Kabineti i Ramës për katër vitet e mandatit të tretë mes personazheve që kanë kaluar sprovën e tij dhe sfida për prurjet e reja. Çfarë përfaqësojnë 15 ministrat dhe zëvendëskryeministri që gjithnjë “gjen vend” në kabinetin e Ramës.
Nga Roland Qafoku
Që nga ora 11.20 e 2 shtatorit kur Edi Rama përfundoi së lexuari emrat e qeverisë 3, pothuajse çdo shqiptar ka bërë analizën e vet. Ky ministër nuk bën. Ky është i korruptuar. Kjo ministre është e mirë. Kjo tjetra nuk ka lidhje me këtë punë. Çlidhje ka ky dhe kjo me këtë dikaster? Kjo tjetra nuk e ka me qef të drejtojë këtë ministri. Përgjigjen e dha vetë kryeministri: “Ku ka s’du”!? Mjafton kjo frazë për të kuptuar se në filozofinë e Edi Ramës ka vetëm caktim, emërim dhe realizim punësh. Të gjitha këto në emër të përfshirjes në politikë. Dhe për më tepër kur kjo politikë bëhet në Partinë Socialiste. Por çfarë përfaqësojnë 15 ministrat dhe zëvendëskryeministri i qeverisë Rama 3? Portretet e tyre nuk janë të vështira. Të vështira janë sfidat e tyre që së pari lidhen me pyetjen e madhe përse kryeministri Edi Rama i zgjodhi të jenë anëtarë të kabinetit të tij; me faktin se po konsumohet për herë të parë mandati i tretë i një force politike; kur pritshmëria për rritjen ekonomike është e madhe; kur të qeverisësh Shqipërinë nuk është edhe aq e lehtë. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, fakti që kjo është një qeveri e dominuar nga 12 gra, pothuajse të gjitha nëna dhe vetëm 4 burra. Një rekord botëror por që nuk do të vlente fare nëse këto gra nuk do sjellin rendimentin e pritur.
ARBEN AHMETAJ, ZËVENDËSKRYEMINISTËR. POST PËR HERË TË 5-TË
Arben Ahmetaj merr postin e pestë qeveritar që nga viti 2013 me kryeministër Edi Ramën. Ai është rekordrmeni për numrin e ministrive që ka drejtuar dhe i dyti në kohëzgjate në detyrë me 6 vjet 1 muaj qendrim në post, kundrejt 6 vjet e 3 muaj të Bled Çuçit. Ahmetaj ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë nga shtatori i vitit 2013 deri në shkurt 2016. Më pas ka qenë ministër i Financave nga shkurti i vitit 2016 deri në shtator 2017. Ahmetaj ka qenë ministër i Financave edhe në mandatin e dytë nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018. Më pas ai u emërua ministër Shteti për Rindërtimin në dhjetor 2019, një detyrë që do ta vijojë edhe duke qenë zëvendëskryemnistër. Jo pak janë habitur që në qeverinë Rama 3 ai ka marrë detyrën e lartë të zëvendeskryeministrit. Po përse Rama ka thyer çdo rregull të vendosur edhe vetë me Ahmetajn? Cfarë e ka bërë për vete që të besojë te ai kur jo vetëm opozita e sulmon fort? Në PS të thonë se Rama e vlerëson Ahmetaj si një negociator të aftë të gjej fonde dhe të realizojë projekte. A është e mjaftueshme kjo? Në detyrën e zëvendëskryeministrit nuk është se ndonjë rol kushedi, por do jetë i stacionuar në zyrë për të bërë burokratin, të drejtojë më shumë mbledhje se edhe vetë Rama, të hedhë firma në emër të Ramës dhe të presë që një ditë do ketë edhe “the end”.
BLEDI ÇUÇI, MINISTËR I BRENDSHËM. PUNËTORI PA BUJË
Rekordimeni i PS-së në qendrimin në detyrë si ministër me 6 vjet e 3 muaj, Bledi Çuçi është konfirmuar sërish në detyrë. Kjo do të thotë se ai do vijojë të ty thyejë rekordin e vet. Ndërkohë që posti i ministrit të Brendshëm është i treti në tre qeverinë e Edi Ramës. Çuçi ka qenë pjesë e kabinetit Rama 1 si ministër Shteti për Çështjet Vendore nga shtatori 2013 deri në mars 2017. Më pas ka qenë ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga dhjetori 2018 nderi në dhjetor 2020. Në dhjetor 2020 ai u emërua ministër i Brendshëm pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt. Si ministër i 64-ët në historinë e ministrisë së Brendshme Bledi Çuçi ka ruajtur një profil shumë herë më ndryshe nga paraardhësit. I qetë, pa konflikte, i pa akuzuar për korrupsion, ai mbetet një djalë i mirë që punon mirë kudo ku e cakton. Ka krijuar një raport të distancuar nga media dhe kjo e ka ndihmuar të mos jetë ai targeti i sulmeve të kundërshtarëve politikë por edhe vetë medias. Mbi të gjitha është i papërfolur për afera korruptive dhe abuzime me fondet publike. Dhe kjo jo vetëm nuk është pak, por është arma më e fortë e Bledi Çuçit. Këtu nis edhe arsyeja e madhe përse ai është rekordmeni i kohëzgjatjes në detyrë në kabinetet e Edi Ramës.
OLTA XHAÇKA, MINISTRE E JASHTME. NUK I MJAFTON SHARMI
Olta Xhaçka duhet të vërtetojë se në detyrën e ministres së Jashtme nuk është më shumë për sharmin se sa për vlerat. Ajo nuk prish punë, është e dëgjueshme dhe e menaxhueshme, por a mjaftojnë këto për të qenë ministre e Jashtme dhe e krahasueshme me formate të kalibrit paraardhës si Besnik Mustafaj, Arjan Starova, Ilir Meta, Paskal Milo. Madje, edhe të formateve të Rilindjes 1 si Ditmir Bushati? Olta Xhaçka vjen pasi ishte ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në qeverinë e mandatit të parë nga marsi 2017 deri në maj 2017 duke zëvendësuar në atë kohë Blendi Klosin. Më pas ajo u kthye në kabinet si ministre e Mbrojtjes që në start të mandatit të parë në shtator 2017 deri në janar 2021 duke zëvendësuar Mimi Kodhelin, për tu transferuar më pas si ministre e Jashtme në dhjetor 2020 pas dorëheqjes së Genc Cakës. Xhaçka ka edhe një cilësi që nuk e kanë homologët e saj. Është apo nuk është pjesë e kabientit, nuk e ka shumë problem. Ndoshta kjo e ka bërë Ramën ta ketë në qeveri mungesën e dëshirës për pushtet se sa më shumë se sa produktin e saj.
NIKO PELESHI, MINISTËR I MBROJTJES. PAK PRITSHMËRI, PAK ZHGËNJIM
I ulur në një kafe vetëm pak orë përpara se të shpalleshin emrat Niko Peleshi dukej që e priste me qetësi që nuk do ishte më pjesë e kabinetit Rama. Habinë e tij e tregoi edhe në një prononcim që dha pas zyrtarizimit se nuk është kjo e rëndësishme. Ko tregon se Peleshi ka mësuar një rregull të artë në politikë që të mos krijojë pritshmëri të lartë në mënyrë që të mos ketë zhgënjim të madh. Shtoi kësaj edhe mësimin e artë të stilit të Edi Ramës që nuk preferon të punojë me ata që duan poste. Lëre ata që lëpihen për të marrë poste. Profili i Peleshit mund të përmblidhet në fjalinë që ai vetë e dha më 2 gusht pasi Rama lexoi emrat e kabinetit dhe mes tyre u dëgjua edhe emri i tij: “Unë kam prej 8 muajsh që shërbej në këtë pozicion, por kur fillon një mandat i ri fillon një qeveri e re. Nuk më ka gënjyer mendja se jam i pazëvendësueshëm. Kemi borxhe për të kthyer. Shqiptarët nuk kanë votuar që unë të bëhem ministër, por për PS. Jam i vetëdijshëm për këtë”. Ja, këta i duhen Edi Ramës.
ULSI MANJA, MINISTËR I DREJTËSISË. NGA SISTEMI, NË MAJË TË TIJ
Në vendin e vet dhe në kohën e duhur mund ta vlerësojmë emërimin e Ulsi Manjës si minisër i Drejtësisë. Është nga të rrallët në këto 30 vjet që një jurist pasi ka bërë karrierë në sistemin e drejtësisë merr edhe detyrën e ministrit të Drejtësisë, ndërkohë që atë dikaster e kemi parë të drejtohet nga njerëz nga më të çuditshëm. Nga një deputet me rezervuar votash, Manja arriti një kulm në politikë duke qenë për shumë vite kryetar i Komisionit Parlamentar të ligjeve, një nga komisionet më të rëndësishme, sidmos në këtë kohë ku zbatohet reforma në drejtësi. Në fakt Ulsi Manja është i vetmi ministër për të cilin PD nisi sulmet që pas 24 orëve nga emërimi. Deputeti Enkeled Alibeaj, dikur vetë ministër i Drejtësisë, e cilësoi provokim emërimin tij duke e lidhur me dosjen 184 për të cilën PD e akuzon Manjan për abuzime me votat në zgjedhjet lokale në Dibër. Po kush është pjesë e politikës së lartë dhe nuk e bënë pis? Është jo pak e rëndësishme që në krye të këtij dikasteri është një produkt i sistemit të drejtësisë, që e njeh mirë atë dhe që e di si funksionon dhe ku duhet të ndahet nga politika.
DELINA IBRAHIMAJ, MINISTRE E FINANCAVE. MARKA “BOÇONI” NË KRYE TË FINANCAVE
Delina Ibrahimi është “neë entry” në qeverinë Rama 3. Nëna e dy fëmijëve vjen në postin e rëndësishëm të Ministres së Financave pasi ka kaluar në filtrat si Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve, një detyrë që e cilësojnë si minë me sahat. E diplomuar në universitetin “Boçoni” në Milano të Italisë si ekonomiste dhe doktore e Shkencave në këtë fushë, Ibrahimi është pjesë e atyre vajzave dhe djemve që u kthyen në Shqipëri për të punuar dhe jetuar. Dhe më shumë se kaq, për të treguar se sa vlen. Pas një përvoje prej 5 vitesh në Bankën e Shqipërisë, ajo u bë pjesë e stafit të kryeministrit si pjesë e “gjuetisë” që Edi Rama po bënte me të diplomuarit e suksesshëm jashtë Shqipërisë. Vetëm një vit aty si koordinatore për krijimin e një sistemi të integruar të informacionit dhe statistikave operacionale qeveritare, ajo kaloi më pas të drejtojë për tre vjet INSTAT. Që nga vitit 2019 Ibrahimaj ka qenë drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve, ndoshta në kohën më të vështirë po të llogarisnim periudhën e vështirë të pandemisë. E panjohur për publikun, por jo në fushën e ekonomisë, Ibrahimaj në fakt ka marrë çelsat e ministrisë më të rëndësishme në mandantin e tretë. Ekonomia është ajo që nuk të fal dhe në Shqipërinë e varfër nuk mjafton të jesh e zonja dhe të kesh një diplomë të markës “Boçoni” t’ia menaxhosh mirë financat. Një sprovë për Ibrahimajn që në fakt fare është sprovë për qeverinë Rama 3.
BELINDA BALLUKU, MINISTRE E INFREASTRUKTURËS. KUJDES EUFORINË!
Me 15.366 vota të marra në zgjedhjet e 25 prillit Belinda Balluku u bë gruaja më e votuar në të gjithë Shqipërinë dhe e 7-ta mes të gjithë kandidatëve në të gjithë vendin. Mjaftoi ky rezervuar votash për të kuptuar që gruaja që kryeministri Rama e thërriste “shtriga” do ishte përsëri pjesë e kabinetit të tij. Këtë ai pothuajse e lajmëroi disa ditë përpara zyrtarizimit duke vlerësuar punën e dikasterit të Infrastrukturës. Dhe kështu ndodhi. Rama e konfirmoi për ministre të Infrastrukturës duke i vlerësuar perfomancën që nga dhjetori 2018 kur nisi këtë detyrë kur zëvendësoi Damian Gjiknurin. Nëna e dy fëmijëve vijon të quhet grua e fortë në një dikaster të fortë. Belinda Balluku tashmë ka armik, vetëm vehten. Është në kulmin e karrierës së saj dhe duket si një yll politik që po shkëlqen në PS. Por njëkohëhsish ky mund të jetë edhe moment i rrezikshëm nëse nuk menaxhon me përulje fitoret. Kujdes euforinë!
OGERTA MANASTIRLIU, MINISTRE E SHËNDETËSISË. KRYEMINISTRJA E PANDEMISË.
Ogerta Manstirliu është nga ta rrallat ministre të kabinetit Rama që ka kryer një mandat të plotë si ministre dhe është konfirmuar në detyrë edhe për një mandat tjetër. Për shkak edhe të situatës së pandemisë Manastirliu që nga vitit 2019 kur shpërtheu epidemia është ministrja kryesore e kabinetit. Ose e thënë me fjalë të tjera, kryeministrja e pandemisë. Por duke e kofirmuar në detyrë Rama ka çimentuar se Manastirliu do të vazhdojë të jetë me këtë status edhe për katër vite të tjera. Pavarësisht akuzave të shumta të opozitës Manastirliu ka një bilanc jo të keq në menaxhimin e situatës së covid-t 19. Mjafton që të japim një shembull: Opozita ka deklaruar në fillim të këtij viti se vaksinimi i popullsisë në Shqipëri do fillonte në vitin 2022. E pra, mjafton kjo që nëna e dy vajzave të tregojë se ka fituar jo pak beteja në këtë detyrë.
EVIS KUSHI, MINISTRE E ARSIMIT. NUK MJAFTON TË JESH GRUA E MIRË.
Evis Kushi vijon të mbetet gruaja e mirë në krye të një dikasteri të vështirë. Nëna e dy vajzave ka gëzuar përherë respektin si deputete e thjeshtë dhe dikur pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe e mirëarsimuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Po a mjaftojnë këto të jesh ministre e Arsimit? Nisja e vitit akademik me një handicap si ai i caktimit të datës 27 shtator ia ka ulur jo pak kuotat zonjës Kushi kur shumë prindër e cilësojnë si një nga vendimet më të gabuara në historinë e këtij dikasteri për ato arsye që dihen. Ndërkohë sfidat e arsimit gjatë mandatit të tretë janë të tilla që Kushi do ti duhet të përballet me shumë e shumë probleme. Një prej tyre janë tekstet mësimore që lënë aq shumë të dëshiruar dhe që vijon të jetë një premtim ende i pambajtur i Partisë Socialiste që në vitin 2013.
ELVA MARGARITI, MINISTRE E KULTURËS. TANI PO, ËSHTË MINISTRE E VËRTETË
As deputete e as format tipik politik, Elva Margariti ishte një lloj habie për konfirmimin e saj në detyrën e ministres së Kulturës. Pa ndonjë mbështetje politike dhe pa qenë pjesë e ndonjë klani politik, Margariti gjithsesi arriti të dalë mbi ujë. Nëna e një vajze, tashmë ka kaluar të gjitha tallazet si ministre dhe vetëm tani mund të themi se është vërtëtë ministre e Kulturës. Ka krijuar një përvojë, punon pa shumë bujë dhe e ka ndihmuar fakti që ministrisë së Kulturës gjatë periudhës së tërmetit dhe pandemisë nuk i duhej të prodhonte shumë kulturë. Edhe Margariti është nga të rrallat pjesë të kabinetit Rama që ka konsumuar një mandat të plotë si ministre nga shtatori 2017 deri në shtator 2021. Arkitektja e diplomuar në Firence ka kaluar një karrierë të pasur në Itali dhe në Shqipëri e angazhuar në shumë projekte. Por po si arkitekte në detyrën e ministres së paku duhet ti jenë vrarë sytë që salla e re e Tetarit të ri të Operas dhe Baletit nuk ka ndarje në mes. I vockël shumë ky detaj, por i madh për ministren që si profesion ka arkitekturën.
FRIDA KRIFCA, MINISTRE E BUJQËSISË. QË PRODHIMET TË MOS FLAKEN NË RRUGË
Për katër vjet drejtore e Përgjithshme e Agjensisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca duket si një nga emërimet më profesionalë të bëra nga kryeministri Edi Rama. Një specialiste në fushën e vet, në punën e vet dhe në kohën e vet. Nëna e dy vajzave, Krifca ka administruar skemën mbështetëse për fermerët. Ajo ka menaxhuar edhe fondin më të madh të kësaj skeme prej 94 milionë Eurosh. Dhe tani që është në krye të ministrisë së Bujqësië i duhet ta kontrollojë mënyrën se shpërndarjes së këtij fondi. Dhe sfida është e madhe: Nëse në Shqipëri do ketë sërish fermërë që vrasin veten sepse falimentojnë në biznesin e tyre. Nëse në Shqipëri do ketë ende fermerë që derdhin qumështin në rrugë sepse nuk u shitet. Nëse në Shqipëri do ketë fermerë që flakin produket bujqësore në arë dhe nëse në Shqipëri do ketë ushqime të skaduara në supermarkete dhe produkte me hormone, Krifca do të quhej e dështuar në detyrën e saj. Është në provë të fortë.
MIRELA KUMBARO, MINISTRE E TURIZMIT DHE MJEDISIT. RIKTHIM….
Nuk janë të paktë ata që e cilësojnë kthimin e Mirela Kumbaros si një habi. Dikur ministre e Kulturës në mandatin e parë nga shtatori 2013 deri në shtator 2017 ndaj saj pati shumë akuza jo vetëm nga opozita por edhe nga brenda mazhorancës. Nuk dihen arsyet përse Rama e ka kthyer sërish në kabinet. Ndoshta nga suksesi në rezultatin e zgjedhjeve të qarkut të Gjirokastrës por që duhet thënë se aty ishin ustallarë të tjerë që grumbulluan shumë vota. Në detyrën e ministres së Turizmit, Kumbaros i duhet t’ia nisë me ndërtimin e rrugës së Syrit të Kaltër aq shumë të reklamuar nga ana e saj kur ishte ministre Kulture. Të tjerat, duhet të shikohen një e nga një. Sepse turizmi shqiptar është një nga sfidat e përhershme të qeverive shqiptare. Të presim.
ELISA SPIROPALI, MINISTRE SHTETI PËR MARRËDHËNIE ME PARLAMENTIN. KUR LUFTON, TË BËJNË PIS
Edhe kritikët më të mëdhenj ndaj Elisa Spiropalit vlerësojnë se ajo është luftarake. Bën beteja, ndeshet dhe nuk hiqet mënjanë. Ka armë të saj zellin, dëshirën për të bërë politikë dhe nuk bën vajzën e urtë që e duan pse është e urtë dhe këtë e ka treguar në parlament dhe në studiot televizive. U emërua nga Rama si ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin në dhjetor 2018 dhe mori konfirmimin nga Rama edhe për një mandat të dytë. Madje, nëna e dy fëmijëve ishte e vetmja ministre që Rama e konfirmoi publikisht disa ditë përpara se të zyrtarizonte qeverinë. Në fakt kishte një të drejtë Rama. Askush më shumë se Spiropali nuk ka shprehur energjinë për të bërë politikë, për të debatuar dhe për të qenë prezente pa u fshehur pas besimit që i kanë dhënë. Elisa Spiropali me këtë konfirmim shton dozën e fuqisë politike në PS dhe kjo duket nëse e shikon edhe karrierën e saj në politikë të shtrirë në 16 vite në politikë kur ajo pas studimeve të larta në SHBA dhe Kanada u kthye në atdhe për të qenë pjesë e politikës. Epo kjo nuk është pak.
EDONA BILALI, MINISTRE E SHTETIT PËR MBROJTJEN E SIPËRMARRJES. NGA BIZNESI, NË MBROJTJE TË BIZNESIT
Edona Bilali u duk që do ishte një yll në ngjitje në PS kur Edi Rama e caktoi të parën e listës në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 25 prillit 2021. U duk gjithashtu kur në disa takime elektorale ajo ishte e para që merrte fjalën. Vërtetë me 2751 vota që mori nuk ishin shumë, por mos të harrojëm këto zgjedhje ishin hyrja në politikë. Por të mirat që i ka hapur derën Edona Bilalit nuk mbaruan këtu. Edi Rama e ka emëruar ministre e Shtetit për Mbrojtjen nga Sipërmarrja dhe këtu nis prova e saj e vërtetë. Deri tani ka marrë shumë mundësi ndërsa tani i duhet ta kthejë në rezultat këtë mundësi. 32-vjeçarja e lindur në Shkodër, me përvojë në biznes, tani i duhet ta mbrojë biznesin nga pozita e lartë e detyrës si ministre.
BORA MUZHAQI, MINISTRE E SHTETIT PËR RININË DHE FËMIJËT. MJALTI MBAROI.
Është një provë jo e lehtë për Bora Muzhaqin që pasi ishte kandidate për deputete dhe pasi ishte zëvendëministre e Arsimit për disa muaj, tashmë ka një post ministror. Me moshë shumë të re për të qenë pjesë e qeverisë ajo më shumë është në një provë nëse do përballojë notin në ujrat e turbullta të politikës apo do mbytet. E diplomuar në “London School Economics”, Muzhaqi duhet të tregojë se nuk mjafton vetëm diploma londineze, as dëshira për tu kthyer në atdhe, e as mundësia e artë që i dha kryeministri Rama, por të ketë rendiment në punë. Periudha e mjaltit dhe e përkëdheljes mbaroi. Tani do të shihet se sa vlen.
MILVA EKONOMI, MINISTRE E SHTETIT PËR STANDARTET DHE SHËRBIMET. NJË MINISTRE QË I BËN NDER ÇDO QEVERIE
Emërimi i Milva Ekonomit në mandatin e tretë më shumë na ngjan “na duhet për imazhin e saj të mirë”. Nuk arrihet të kuptohet përse Ekonomi qendron në detyrë shumë më pak nga gra e burra që nuk kanë cilësitë me vlerë të saj. Ekonomi u bë pjesë e kabinetit të parë të Edi Ramës si Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes nga shkurti 2016 deri në shtator 2017. Zëvendësoi Arben Ahmetajn por në nisjen e mandait të dytë nuk ishte pjesë e qeverisë. Ndërkohë Rama e emëroi si ministre e Bujqësië dhe Zhvillimit Rural në dhjetor 2020 duke zëvendësuar Bledi Çuçin. Aktualisht vijon të jetë pjesë e kabinetit, por e pozicionuar si Ministre e Shtetit për Standartet dhe Shërbimet. E papërfolur për afera korruptive, profesioniste përpara se të ishte ministre, Milva Ekonomi do ti bënte nder çdo qeverie dhe çdo kryeministri në Shqipëri.
Qeveria Rama 3
Kryeministër Edi Rama
Zëvendëskryeministër–Arben Ahmetaj
Ministër i Punëve të Brendshme–Bledi Çuçi
Ministër për Punët e Jashtme dhe Europën –Olta Xhaçka
Ministër i Mbrojtjes–Niko Peleshi
Ministër i Drejtësisë–Ulsi Manja
Ministër i Financave–Delina Ibrahimaj
Ministër për Infrastrukturën–Belinda Balluku
Ministër i Shëndetësisë–Ogerta Manastirliu
Ministër i Arsimit–Evis Kushi
Ministër i Kulturës–Elva Margariti
Ministër i Bujqësisë–Frida Krifca
Ministër i Turizmit dhe Mjedisit – Mirela Kumbaro
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin-Elisa Spiropali
Ministër i Shtetit per Mbrojtjen e Sipërmarrjes-Edona Bilali
Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët-Bora Muzhaqi
Ministër i Shtetit per Standardet dhe Sherbimet-Milva Ekonomi