Me pasaportën në xhep sot çdo turist i huaj mund të vizitojë Shqipërinë, por në kohën e regjimit komunist kjo nuk mjaftonte.
Turistët priteshin në pikat kufitare nga berberë dhe rrobaqepës, që ua ndalonin hyrjen atyre që kishin pamje që regjimi i cilësonte ‘shfaqje të huaja’. Flokët e gjatë apo veshjet e papërshtatshme nuk lejoheshin. Më pas niste mbikëqyrja dhe përgjimi.
Me këtë bum turistik që po përjeton Shqipëria prej një viti, dy pedagoge dhe eksperte të këtij sektori kanë hapur një ekspozitë-muze “Turistë të përgjuar”, që qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e huaj të njihen me turizmin në Shqipërinë komuniste.
Pushime nën vëzhgim gjatë komunizmit
Brunilda Liçaj, pedagoge në degën e Turizmit në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, thotë se gjatë punës, ka gjetur goxha informacion për turizmin ndërkombëtar në periudha të ndryshme, porse përshtypje i ka bërë fakti që për turizmin vendas në kohën e komunizmit kishte shumë pak informacion.
Ndër qindra dokumentet që arriti të siguronte në Arkivin e Shtetit dhe në Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kuptoi se përgjimi i turistëve të huaj, është një histori për të cilën dihet pak ose aspak.
Për këtë arsye, para tre vjetësh ajo hapi një ekspozitë të veçantë brenda muzeut “Shtëpia me gjethe” në Tiranë, që ka qenë qendra e hetuesisë gjatë regjimit komunist.
Më pas e organizoi edhe në disa qytete të vendit, por duke parë interesimin e lartë për të, së bashku me kolegen e saj, Arjana Isaku, gjetën mundësinë ta rikthejnë tashmë në një mënyrë tjetër. Për to është e rëndësishme që e kaluara të mos harrohet dhe qytetarët shqiptarë e turistë të huaj, ta njohin edhe këtë pjesë që lidhet me vizitorët e huaj.
Kur nisi turizmi në Shqipëri?
Liçaj tregon se turizmi nga të huajt ka nisur që nga viti 1956, vit kur Shqipërinë e vizituan rreth 250 turistë.
“Ndërsa në vitet ‘90 kemi mbërritur në 15 mijë turistë. Në vitet e fundit, ka të dhëna se përdoreshin për të tërhequr valutën e huaj. Kjo ishte arsye pse u shtua numri i autobusëve të ndërmarrjes shtetërore ‘Albturist’, dhe në një farë mënyrë pati një lloj liberalizimi të vizave, jepeshin më lehtë”, thekson ajo duke treguar se vite më parë në Gjermani takoi drejtorin e muzeut teknik të Berlinit, i cili kishte qenë për 20 vjet ciceron në Shqipëri, që shoqëronte grupet gjermane.
“Ai më tha se kishte grupe turistësh që edhe darkën e ndërrimit të viteve e kalonin në hotel ‘Adriatik’ në Durrës, ku konsumonin mish thëllëze apo fazani, pije si konjak etj. Kujtojmë që në atë kohë qytetarët vuanin për bukë dhe ushqime, që jepeshin me tollona [në bazë të anëtarëve të familjes caktohej sasia e ushqimeve] e madje zinin radhën që herët në mëngjes, pasi rrezikonin të mbeteshin pa to”, tregon Liçaj për Radio Evropa e Lirë.
Ajo shton se ky kontrast e nxiti të kërkonte më shumë informacion në institucionet shqiptare dhe disa prej dokumenteve t’i ekspozonte.
Berberë dhe rrobaqepës prisnin turistët e huaj
Dy pedagoget tregojnë se në pikat kufitare, në kohën e komunizmit, turistët e huaj i prisnin berberë dhe rrobaqepës. Pos kontrollit të dokumentacionit, ata u nënshtroheshin kontrolleve të rrepta mbi dukjen, që ‘shfaqjet e huaja’ të mos hynin në Shqipëri.
“Turistët priteshin nga berberë dhe rrobaqepës. Nëse burrat i kishin flokët e gjata, që në vend konsiderohej ‘shfaqje e huaj’, duhet të kalonin te berberi dhe të qetheshin. Nëse mbanin veshur pantallona ‘kauboj’, duhet të kalonin te rrobaqepësi dhe t’i ngushtonin. Nëse vajzat kishin veshur minifunde, ato detyroheshin të vishnin edhe pantallona poshtë tyre, apo të blinin rroba në dyqanet e saj kohe”, thotë Arjana Isaku për Radio Evropa e Lirë.
Por, nuk mbaronte me kaq. Ndër tjerash turistët ishin të detyruar të ishin të shoqëruar nga staf shqiptar gjatë pushimeve. Atyre u ndalohej të fotografonin apo të filmonin pranë zonave të veçanta, të përcaktuara në rregullore.
Brunilda Liçaj thotë se grupet e turistëve informoheshin paraprakisht se çfarë nuk lejohej në Shqipëri, por kishte edhe nga ata që i thyenin rregullat.
“Ka pasur raste që janë sekuestruar kamera. Është rasti i një austriaku që kishte filmuar aty ku nuk lejohej, dhe ka bërë padi ndërkombëtare për shtetin shqiptar. Një rast tjetër, një suedezi nuk i është lejuar të kalojë në kufi, sepse mbante Biblën me vete”, thotë Liçaj.
Ajo tregon se ka pasur mjaft raste që Shqipëria ka refuzuar kërkesat për viza turistike nga SHBA-ja apo nga Johanesburgu, sepse mendohej se mund të vinin persona të lidhur me ish-mbretin Zog, familja e të cilit jetonte atje dhe kishte dyshime se mund të përpiqeshin të merrnin pushtetin.
Edhe kosovarët nën përgjim, Shqipërinë e vizituan dhe të famshëm
Liçaj thotë se jo të gjithë përgjoheshin. Bazuar në dokumente, në mesin e 350 turistëve që hynë në Shqipëri në vitin 1979, kishte edhe kosovarë, 30 prej të cilëve u vunë nën vëzhgim.
Kosovarët, që vinin kryesisht nga Prizreni dhe Prishtina, tregon Liçaj, vëzhgoheshin nga Sigurimi i Shtetit që të mos takonin të afërm që vinin nga familje që kishin pjesëtarë të tyre të arratisur.
“Ka dyshime se edhe figura të njohura publike si Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, apo familja e Donika Gërvallës janë vëzhguar. E kam kërkuar këtë informacion pranë Autoritetit të Dosjeve, por ende nuk kam marrë përgjigje”, thotë ajo duke treguar se ka kontaktuar me shkrimtarin Rexhep Qosja, por ai nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.
Që një turist i huaj të vinte në Shqipëri duhet t’i drejtohej me një kërkesë agjencisë Albturist, e cila edhe mund të refuzohej kur kishte dyshime. Por, duke u bazuar në të dhënat e ambasadave shqiptare në këto vende, ose atyre nga Shërbimi Informativ, një pjesë e mirë e turistëve vendoseshin nën mbikëqyrje.
Sipas gjetjeve, thotë Isaku, një pjesë e punonjësve të Albturist, ishin punonjës ose bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe kishin për detyrë t’i vëzhgojnë turistët e huaj.
“Ne kemi në ekspozitë një audio-regjistrues, ku ruheshin bisedat e përgjuara. Përgjues të vegjël apo siç quheshin ‘çimka’ që vendoseshin në dhomat e hoteleve, në tavllat e duhanit, apo pipat e duhanit”, sqaron ajo.
Shqipëria qëmoti kishte tërhequr për ta vizituar edhe njerëz të famshëm të kohës, sikurse aktori Bud Spencer, por edhe gazetarë.
“Rreth viteve ‘80, [Spencer] ka qëndruar në hotel ‘Adriatik’. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse filmat e tij transmetoheshin aq shpesh në komunizëm. Por, edhe gazetarë apo guida turistësh e kanë vizituar Shqipërinë, madje një prej tyre ka bërë një nga guidat më të mira për Shqipërinë, e para në gjuhën angleze”, tregon bashkëbiseduesja për REL-in, Liçaj duke theksuar faktin se në atë kohë i është kushtuar rëndësi marketingut.
“Guidat bëheshin në shtatë gjuhë të botës, ka pasur kontrolle të rrepta të redaktimit gjuhësor. Cilësia e letrës ishte shumë e mirë. Ka pasur kartolina, harta, ishte hartuar libri i turistit, etj.”, thotë ajo.
Shumë prej tyre, shprehet Liçaj, nuk gjenden më sepse janë blerë në ebay nga ata që kanë vizituar dikur Shqipërinë.
Dy epoka të ndërthurura në një shtëpi
Rrugëtimi i projektit të dy zonjave për turizmin në kohën e komunizmit, Isaku dhe Liçaj, një kohë mbeti pezull. Por, pasioni dhe dëshira për ta kthyer në një atraksion turistik, i shtyu ato ta hapnin këtë ekspozitë në qytetin e Durrësit.
“…Donim që të kaluarën komuniste ta vinim në shërbim të turizmit edhe në Durrës”.
Pasi hulumtuan zonën, ato gjetën një shtëpi të vjetër durrsake ku jeton një çift në moshë i familjes Mima. Në oborrin e saj gjendet edhe një vendstrehim nga bombat dhe ato menduan se ky ishte një element tjetër që do ta bënte më interesante ekspozitën.
Isaku shpjegon se shtëpia ka një lidhje me disa atraksione të tjera në qytetin bregdetar si me mozaikun “Bukuroshja e Durrësit” i shekullit të 4-3 para erës së re, me banjat romake etj.
“Ekspozita përfshin një dhomë që ka objekte të asaj periudhe, të cilat thuajse çdo shqiptar i kishte njësoj nëpër shtëpi: karriget, bufetë, tavolinat, qelqurinat. Raftet me vepra të diktatorit Enver Hoxha. Mulliri i kafesë… Shishja e qumështit, me të cilën prindërit tanë ngriheshin herët për të zënë radhën”, rrëfen ajo.
Duke folur për ekspozitën, Isaku tregon se interesimi i turistëve të huaj për ta vizituar atë është i lartë, e sidomos i atyre polakë:
“Gjejnë ngjashmëri te punimet artistike në enët prej qelqi, por edhe te radha për të marrë ushqime. Por, thonë se komunizmi ka qenë më i egër në Shqipëri. Vizitorët shqiptarë që vijnë sjellin objekte të asaj kohe pasi e shohin se këtu marrin vlerën e duhur”.
E kaluara me vendstrehimin, dhomën tipike shqiptare dhe ekspozitën për turistët e huaj, të përgjuar – ndërthuret me të tashmen.
Turistët priten me karamelet “Zana” që kanë qenë thuajse të vetmet të prodhuara në vend nën regjimin komunist. Arjana Isaku dhe Brunilda Liçaj kanë arritur t’i gjejnë me shijen origjinale në një punishte në Shkodër.
Më pas, turistët pasi njihen me regjimin komunist, mund të shijojnë produktet shqiptare të përgatitura nga çifti Mima. Ata kultivojnë në kopshtin e tyre fruta dhe perime të stinës, si dhe bëjnë gliko me të cilat presin e përcjellin turistët e huaj, tashmë jo të përgjuar.
Ekspozita “Turistë të përgjuar” që u hap në korrik, do të presë vizitorë për katër muaj. Arjana Isaku dhe Brunilda Liçaj dëshirojnë që ta vazhdojnë rrugëtimin e ekspozitës në të tjera qytete, por për ta realizuar këtë presin mbështetje financiare.
REL