Në seancën e sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla mbajti një fjalim ku ftoi të gjithë deputetët e pranishëm që të votojnë për miratimin e rezolutës “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.
Balla gjatë fjalës së tij shprehu keqardhje për mungesën e opozitës në Parlament.
“Keqardhje për mungesën në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, që nuk ditën që në një moment solemn, të një qëndrimi urgjent të Shqipërisë krah SHBA-ve, BE, dhe plot vendeve të tjera, të vinin në seancën e Kuvendit të Shqipërisë nuk dolën dot mbi interesin e vogël të javës të njoftuar për një tjetër protestë pa krye, të vinin në Kuvend dhe të mbështesnin këtë qëndrim të domosdoshëm, që është urgjent dhe i nevojshëm sa i përket kontekstit të ri pas zhvillimeve, pas sulmit kibernetik kundër Kuvendit, sa i përket interesit të Shqipërisë, por edhe zhvillimit që lidhen me bllokimin apo minimin e Kanalit të Hormuzit. Jo për ta parë si akt formal, por si deklaratë të vlerave dhe përgjegjësisë sonë, si një aleat i NATO-s dhe si një vend që brenda vitit 2030 do jetë vend anëtar në BE”, deklaroi Balla.
Më tej ai shtoi se kjo rezolutë është kundër destabilizimit dhe minimit të rendit demokratik nga një shtet, që godet civilët, institucionet dhe parimet ndaj shtoi se “lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht një çështje sigurie, është betejë për mbrojtjen e demokracisë dheshtetit të së drejtës dhe paqes”.
Ai theksoi se Shqipëria është një i vend që ka zgjedhur qartësisht anën e demokracive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar kundër terrorizmit.
Duke kritikuar Iranin, Balla tha se përmes sulmeve kibernetike kanë synuar destabilizimin e institucioneve.
“Terrorizmi nuk është vetëm akt dhune, është stërgji frikësimi, destabilizimi dhe minimi të rendit demokratik. Godet civilë, institucionet, godet edhe parimet në të cilat është ndërtuar sistemi ndërkombëtar pas luftës së dytë botërore. Lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht çështje sigurie, është betejë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë dhe mbetet vend i qartë dhe i palëkundur në këtë qëndrim të saj. Ne jemi vend që kemi zgjedhur anën e demokracive, bashkëpunimit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Shqipëria ka jo vetëm të drejtën, por edhe të kontribuoj në sigurinë kolektive të NATOS-s dhe komunitetit ndërkombëtar.
Rezoluta është pjesë e këtij angazhimi të vazhdueshëm. Vendi ynë ka qenë objekt i sulmeve në hapësirën kibernetike.
“Sulmi i rëndë ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë në 2022, ishte një nga episodet më serioze të agresionit kibernetik të një vendi sovran. Pak ditë më parë, Kuvendi ishte shënjestra e një sulmi të ri kibernetik.
Këto janë akte armiqësore, që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionim normal të një shtetit. Rezoluta synon të adresojë këtë realitete. Synojmë të dënojmë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, dënojmë përdorimin e mjeteve hibride kundër institucioneve të shteteve sovrane. Rezoluta u bën thirrje qeverisë shqiptare të shpallë gardën revolucionare të Iranit dhe Hezbollahun si organizata terroriste.”, u shpreh deputeti i PS-së.
Balla duke u ndalur në zhvillimet në Lindjen e Mesme, tha se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit është një “akt tjetër terrorist që synon bllokimin e lëvizjes së lirë të anijeve të transportit duke synuar një krizë globale. Nuk është luftë kundër një populli, jemi dëshmitarë që ata janë vetë viktima të një regjimi. Por është qëndrim kundër praktikave shtetërore që mbështesin terrorizmin.”











