Dy persona janë arrestuar nga Policia, pasi vidhnin e shisnin ujin e rrjetit të ujësjellësit. Ata u kapën gjatë operacionit të koduar “Porosia e Fundit”.
Operacioni u krye nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të procedimit penal të vitit 2018, ndjekur me metoda speciale të hetimit për disa muaj.
Në përfundim të hetimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit me inicialet A. Gj., 50 vjeç, banues në lagjen Nr.4, Durrës, me detyrë shofer pranë Drejtorisë së ujësjellës-kanalizimeve në Durrës, sepse me automjetin e kësaj ndërmarrjeje shpërndante ujë për subjekte dhe persona të interesuar kundrejt pagesës dhe shtetasi S. P. 56 vjeç, banues në lagjen Nr.17. Ky i fundi vidhte ujë në tubacionin e ujësjellësit, duke e tregtuar në subjekte dhe persona të interesuar.
Vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për vënien para përgjegjësisë të personave të tjerë të implikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasit A. Gj., për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim i detyrës”, si dhe në ngarkim të shtetasit S. P., për veprën penale “Vjedhja”.
g.kosovari

