë/HL/shkallë alkoolometrike për prodhim vjetor nën 200 mijë hl dhe 600 lekë/HL/shkallë alkoolometrike.
Ministria e Financave renditi këto arsye për këto ndryshime. Së pari niveli aktual i akcizës është sipas nenit 4 të direktivës së BE-së, si dhe në mbrojtjen e prodhimit vendas. Diferenca midis pragjeve është sa ½. Deklarimi i ulët i nivelit të prodhimit më pak se 200 mijë hl, për të paguar normë të ulët të akcizës. Efektet në buxhet llogariten 17 milion lek.
Cigaret
Akciza e cigares dhe duhanit nuk rritet në vitin 2016 sic ishte parashikuar në ligj, nga 1 janar 2016, cigaret 6 000 lekë /1000 copë dhe duhani 5 100 lekë/kg. Për arsye se rritja e nivelit të akcizës ka ndikuar në rënien e sasive të importuara dhe diferencat e nivelit të akcizës me vendet fqinje. Niveli i akcizës për cigaret në vendin tonë është më i lartë se në vendet fqinje, gjë e cila favorizon kushtet për kontrabandë apo blerje të vogla nga këto vende argumenton Ministria e Financave. Efektet në të ardhura llogariten plus700 milion lekë. Lidhur me llogaritjen e efekteve të mos-rritjes së akcizës së cigareve për vitin 2016, analiza është bërë si vijon. Për vitin 2015, pritshmëria e importeve të cigareve është prej rreth 2,600 ton cigare. Në rast se akciza e cigares do të vazhdojë rritje edhe për vitin 2016, të ardhura shtesë nga akciza e rritur, me të njëjtin nivel importi prej 2,600 ton cigare sikurse 2015, do të sjellë rreth 14,7 miliard lekë, nga 13,4 miliard lekë që priten të mblidhen për vitin 2015. Pra diferenca është pozitive prej 1,2 miliard lekë. Mirëpo, rritja e nivelit të akcizës sjell uljen e importeve të cigareve për arsye të elasticitetit të rritjes së çmimit të cigareve, sikurse ndodhi në vitin 2015. Në parashikimin e të ardhurave për vitn 2016, janë vlerësuar rreth 3000 ton importe cigare, të cilat me normën aktuale të akcizës do të japin rreth 15,5 miliard lekë. Pra, bazuar në këto vlerësime, efekti i mosrritjes së akcizës së cigareve vlerësohet rreth 743 milion lekë.
Ndryshojnë disa taksa nacionale
Taksa mbi primet e shkruara rritet nga 3% në 10%. Arsyet lidhen me faktin se TVSH e përjashtuar, për primet për vitin 2015 vlerësohet të jetë 1.3 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga primi vlerësohen të jenë 220 milionë lekë për vitin 2015. Diferenca e krijuar nga ulja e TVSH nuk u reflektua tek çmimet e konsumatorit pra ka shkuar tek kompanitë e sigurimit. Në këto kushte, propozohet që të rritet masa e taksës së primit nga 3% në 10%, për të ruajtur nivelin e të ardhurave nga heqja e TVSH-së. Efekti pozitiv pritet 700 milionë lekë
Ndërsa renta minerare për mineralet jometalike do të vihet në bazë të sasisë, jo vlerës. Efekti i pritshëm është 400 milion lekë më shumë.
Rriten taksat për makinat luksoze
Taksohen më shumë makinat luksoze, që konsiderohen si mall luksi. Kjo masë sipas Ministrisë së Financave taton individin e pasur që ka në pronësi një makinë me cilindratë mbi 3000 cm3. Taksa e regjistrimit të makinave luksoze dhe taksa vjetore makinave luksoze, do të jenë, respektivisht, 70 mijë lek për regjistrimin dhe 21 mijë lek. Efekti pritet të jetë 400 milion lekë më shumë.
Rriten taksat e Pushtetit vendor
Niveli i taksës së fjetjes në hotel të bëhet 140 lekë (1 euro). Taksa aktuale si përqindje ndaj çmimit të fjetjes shihej si një incentivë për të nëndeklaruar çmimin. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit mbi daljen e 3,672,591 shtetas të huaj nga Shqipëria për vitin 2014 dhe duke supozuar se kanë qëndruar vetëm një natë në hotel, efekti teorik në të ardhura është rreth 510 milionë lekë nga rreth 85 milionë lekë që mblidhen nga kjo taksë.
Vendosja e taksës së pasurisë mbi truallin në masën 5600 lek/ ha, 4200 lek/ha, 2800 lekë/ ha dhe 1400 lekë/ha sipas 4 kategorizimeve të rretheve. Arsyeja lidhet me faktin se, trualli është pasuri e paluajtshme njësoj si ndërtesa dhe toka bujqësore. Të ardhurat janë 180 milionë lekë bazuar në llogaritjen e 50 mijë ha truall.
Hiqet tatimi i thjeshtuar mb biznesin e vogël
Është përcaktuar një politike e re e taksimit të biznesit të vogël në vend. Propozohet që tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 5 milione lek të kenë tatim të thjeshtuar të fitimit të biznesit të vogël zero lek nga 25000 lekë në vit që është për tatimpaguesit me qarkullimin nga 20 deri në 2 milion lek dhe 7,5% që është për tatimpaguesit me qarkullim nga 2 deri në 5 milion lekë. Ndërsa tatimpaguesit me qarkullim nga 5 deri në 8 milion lekë të kenë normën e tatimit prej 5 për qind të fitimit neto nga 7,5% që është aktualisht. Lehtësimi i barrës tatimore të rreth 72,700 tatimpaguesve në vend, nga të cilët për 70,638 tatimpagues bëhet zero niveli i taksës, ndërsa për 2,332 të tjerë ulet norma e taksës me 33%. Efekti në buxhetin 2016 do të jetë 1,3 miliard lekë më pak.
Rriten kontributet për profesionet e lira
Qeveria do të rrisë bazën e kontributeve për profesionet e lira. Aktualisht profesionistët e lirë paguajnë kontribute si një i vetëpunësuar, por statusi ekonomik i tyre sipas ministrisë së Financave nuk mund të barazohet me të vetëpunësuarit e tjerë. Pagesa e kontributeve do të bëhet në bazë të pagës maksimale në shkallë vendi, për efekt të kontributeve. Efekti pozitiv në buxhet pritet të jetë 1,1 miliard lekë.
MONITOR