Sokol Cikalleshi shkon në Kombëtare me një tjetër gol me kokë dhe me qetësinë që Koniaspori ngjitet në klasifikim në pjesën e sigurt. Bomberi i Kombëtares, për “Panorama Sport”, menjëherë pas fitores këtë fundjavë foli për formën e tij personale, golin me vlerën e 3 pikëve, pritshmëritë dhe objektivat për Kombëtaren.
Cikalleshi, një tjetër gol nga ajri këtë fundjavë. Kaq kollaj paska qenë dhe duket sikur e keni zbuluar kaq vonë këtë cilësi?
Me sa duket, si puna e verës, sa më i vjetër aq më i mirë (qesh…). Përtej shakasë, sigurisht që çdo gjë vjen në përmirësim për vetë eksperiencën. Edhe goditjet e mia bëhen më precize.
Po kaloni një formë të mirë…
Realisht, përtej golit, më lumturon shumë fitorja e skuadrës, sepse për ne ishte e rëndësishme që të mund të largohemi sa më shumë nga zona e ftohtë. Kjo fitore më gëzon sepse stabilizohemi disi, fitojmë njëfarë qetësie edhe për pjesën e mbetur. Sigurisht që nuk mund ta fsheh se ta shënoj unë golin për këtë triumf është kënaqësi e shtuar. Ishte një gol që na largoi një stres të madh të zonës së rrezikut.
Sa gola synoni këtë vit në Turqi?
Synimi im është që të arrij të paktën 10 gola. Do të isha i lumtur që në vitin e parë t’i arrija, duke parë ulje-ngritjet, dëmtimet dhe pozicionin jo më të mirë në shumë ndeshje që kam luajtur si anësor. Si do të jetë e ardhmja juaj? Kam edhe 1 vit kontratë dhe ndihem mirë me Koniasporin, por në momentin e një oferte më të mirë, mund ta marr në konsideratë. Shkoni në formën më të mirë në Kombëtare.
Si e keni pritur?
E kam pritur me padurim këtë grumbullim. Po shënoj në ekip dhe po marr kënaqësi, por ndjesia në Kombëtare është tjetër. Është pak a shumë e njëjta kur unë shkoj pas shumë kohësh të takoj familjarët e mi. Edhe në Kombëtare për mua është njësoj si të kthehem në familjen time. E pres me padurim dhe me shumë entuziazëm për të bërë më të mirën.
Sipas jush, si vjen Kombëtarja në këtë grumbullim?
Më e rëndësishmja është se lojtarët, pak a shumë, kanë luajtur. Besoj se janë në formë. Dihet që çdo kampionat ka pasur ndeshje të ngjeshura, por mendoj se jemi në formën më të mirë për ta nisur siç duhet këtë edicion. Për këtë, grumbullimi besoj se do të jetë në lartësinë e duhur, njësoj si edhe përkushtimi i secilit nga ne.
Mund t’i përballojmë ekipe si Anglia dhe Polonia?
Ato janë ndeshjet që ne mund të na çojnë në një stad tjetër, nëse ia dalim të marrim rezultate pozitive përballë tyre. Na çojnë në atë nivelin që do të dëshironim të gjithë ta kishim. Unë mendoj se i kemi mundësitë që edhe ta rivalizojmë Poloninë. E them këtë, sepse në futbollin e sotëm, dallimin e bën shpirti i garës dhe sakrifica që bën në fushë. Kemi parë jo pak ekipe të vogla që marrin rezultate në kompeticione të ndryshme përballë edhe më të mirëve.
Pra, si të thuash, nëse “derdh gjak në fushë”, thënë në gjuhën popullore, mund t’ia dalësh të marrësh rezultate edhe ndaj më të mëdhenjve. Meqenëse jemi në kuadrin e gjërave “nëse”, atëherë kur ta arrijmë këtë stad sakrifice, përqendrimi dhe dhënie të gjithçkaje që mundemi, edhe kualifikimi mund të bëhej diçka e arritshme.
Sadiku e Balaj jashtë dhe ka mbetur vetëm Cikalleshi që e mban peshën e sulmit nga Kombëtarja e Europianit. Çfarë ndjesie ju jep kjo dhe si e shihni brezin e ri që duket se vazhdimisht po imponohet?
Unë e kam thënë që le të mos i ndajmë futbollistët në ata të brezit të ri dhe të brezit të vjetër. Çdo lojtar, sado i ri dhe sado i vjetër, ka karrierën dhe historinë e tij në Kombëtare. Ajo çka i ndan gjërat, është performanca e lojtarit në fushë. Trajneri apo ata që marrin vendime, nëse mendojnë që Cikalleshi ka akoma për t’i dhënë Kombëtares, unë jam i gatshëm të bëj më të mirën time sa më gjatë dhe ta ndihmoj atë si brenda edhe jashtë fushe. Unë ju garantoj se jetëgjatësia ime në Kombëtare do të vazhdojë, sepse kam besim te puna dhe përkushtimi që bëj, jo vetëm në Kombëtare, por çdo ditë kë karrierës sime. Uroj të mos kem ndonjë dëmtim. Për sa i përket përkushtimit dhe profesionalizmit, si tek ekipi ku jam, edhe në Kombëtare, besoj se jetëgjatësia ime do të jetë e gjatë në Kombëtare. Pastaj, luan Cikalleshi apo dikush tjetër, kjo është në dorë të trajnerit dhe rëndësi ka që të bëhet më e mira për Kombëtaren.
Për pjesën e sulmit, si më me shumë eksperiencë, do të keni edhe përgjegjësinë e të këshilluarit për Brojën, Manajn dhe Uzunin…
Unë dhe ne të gjithë lojtarët me eksperiencë e kemi bërë dhe do ta bëjmë gjithmonë këtë. E thashë që dua ta ndihmoj ekipin brenda dhe jashtë fushe. Jemi disa lojtarë me shumë vite në Kombëtare dhe e kemi këtë përzemërsi që t’u ofrojmë më të mirën këtyre lojtarëve të rinj. Besoj se e dinë edhe lojtarët e tjerë që e kam bërë dhe jam suport, jo vetëm kur luaj, por edhe kur nuk jam në fushë. Edhe të rinjtë të mos na e marrin për mendjemadhësi, por si ndihmë. Cikalleshi nuk ia merr asnjërit vendin në Kombëtare dhe po ashtu asnjë nuk ma merr vendin mua. Secili ka vendin e tij dhe trajneri vendos për më të mirët.
Luajtët të dielën; udhëtim drejt Barcelonës dhe stërvitje, pastaj në Andorrë dhe ndeshje; kthim në Shqipëri dhe ndeshje; udhëtim në San Marino dhe ndeshje; kthim në Turqi dhe kalendar të ngjeshur. Si është fizikisht kjo periudhë?
Një rrugëtim shumë i gjatë. Në momentin që unë e mbylla me sukses ndeshjen e fundit, me gol dhe fitore, i sigurova vetes një udhëtim më relaksues drejt Kombëtares në të cilën shkoj i qetë dhe shumë i motivuar. Kur udhëton për qejf, është më e thjeshtë sesa kur shkon me një peshë stresi. Do të jetë shumë e lodhshme, por me rikuperimet e duhura, uroj të jemi të gatshëm për të ndihmuar Kombëtaren e më pas edhe ekipin në kampionat. Ky është edhe urimi primar që asnjë të mos ketë ndonjë dëmtim. Garantoj që do të bëjmë maksimumin në çdo moment që do të jemi në fushë.
PANORAMASPORT.AL