Prej mëse një jave një mision i FMN-së po zhvillon diskutime me autoritetet shqiptare. Misioni ka mbërritur në një moment mjaft të nxehtë, kur po përgatitet projektbuxheti i vitit 2016, ndërsa po diskutohet dhe paketa e re fiskale, që fillimisht propozonte disa ndryshime të vogla të taksave, kryesisht në akcizën e birrës dhe verës, taksën e pronës, të siguracionit të makinave etj.
Por, mësohet se diskutimet këtë herë janë mjaft të vështira. FMN, e pakënaqur me performancën fiskale, edhe pas përpjekjeve të mëdha për të luftuar informalitetin, ngul këmbë që të garantohet rritja e të ardhurave, edhe nëse kjo do të thotë rritje të mëtejshme taksash.
Kjo nuk pranohet në asnjë mënyrë nga autoritetet shqiptare, të cilat janë të vetëdijshëm që një rritje tjetër taksash do të kishte kosto shumë të lartë politike, ndërkohë që sinjalet janë që dhe aleati LSI nuk do të miratonte në Kuvend një tjetër rritje taksash, teksa kreu i kësaj partie është shprehur edhe publikisht që duhet të jemi të kujdesshëm me presionin tatimor.
Kjo ka bërë që autoritet shqiptare të marrin në konsideratë deri në ndërprerjen e marrëdhënieve me FMN-në, megjithëse një vendim i tillë do të përkeqësonte ndjeshëm imazhin e Shqipërisë në botë.
Gjatë vizitës së qershorit Misioni nuk e nënshkroi rishikimin e pestë të marrëveshjes për shkak se, deficiti i krijuar në të ardhurat buxhetore kishte shënuar mbi 11 miliardë lekë në 5 muajt e parë të vitit dhe Fondi nuk është bindur me argumentet që qeveria ka dhënë për këtë mosrealizim, për rrjedhojë është bllokuar edhe kësti i radhës prej 26 milionë eurosh.
Megjithatë, marrja e pritshme e eurobondit prej 450 milionë eurosh pritet të lehtësojë disi presionin për fonde të qeverisë shqiptare.
Paketa fiskale e bërë publike më parë nga qeveria pritet gjithsesi të ketë rishikime të mëdha, pas diskutimve me Fondin.
Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Shqipëri deri në 10 nëntor, dhe para largimit pritet të japë një deklaratë për shtyp.
MONITOR