Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi është pyetur në lidhje me deklaratat e Ramës ditën e djeshme për vendimet pas mbledhjes së qeverisë për të dhënë një shtesë prej 5 mijë Lekësh për pensionin herën e ardhshme si dhe reformën për rritjen e pagës mesatare në 900 Euro brenda 2 vitesh.
Kryekomisioneri Celibashi është shprehur se ndalime në Kodin Zgjedhor për premtime para zgjedhjeve parashikohen vetëm në rastin kur zhvillohen zgjedhje të përgjithshme.
Pyetje: Sipas jush, 2 vendimet që Rama i bëri me dije ditën e djeshme, a janë në shkelje të vendimit të marrë nga Komisioni Rregullator, i cili bën me dije se janë të ndaluar veprimtaritë që nuk janë të përfshira në planin buxhetor?
Ilirjan Celibashi: Në momentin që ne do të kemi aktin publik, kur të jetë momenti do të duhet të disponojmë vendimmarrjen në lidhje me atë proces që do të ndodhë. Do të duhet të shikohen si veprohet me ligjin apo me Kodin Zgjedhor ku ligjvënësi e ka vlerësuar nëse një akt apo një tjetër e dënon. Se përse ligjvënësi ka parashikuar vetëm për rastin e zgjedhjeve për Kuvend këtë përkufizim, këtë nuk di ta them tani dhe në këtë pozicion.
/a.r