Partia Republikane ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një ankesë për ligjin e pronave të qeverisë, i votuar të enjten e shkuar në parlament me votat e maxhorancës, rishtas pas kthimit me dekret nga ana e Presidentit Nishani.
Ankimimin e kanë depozituar deputetët Arjan Madhi dhe Maks Begeja.
Pas dekretimit dhe rivotimit në Parlament, edhe Presidenti Bujar Nishani njoftoi për dërgimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.
Në argumentin e kreut të shtetit, ligji në tërësinë e tij cënon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut, si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.