Serbia nuk ka kërkuar kurrë ndjesë për luftërat në Ballkan gjatë gjithë viteve ‘90, megjithatë ka bërë një premtim se nuk do të luftojë më kurrë. Është presidenti serb, Tomislav Nikoliç, ai që thotë se vendi i tij nuk do t’i hyjë një gare armatimesh me Kroacinë.
“Nuk është e nevojshme të armatosemi, sepse Serbia kurrë më nuk do të luftojë, por do të negociojmë vazhdimisht”. Pasi ka bërë këtë premtim në televizionin serb Pink, Nikoliç thotë se edhe Kroacia nuk duhet të jetojë me të shkuarën.
“Kroacia megjithatë nuk mund të kthehet në të kaluarën dhe është e pamundur që të sillet si NDH-ja (Shteti i Pavarur i Kroacisë) e dikurshme. Është e drejta jonë që të kemi lidhje speciale me Republikën Serbe (Republika Srpska në Bosnjë Hercegovinë) dhe të njëjtin raport e kam edhe ndaj Kosovës e Metohisë”, ka sqaruar Nikoliç dhe ka bërë me dije se Asociacioni i Komunave serbe është një prej propozimeve të tij të para për Kosovën.
Nikoliç ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel, Vuçiç “do të ngrejë çështjen e gjykimit të Oliver Ivanoviçit, ndërsa shqiptarët do të insistojnë në kontrollimin e fluturimeve”.









