Presidenti kinez Xi Jinping u takua të mërkurën në Pekin me kancelarin gjerman Friedrich Merz, që ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë.
Xi Jinping-u theksoi se Kina e Gjermania janë përkatësisht ekonomia e dytë dhe ajo e tretë më e madhe në botë dhe marrëdhëniet kino-gjermane nuk lidhen vetëm me interesat e të dy vendeve, por kanë edhe një efekt të rëndësishëm në Evropë dhe në botë. Situata aktuale ndërkombëtare po përjeton ndryshimet më të thella që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Sa më e trazuar dhe komplekse të bëhet bota, aq më shumë duhet që Kina dhe Gjermania të forcojnë komunikimin strategjik, të rrisin besimin e ndërsjellë strategjik dhe të promovojnë zhvillimin e vazhdueshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik dypalësh.
Xi paraqiti tre sugjerime për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve Kinë-Gjermani
Së pari, të dy vendet duhet të bëhen partnerë të besueshëm që e mbështesin njëri-tjetrin. Kina dhe Gjermania janë përqendruar në zhvillimin e tyre dhe kanë arritur përparim të shpejtë, duke iu përmbajtur respektit dhe besimit të ndërsjellë, hapjes e bashkëpunimit, dhe kanë shkruar një histori suksesi me përfitim të ndërsjellë për të dy vendet.
Së dyti, Kina dhe Germania duhet të bëhen partnere të hapura dhe me dobi të ndërsjellë në inovacion. Strategjia e re e zhvillimit e qeverisë gjermane në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe digjitalizimit përputhet ngushtë me drejtimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar të Kinës për zhvillimin inteligjent, të gjelbër dhe të integruar. Të dyja palët duhet të forcojnë harmonizimin e strategjive të tyre të zhvillimit, të mbështesin fluksin e dyanshëm të talenteve, njohurive e teknologjisë, si edhe të nxisin dialogun dhe bashkëpunimin në fusha të përparuara si inteligjenca artificiale.
Së treti, theksoi Xi, Kina dhe Gjermania duhet të bëhen partnere në fushën kulturore që e kuptojnë dhe e vlerësojnë njëra-tjetrën. Kina dhe Gjermania janë vende të mëdha me trashëgimi të thellë kulturore. Të dy palët duhet të forcojnë mësimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin mes qytetërimeve, të përmirësojmë shkëmbimet njerëzore dhe të konsolidojnë themelet e opinionit publik për miqësinë kino-gjermane.
Xi Jinping-u theksoi më tej që, përballë peizazhit global në zhvillim të shpejtë, të gjitha vendet duhet të qëndrojnë së bashku në të mira e në të këqija, duke ndarë një fat të përbashkët. Kina dhe Gjermania duhet të mbështesin pozicionin thelbësor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të rigjallërojnë rolin e saj udhëheqës dhe të marrin rol drejtues në mbrojtjen e multilateralizmit, praktikimin e sundimit ndërkombëtar të ligjit, mbrojtjen e tregtisë së lirë dhe nxitjen e solidaritetit dhe të bashkëpunimit.
Nga ana e tij, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Kinë gjatë kremtimeve të Festës së Pranverës dhe i uroi popullit kinez një Vit të begatë të Kalit. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Gjermania dhe Kina kanë ruajtur shkëmbimet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë, duke sjellë përfitime për popujt e të dy vendeve. Gjermania i vlerëson shumë marrëdhëniet e saj me Kinën, i përmbahet fort politikës së “një Kine” dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të vazhduar traditën e miqësisë, për të mbështetur respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e hapur, si edhe për të thelluar vazhdimisht partneritetin e gjithanshëm strategjik midis dy vendeve. Bizneset gjermane i kushtojnë rëndësi të madhe tregut kinez dhe shpresojnë të thellojnë më tej bashkëpunimin me Kinën . Zhvillimi i një marrëdhënieje të besueshme dhe të qëndrueshme të bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis BE-së dhe Kinës është në interes të të dyja palëve dhe gjithashtu favorizon qëndrueshmërinë dhe prosperitetin global. Gjermania e përkrah forcimin e dialogut e të bashkëpunimit midis BE-së dhe Kinës.
Të dy udhëheqësit shkëmbyen pikëpamje edhe për krizën e Ukrainës. Xi Jinping-u shpjegoi qëndrimin e Kinës, duke theksuar se çelësi është kërkimi i një zgjidhjeje nëpërmjet dialogut dhe bisedimeve.











