Vizita e Presidentit Joe Biden në Angola, e para nga një president amerikan në këtë vend jugperëndimor të Afrikës, do të përqendrohet rreth një korridori hekurudhor, që do të transportojë minerale nga pjesa qendrore e kontinentit në një port në zhvillim të Angolas.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell, ai gjithashtu do të theksojë nevojën për qëndrueshmëri dhe demokraci për forcimin e rritjes ekonomike të kontinentit.
Presidenti i Angolës është një figurë e njohur në kontinentin e Afrikës, i cili ka përdorur statusin e vendit të tij si një nga prodhuesit e mëdhenj të naftës për të zgjeruar ndikimin dhe për të punuar në zgjidhjen e konflikteve rajonale.
Tani Presidenti Joao Lourenco më 2 dhjetor mirëpret një mik të ri dhe të fuqishëm, Presidentin Joe Biden, që do të jetë vizita e parë e një presidenti amerikan në Angola.
Joe Biden do ta përdorë vizitën për të nxjerrë në pah një projekt të madh zhvillimi të financuar nga Shtetet e Bashkuara, korridorin hekurudhor “Lobito” prej 1300 kilometrash, i cili lidh brendësinë e Afrikës, të pasur me minerale, me portin jugperëndimor. Shtetet e Bashkuara thonë se kanë mbledhur më shumë se 3 miliardë dollarë fonde private dhe publike për investimin amerikan në këtë projekt.
Shtëpia e Bardhë thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve po kalojnë një “transformim të vërtetë”, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Angola po bëhen partnerë gjithnjë e më të ngushtë.
“Së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe Angola po punojnë për të trajtuar një spektër të madh sfidash urgjente, nga përmirësimi i infrastrukturës, rritja e mundësive ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm në rajon deri tek zgjerimi i teknologjive dhe bashkëpunimi shkencor, forcimi i paqes dhe sigurisë ushqimore”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre .
Disa analistë thonë se ka kaluar shumë kohë që nga premtimi i Presidentit Biden në vitin 2022 për të vizituar Afrikën. Joe Biden fillimisht kishte planifikuar të vizitonte Angolën në tetor, por uragani “Milton” e detyroi atë të shtynte vizitën.
“Duke marrë parasysh që ajo po bëhet në fund të mandatit të administratës së tij dhe mungesës së shënimit të arritjeve të mëdha nga angazhimi i tij në Afrikë, mendoj se vizita nuk do të bëjë një jehonë të madhe”, thotë Cameron Hudson nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Lourenco dhe Biden nuk janë dakord për gjithçka. Ndërsa mbështetja e zotit Biden për Izraelin është “e hekurt”, pikëpamjet e Angolës mbi këtë çështje përputhen më shumë me ato të vendeve të Amerikës së Jugut, Afrikës dhe Azisë.
“Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe të mbrojë jetën e qytetarëve të tij, por e njëjta e drejtë vlen edhe për palestinezët, të cilët kanë jetuar nën pushtim për dekada, një situatë e papranueshme”, tha presidenti i Angolës.
Por një gjë për të cilën ata dhe Kina janë dakord është nevoja urgjente për zhvillimin e Afrikës. Kina ka bërë investime të mëdha në kontinent në kuadër të nismës së saj “Një brez, një rrugë”.
“Gjatë 11 viteve të fundit, ndërmarrjet kineze kanë marrë pjesë në ndërtimin dhe rinovimin e mbi 10,000 kilometrave hekurudhë, afro 100,000 kilometra rrugë, afro një mijë ura, rreth njëqind porte, 66,000 kilometra linja energjetike dhe 150,000 kilometra rrjete komunikimi në vende të ndryshme të Afrikës”, tha Xu Jianping nga Komisioni Kombëtar i Kinës për Zhvillim dhe Reforma.
Analistët thonë se ky është një pozicionim i mirë i Kinës në kontinentin e Afrikës.
Ndërsa kjo është vizita e parë për Presidentin Biden në brigjet e Afrikës Perëndimore, në një farë mënyre ajo është edhe një kapitull i fundit për të. Ky ka të ngjarë të jetë udhëtimi i tij i fundit jashtë vendit si president i Shteteve të Bashkuara./voa