Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si të pabazuar dhe ripërsëritje të shpifjeve të propagandës ultranacionaliste serbe.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha tha se gjatë ndjekjes së procesit gjyqësor shumëvjeçar nuk është paraqitur asnjë provë konkrete që të vërtetojë fajësinë e të akuzuarve.
“Prokuroria speciale e Gjykatës së Kosovës në Hagë paraqiti akuzat më të rënda dhe kërkoi vite burg për më shumë dekada, rreth dy shekuj të marrë së bashku, për udhëheqësit më kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës. Duke qenë i bindur se drejtësia duhet të japë verdiktin e saj për çdo krim dhe ndaj cilitdo që e ka kryer atë, dhe pasi kam ndjekur me vëmendje procesin shumëvjeçar të gjykimit, dhe kam konstatuar se para publikut nuk është paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument që të provojë krime konkrete të kryera nga të akuzuarit”, u shpreh Berisha.
Duke përmendur veçanërisht akuzat e ngritura ndër vite për trafikim organesh, Berisha i cilësoi ato si trillime të fabrikuara nga ish-prokurori serb Vukçeviç.
“Deklaroj se: akuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK, ish-aleat të NATO-s në luftën për çlirimin e Kosovës, është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë dhe trillimeve të famziut Vukçeviç, që formuloi i pari ndaj tyre akuzën monstruoze të “shkuljes së organeve” nga serbët, robër lufte, dhe trafikimin e tyre, madje në territorin e Shqipërisë”, vijon kreu demokrat.
Sipas tij, ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë qenë aleatë të NATO-s në luftën për çlirimin e Kosovës dhe akuzat e ngritura ndaj tyre tejkalojnë çdo kufi dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare.
Berisha i bëri thirrje Gjykatës Speciale që të mos ndikohet nga akuzat propagandistike dhe të konfirmojë pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës në emër të ligjit.
“Me këtë rast, i bëj thirrje Gjykatës që në vendimet e saj të mos ndikohet në akuzat propagandistike që tejkalojnë çdo kufi dhe janë të pashembullta në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe të konfirmojë në emër të ligjit pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës”, deklaroi Berisha.











