Vishet akoma me më shumë mister pretendimi dhe zhdukja e mundshme e 100 mijë eurove të viktimës 32 vjeçare Bujana Bushi e cila humbi jetën në një aksident rrugor më 30 Korrik. Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, Andoni Taçi, bashkëshortja e biznesmenit Kosta Taçi i cili mbeti i plagosur rëndë në aksident shprehet se e njihte prej vitesh viktimën dhe se nuk ka mundësi që ajo në çantë të kishte 100 mijë euro.
Teksa ndodhej pranë të shoqit në spitalin rajonal të Durrësit, Andonia tha se nuk është aspak e vërtetë se viktima, e cila ishte e punësuar si ekonomiste në biznesin e familjes, të ketë pasur 100 mijë euro me vete.
“Bujanën e njihja prej trekatër vjetësh. Të besosh se ditën që ajo u aksidentua me vdekje kishte me vete në çantë 100 mijë euro është tmerr. Kjo për faktin se ajo nuk kishte ku të gjente kaq shumë para”. shprehet ajo
Andoni Taçi tregoi me detaje se si e mori lajmin për aksidentin, ndërsa sqaroi se ishte në dijeni të faktit se burri i saj po udhëtonte për në Vlorë bashkë me Bujana Bushin për të mbyllur bilancin e dyqanit të tyre, pasi atë ditë ishte afati i fundit. Gjithashtu, 48 vjeçarja hodhi poshtë të gjitha akuzat e familjarëve të viktimës.









