Fëmija 12-vjeç me probleme të shëndetit mendor mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit.
Futja në banesë u krye nga ballkoni, nëpërmjet shkallëve.
Një fëmijë 12-vjeç ka mbetur i bllokuar në banesë pasditen e sotme. Fëmija me probleme të shëndetit mendor, pasi ka mbyllur derën e blinduar me çelës dhe nuk e ka hapur dot, ka filluar të bërtasë nga frika duke alarmuar banorët e pallatit.
Në pamundësi për ta hapur derën nga jashtë dhe duke pasur frikë se ç’mund të bënte djali i saj vetëm në shtëpi, nëna ka njoftuar zjarrfikësit.
Këta të fundit kanë hyrë në ballkonin e banesës në katin e katërt të pallatit në lagjen “30-Vjetori” nëpërmjet shkallëve. Pasi kanë hyrë në shtëpi, zjarrfikësit kanë qetësuar fëmijën që ishte në kriza e sipër dhe më pas kanë hapur derën nga brenda, duke mundësuar futjen e nënës, që ngeli jashtë në hyrjen e pallatit./m.j