Iu përmend emri si kandidat i mundshëm për president të vendit. Por Lumir Abdixhiku nuk tha asnjë fjalë duke hyrë në Kuvendin e Kosovës për të marrë pjesë në seancën plenare.
Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se takimet për çështjen e presidentit do të vazhdojnë.
“Kryeministri sot ka një prezantim, është në Londër siç jeni në dijeni, ndërkohë që besoj që edhe gjatë fundjavës, por edhe shumë shpejt do të vazhdojmë me takime”, shprehet Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së.
Por kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje.
“Jo ndoshta, por jemi në zgjedhje. Sikur të kish dashur me zgjedh presidentin, ai e di si shkojnë këto punë, këto procese, ne kemi përvoja politike, disa herë kemi arritur me zgjedh president. Pra ai nuk e ka hapur paketën fare të qeverisë, kur vjen puna e presidentit, urdhëroni të merremi vesh. Kjo shkon ndryshe, me atë që e fton për partneritet për president, pra bëhesh partner edhe në qeveri”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
Kurti dhe Abdixhiku kanë thënë se bisedat për emra të mundshëm do të mbeten konfidenciale aktualisht, ndërsa nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një intervistë televizive ka thënë se në rast të një marrëveshjeje i pari i partisë i takon të kandidohet për president, por kjo çështje sipas tij ende nuk është diskutuar.











