Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*
Nga Armando Meta & Javanews.al/
Vetëm dy kilometra larg Ersekës ndodhet Rehova. Fshati me shumë kisha në rrëzë të malit të Gramozit. Fshati është krejt ndryshe nga Erseka, me një rregullsi urbanistike që të mahnit. Mund të quhet me plot gojë edhe fshati i gurtë. Ndërtimet nuk janë më shumë se tri kate dhe çdo banesë ruan elementin e gurit. Nuk sheh gjëkundi suva dhe tulla, karakteristikë e modernizmit urban. Syrit nuk i shpëtojnë edhe trotuaret e ngushta, po të ndërtuara me kalldrëm, madje kjo hollësi është ruajtur edhe në rrugën hyrëse të fshatit, e cila, pavarësisht se është shtruar me asfalt, në dy anët e saj kufizohet nga trotuarë kalldrëmi.
Rehova ia ka hapur prej shumë pak vitesh dyert turizmit; ky është viti i katërt. Nuk është një fshat si ata që kanë marrë famë përmes investimeve, por për veçantitë që ka. Fshati i pret turistët si miqtë e shtëpisë, 7 shtëpi janë kthyer tashmë në mikpritëse. Në verë, të huajt vijnë çdo fundjavë.
I pari që ka hapur shtëpinë, ishte Koço Thomollari, të cilit iu kërkua nga disa të njohur të priste turistë nga Franca. Në fillim, madje, ai nuk donte. Koçon e gjejmë në qendër të fshatit, një burrë që nuk e ka të vështirë të përfshihet në bisedë e të nisë të tregojë.
“Më kontaktoi një miku im pasi donte të sillte 4 turistë francezë. Nuk doja t’i pranoja, por pas këmbënguljes, u dorëzova. I prita si njerëzit e shtëpisë dhe nga ai moment di të them se në fshat nisën të vijnë turistë njëri pas tjetrit. Tani pres 6 turistë në natë dhe, si unë, janë edhe 7 familje të tjera që presin turistë”- rrëfen ai.
Brenda pak kohësh fshati nisi të gëlojë nga larmia e vizitorëve të huaj, jo vetëm nga Franca.
“Turistët kërkojnë kushtet normale të një banesë, aspak luks, janë të kulturuar dhe na respektojnë. Momentet më të veçanta janë ato të vakteve. Pasi bashkëshortja u shtron tryezën, ata nuk pranojnë të nisin të hanë nëse edhe ne nuk ulemi me ta. Ky u kthye në zakon në të gjithë fshatin. Gatimet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht u gatuajmë bamjet me mish në furrë, pasi në Francë bamja nuk njihet fare. Në fillim e shohin si me çudi dhe më pas përfundojnë duke thënë fjalët më të mira. Me ta ndihemi vëtet mirë, janë të edukuar dhe krijojnë lehtësisht një atmosferë familjare”, tregon ai duke qeshur.
Teksa biseda merr rrjedhë, dielli nis të bëhet përvëlues dhe ne ulemi në shkallët e gurta të kishës. “Turistët rikthehen sidomos edhe për alpinizmin në malin e Gramozit. Shpesh madje thonë se kur ngjiten lart, pjesa shqiptare u duket më e bukur se ajo greke, sepse natyra dhe gjelbërimi dominojnë në çdo stinë. Mbërrijnë zakonisht në drekë dhe deri në mbrëmje shfrytëzojnë kohën për të vizituar fshatin ndërsa të nesërmen në mëngjes nisen drejt majës së malit. Ka raste kur vetë ndonjë nga djemtë e fshatit u bën guidën dhe i shoqëron deri lart duke u kthyer në udhërrëfyesin më të mirë pasi askush nuk e njeh më mirë zonën se vendalinjtë”.
Pas një rruge tejet të ngushtë që të çon në zemër të fshatit, hapet një pamje që të përfshin dhe të bën të ecësh në mënyrë të pavetëdijshme. Pasi ke përshkruar rrugët e kalldrëmta gjendesh në qendër, një shesh jo shumë i madh, por që mban në mes një kishë madhështore. Eshtë kisha e Shën Kollit, e cila daton në vitin 1910, vendi ku çdo banor i Rehovës nis ditën e diel. Një ritual shekullor që i paraprin punëve të fundjavës për banorët.
Pavarësisht bukurisë, fshati nuk i ka shpëtuar braktisjes nga të rinjtë, të cilët prej vitesh kanë gjetur si zgjidhje emgracionin. Gjithsesi, është ndër të pakta fshatra që asnjëherë nuk braktiset dhe ku brezat rikthehen.
Rehovarët njihen si ustallarë të mirë dhe ndërtuan prej kohësh një “nam“ të mirë për veten në kurbet. Por edhe sollën me vete kulturën e vendeve të huaja. Gurëpunuesit e morën famën shpejt dhe, prej asaj kohe, të gjithë burrat vazhduan të punonin në ndërtim. Edhe sot banorët tregojnë se djemtë e fshatit në emigracion punojnë vetëm në ndërtim. Këtë profesion e kanë në gjak. Fshati, që sot është një ndër më të bukurit në Shqipëri ka ruajtur çdo hollësi të jetës me fanatizëm; askush nuk mund të blejë shtëpi apo tokë në Rehovë. Jo se nuk ka, por ngaqë banorët nuk e lejojnë shitjen.
*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.