Nga Mero Baze
Pashë sot Ervin Salianjin që ishte munduar të mblidhte një tryezë debati, rreth rregullave të qarta që duhet të vendosin partitë për zgjedhjet e tyre të brendshme për të mbajtur në këmbë legjitimitetin e të zgjedhurve dhe imponimin e demokracisë si mënyrë funksionimi. Është një kërkesë që përsëritet prej 35 vitesh në jetën politike në Shqipëri dhe është e injoruar për shkak të panevojës për t’u përdorur. I vetmi rast kur PD shkoi në gjykatë për mungesë rregullash ishte pas përplasjes Berisha–Basha, përplasje e cila nga ana ligjore zbuloi se partia nuk kishte respektuar asnjë procedurë formale depozitimi të të zgjedhurve në vite në parti, përfshirë dhe kryetarin.
Debati që kërkon të hapë Salianji fatkeqësisht nuk është më në dorë të tij, por në dorë të atyre që e kanë shkaktuar këtë paligjshmëri juridike në funksionimin e partive politike. Më thjeshtë, brenda PD është në dorë të atyre që janë me Berishën dhe atyre që janë dorëzuar tek Berisha.
Por edhe këtu ka një diferencë që duhet bërë.
Për të kuptuar se çfarë i ka bërë Berisha PD, mos sulmoni ata që e kanë idhull Berishën apo ata që janë në krye të PD si bodyguardë të tij. Ata janë pjesa më e “ndershme” e PD-së së Berishës, pasi ata përveçse janë të bindur që vlera e tyre e vetme është të jenë besnikë të Berishës, nuk është se dinë të bëjnë ndonjë gjë tjetër në jetë. E gjithë jeta e tyre vërtitet rreth idhullit të tyre.
Problem në PD tani nuk janë budallenjtë, por ata që mbahen për intelektualë jokonformistë dhe që kanë bërë beteja me Berishën në kohën e “shizmës së madhe” mes Berishës dhe Bashës. Pavarësisht si u ndanë palët, ajo betejë tregoi se Berisha nuk është për të gjithë një idhull, por është një njeri i prekshëm, i kundërshtueshëm, madje dhe i vdekshëm si gjithë të tjerët. Shumë prej tyre kanë qenë ekstremisht agresivë me të, aq sa mund të më dhimbsej dhe mua.
Tani të gjithë këta po përpiqen t’i duken Berishës të dobishëm si njerëz që mund ta mbrojnë atë nga armiqtë e jashtëm, kupto këtu amerikanë, gjermanë, anglezë etj., duke i çuar herë pas here dikë që vjen në Tiranë për ta vizituar dhe plakun e burgosur në SHQUP, dhe akoma më keq po heshtin të gjithë për Salianjin. Disa muaj më parë ata kanë qenë të patolerueshëm në mbushjen e sallës së gjykatës ku bëhej një gjyq ndaj Salianjit, për t’i treguar atij solidaritet në ditë të vështira dhe duke demonstruar presion mbi gjykatën, çka nuk është normale dhe as e dobishme për vetë Salianjin. Vlen vetëm për solidaritet njerëzor.
Tani që Salianji po ngre një çështje që ka të bëjë jo vetëm me të, por edhe me të ardhmen e tyre nesër në PD pasi Berisha ta rimarrë mandatin, ata janë të gjithë me Berishën dhe s’ka asnjë zë pro Salianjit. Madje marrëzia mund të shkojë deri aty sa të legjitimojnë edhe ligjërisht deklaratën e Flamur Nokës që: “Salianji është vetëpërjashtuar”.
Në fakt e vetmja mënyrë që ata të mos i përkulen Berishës 90 gradë është të mbështesin një proces ligjor të qartë që përcakton rregullat në zgjedhjen e kryetarit, nëse nuk duan që t’u ikë gjithë jeta duke u justifikuar se do t’i shërbejmë Berishës që të na fusë në lista. Kjo heshtje e tyre ndaj një beteje legjitime për PD në fakt zbulon mungesën e çdo parimi edhe për betejat e tyre të mëparshme. Apo më mirë të themi: zbulon çmimin me të cilin ata dorëzojnë kokën në tepsinë e Berishës.
Por përveç tij nuk i duhet askujt tjetër. Ndaj s’ka nevojë t’i lënë vetes këtë turp. Problemi i PD janë ata, jo Flamur Noka apo sëra e tij. Ata janë idiotët e dobishëm të Berishës që ndoshta mund t’i mbajnë atij nesër edhe uturakun, kurse këta “të zgjuarit” e dobishëm të tij thjesht vlejnë për të maskuar erën e keqe të uturakut.











