• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, January 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Presidenti, Porta ku herët a vonë do të trokitet edhe nga kush e goditi me gurë

by Lorenc Vangjeli
29/04/2017 14:40
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Lorenc Vangjeli

Për fat të keq nuk ndodhi as kështu dhe as në ndonjë formë tjetër! Një grup prej pesë a gjashtë deputetësh të Partisë Demokratike që kanë bojkotuar prej më shumë se dy muajsh Kuvendin, të premten mbasdite shkonin në seancën që do të zgjidhte Presidentin e ri të Republikës. Shënonin emrin në listën e prezencës. Merrnin fletën e votimit kur ju vinte rradha. Shënonin “Jo”, nën emrin e kandidatit të maxhorancës. Dhe e hidhnin në kutinë e votimit. Rezultati i përgjithshëm i votave kundër do të shtohej, por demokracia, solemniteti i çastit dhe shërbesa e fundme me votë për këtë sesion ndaj vullnetit tashmë të largët të votuesit shqiptar të qershorit 2013-të, do të quhej i kryer. Jo vetëm formalisht. Por si një akt politik.

Edhe historia e re e Shqipërisë ka mjaftueshëm raste për të dëshmuar se vetëm e përkohshmja ëështë e përjetshme. Dhe se ky është thelbi i demokracisë që pushtetin e sheh si refleks dhe produkt të ndryshimit të humorit të publikut.. Dhjetë vjet më parë, në 2007-ën, edhe PS-ja e djeshme veproi si PD-ja e sotme. Edi Rama atëherë nuk lejoi partinë e tij të merrte pjesë në procesin e zgjedhjes së Bamir Topit, përjashtoi gjashtë deputetët e tij që votuan “pro” Bamir Topit, e konsideroi atë president ilegjitim, por më pas, për shkak të një karuseli të pabesueshëm ngjarjesh, raportesh politike, rrethanash dhe situatash, trokiti pikërisht në derën që e goditi me gurë. Sepse ajo nuk ishte dera e Topit, por ishte porta e institucionit. Shndërrimi nga individ në institucion, është i vështirë të kuptohet në Tiranë, sa kohë që të gjithë njohin të gjithë dhe sa kohë kodi i interesave të vogla të ditës, bën shkurtpamës pothuaj gjithkënd.

Ilir Meta u zgjodh President i Republikës në një klimë të dyzuar, që në mënyrë pothuaj tërësisht paradoksale, trazoi letrat përtej logjikës që do t’i shihte ato nga sipërfaqja e ngjarjeve. Zgjedhja habiti indiferentët që nuk e prisnin, preokupoi miqtë dhe ngazëlleu armiqtë.

Të parët, indiferentët, sepse shumë pak shenja konkrete ishin dhënë që votat e maxhorancës do të mblidheshin nën emrin e tij,

Të dytët, miqtë sepse duket sikur llogaritë e tyre vetjake të nesërme komplikohen nga mungesa e Metës në partinë e tij,

Dhe të tretët, kundërshtarët sepse ngjan se kanë larguar një rival të rëndësishëm nga ndeshjet e përditshme politike në vend.

Ky është rasti ideal për t’u dhënë nga pak të drejtë të gjithëve, por pa pasur të drejtë askush prej këtyre grupeve. Shtuar këtu edhe atë masë të madhe njerëzish të ngeshëm që fjalët i kanë gurë. Dhe argëtohen duke hedhur gurë në lumë. Me shpresë se herët a vonë do t’ja hapin vrimën e premtuar ujit. Një vrimë si produkt më pak i mjerë se raporti i tyre  dëshpërues mes ambicjes dhe arritjes.

Edhe indiferentët, edhe miqtë, edhe kundërshtarët, pa përjashtuar as të ngeshmit, kanë të drejtën e tyre të pjesshme, të gjykojnë sipas interesit, por duke rrezikuar të gabojnë kur nuk dallojnë dinamikat e të nesërmes. Kur nuk marrin parasysh situatën tërësisht atipike në të cilat Shqipëria po hyn në ndeshjen elektorale pa ndeshje. Kur në mënyrën më absurde të mundshme, preokupimi kryesor i maxhorancës është të tërheqë opozitën në zgjedhje dhe zgjidhja e vetme e opozitës duket se ka mbetur shpresa që zgjedhjet të mos prodhojnë zgjidhje.

Fjalët e para të Ilir Metës, tashmë jo të individit politik aspak të shenjtë në një ambient plot me mëkatarë, por ato të Presidentit të zgjedhur të Republikës, nuk ishin elegante, nuk patën shkëlqim feste apo brohori finishi. Në të kundërt ato demonstruan shajakun e ashpër të fundprillit shqiptar në dy momente kryesore. Në fillim, raportin mes pushtetit dhe demokracisë. Sipas Metës, President i zgjedhur, pari është mjet, i dyti është më shumë se qëllim. Dhe kjo mund të jetë padyshim kredoja e nesërme e presidentit të ri. Dhe më pas, individi që sapo po zhvishte një kostum për t’u shndërruar në diçka krejt tjetër, do t’i parapërgjigjej në të njëjtën kohë edhe indiferentëve, edhe miqve, edhe kundërshtarëve, edhe gurëhedhësve vriman’ujëbërës: “Nuk jam shumë i lumtur, por ndjehem i nderuar!”.

Nga e premtja, Meta e sheh veten në të vetmin “bunker” kushtetues për gjithë ditët e zymta që po parashikon opozita të prodhojë dhe që maxhoranca po tenton t’i shmangë me të gjitha mjetet. Në krizën e mundshme që po urohet të ndodhë nga një palë dhe që do të godasë të gjitha palët me delegjimitet, presidenca do të jetë porta ku herët a vonë të gjithë do të trrokasin. E para shkaku i krizës, opozita. Kryeministri Rama që sheh pak më larg, që dallon shumë më qartë dhe natyrisht di më shumë se të tjerët në këtë histori, e quajti Metën “më shumë të PD-së edhe sikur vetë PD-ja ta zgjidhte”. Ndonëse tingëllon si shaka, kryeministri tha gjysëm me të qeshur pikërisht atë që ai e beson më shumë si të vërtetën e Metës. Tha ekzaktësisht atë që i pëshpërisnin në vesh pothuaj të gjithë ata që i uronin nisjen e luftës mes dy partive të së majtës për të vendosur paqen e fitimtarit të vetëm qeverisës në Tiranë. Tha atë që ishte edhe ëndrra, edhe makthi i vetë PD-së (është Meta me ne???).

Për fat të keq, të premten opozita humbi një shans të rradhës së fundit. Të bëhej pjestare e një procesi që kur nisi kishte të bënte me individin Ilir Meta, por kur u votua, e shndërroi atë në institucionin e presidencës.

Basha bëri të njëjtën gjë që bëri gabim edhe vetë Rama dhjetë vjet më parë. I zhytyr në rrjedhën e detajeve të së përditshmes, nuk diti të ngrihet mbi thelbin politik në demokraci: vetëm e përkohshmja është e përhershme! Pavarësisht emrave të personazheve dhe kompetencave ligjore, por dhe morale të individëve.

Aksioni politik i opozitës tashmë ka marrë një trajektore të pakuptueshme vetëshkatërrimi e pothuaj të pakthyeshme dëshpërimi. Ai po shkon me vendosmërinë e të verbërit drejt greminës duke përgatitur një vetëhedhje në erë me stil kamikaz, me shpresën e vetme që të dëmtojë sa më shumë kundërshtarin. Opozita po dëshmohet si një palë që kërkon negociatë, por të vetmin “aset” që afron, e shtron në pazarin: më jep gjithçka që ke në vitrinë, sepse ndryshe të thyej xhamat e dyqanit.

Duke nisur nga e premtja e fundit e prillit, edhe indiferentët, edhe miqtë, edhe kundërshtarët e të tjerët, duhet të nisin ta harrojnë Ilir Metën, njeriun e kontraseve të forta, kryetar partie, ish-kryeministër, politikan të dorëhequr apo politikan të rikthyer. Nga e premtja e fundit e prillit 2017-ës, ai është zgjedhur të qëndrojë mbas një porte, tek e cila, herët a vonë, do të trokisin të gjithë. Edhe ata që e kanë goditur me gurë. Ky nuk është thjesht triumf personal i një njeriu që i shërbeu pothuaj i vetëm një partie dhe ideje vetjake për 15 vjet rresht, por është një leksion demokracie, institucionesh dhe natyrisht, edhe shenjë fati. Që shënon se vetëm e përkohshmja është e përjetshme!  

Next Post
Lamtumirë Real, Isco ka dy opsione

Isco transferohet te Liverpool?

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Monitorimi, ndotja në Ballkanin Perëndimor është më e larta në Evropë

Monitorimi, ndotja në Ballkanin Perëndimor është më e larta në Evropë

January 23, 2026
Hiqej si avokate, Prokuroria e Fierit çon në gjyq një qytetare

Hiqej si avokate, Prokuroria e Fierit çon në gjyq një qytetare

January 23, 2026
Do të presë rreth 800 nxënës, Rama ndan pamje nga rindërtimi i gjimnazit në Laknas

Do të presë rreth 800 nxënës, Rama ndan pamje nga rindërtimi i gjimnazit në Laknas

January 23, 2026
Trashëgimia e Anagnosti mbartet përtej “Trenit ADN”

Treni ADN prej Anagnostit – poetika e kujtesës dhe kamera e ndërgjegjes

January 23, 2026
Spanja refuzon Bordin e Paqes, Sanchez: Bie në kundërshtim me OKB-në

Spanja refuzon Bordin e Paqes, Sanchez: Bie në kundërshtim me OKB-në

January 23, 2026
Tentoi të dalë nga Shqipëria me 70 mijë euro të padeklaruara, procedohet 45-vjeçarja nga Kina

Tentoi të dalë nga Shqipëria me 70 mijë euro të padeklaruara, procedohet 45-vjeçarja nga Kina

January 23, 2026
The Guardian: Trump shkakton zemërim me pretendimin se trupat e NATO-s shmangën vijën e frontit në Afganistan

The Guardian: Trump shkakton zemërim me pretendimin se trupat e NATO-s shmangën vijën e frontit në Afganistan

January 23, 2026
Takimi i dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit mbahet sot në Stamboll

Takimi i dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit mbahet sot në Stamboll

January 23, 2026
Lamallari kërkon hetim për gjyqtaren: Të pandehurit iu hoq e drejta për të përfituar nga amnistia sepse…

Lamallari kërkon hetim për gjyqtaren: Të pandehurit iu hoq e drejta për të përfituar nga amnistia sepse…

January 23, 2026

Pikëpyetjet mbi drejtësinë e re në rastin Veliaj

January 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In