Analisti i njohur politik, Preç Zogaj, ka bërë një skanim të thelluar të lëvizjes më të fundit brenda Partisë Demokratike të udhëhequr nga Ervin Salianji, duke e cilësuar atë jo si një rrufe në qiell të hapur, por si një nevojë jetike për demokratizimin e forcës më të madhe opozitare. Gjatë një debati në emisionin “Trialog“ në RTSH, me moderatore Alba Alishanin, Zogaj paralajmëroi lidershipin e PD-së se nuk ka as luksin dhe as mundësinë të tregohet sektare me zërat ndryshe.
Duke bërë një paralele historike me mocionin e vitit 1992 pas humbjes në zgjedhjet vendore, Zogaj theksoi se përpjekjet për mendim ndryshe në PD janë të hershme, por lëvizja e Salianjit sjell një qasje thelbësisht të re.
“E reja e Salianjit është se në dallim nga paraardhësit që kanë qenë të paduruar, ai është konsistent për të qëndruar brenda PD-së dhe për ta ndihmuar atë nga brenda,” argumentoi analisti. Sipas tij, strategjia e vjetër e tërheqjes për të marrë “kalanë nga jashtë” tashmë është ezauruar dhe “u bë bozë” në sytë e publikut.
Zëri i “demokratëve të heshtur”
Sipas Zogajt, agjenda politike e Salianjit tejkalon numrin e njerëzve të pranishëm në sallat e takimeve të tij. Ai theksoi se temat e ngritura rezonojnë me një masë të madhe demokratësh të cilët, edhe pse nuk marrin pjesë fizikisht, kërkojnë që partia të ndalet dhe të bëjë një analizë të thellë të situatës së saj. Për analistin, Salianji është bërë përfaqësuesi politik i këtij korrenti që kërkon reflektim.
Mendje të hapura, jo vetëm dyer të hapura
Gjatë analizës së tij, Zogaj nuk i ka kursyer kritikat e forta ndaj metodave të së shkuarës dhe të tashmes në PD. Ai dënoi ashpër mendësinë përjashtuese, duke e krahasuar atë me praktikat e “kohës së Stalinit” apo me retorikën e re justifikuese se kritikët thjesht “kanë ikur vetë”.
Për analistin, një parti opozitare që synon të vijë në pushtet ka nevojë urgjente për qarkullim elitash. “Duhet hapur mendja, jo thjesht dyert. Janë mendje të mbyllura dhe kjo nuk të çon në fitore,” deklaroi ai, duke theksuar se sa më shumë liri të ketë brenda një partie, aq më shumë shpresë ofron ajo për të ardhmen e vendit.
Në përfundim, Zogaj theksoi një paradoks thelbësor për krerët e opozitës: Salianji po i bën nder vetë lidershipit të PD-së duke e mbajtur këtë parti të madhe përmes debatit. Çdo tentativë për të goditur këtë lëvizje për liri, paralajmëron Zogaj, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do ta tkurrë dhe zvogëlojë edhe më tej Partinë Demokratike.











