Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nëpërmjet një postimi në facebook i ka konsideruar shpifje deklaratat e bëra nga partia Demokratike ndaj projektit për portin Turistik të Durrësit.
“Çfarë s’po shpifin non-grata&co ndaj një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit, që është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit shqiptar në zhvillimin e Durrësit dhe në fakt gjithë Shqipërisë, si efekt i madh ekonomik.
Duhet ta kuptoni se Aleanca Rublave do të vazhdojë të sulmojë Portin Turistik të Durrësit, për hesap të borderosë ku ata firmosin çdo ditë. Nuk ka shqiptare e shqiptar që nuk e ka kuptuar që ky është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit”, shprehet Balla.
Balla gjithashtu thekson se projekti kishte një vlerë investimi mbi 2 miliardë euro gjë që sipas tij do të sjellë një impakt ekonomik të madh për vendin.
“Projekti ka një vlerë investimi mbi 2 miliardë Euro, me një impakt ekonomik direkt që përfshin të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga zhvillimi i kësaj zone, si të ardhurat nga shitja e apartamenteve, hoteleria, ankorimi i anijeve e jahteve, etj. Impakti Direkt përfshin gjithashtu punësimin e rreth 12.000 personave, fillimisht në ndërtimin e kësaj zone, më pas gjatë menaxhimit të saj si punësimi në hotele, në restorante, në njësi biznesi dhe shërbimesh. Zhvillimi i zonës do të sjellë për Durrësin përmirësim të infrastrukturës dhe faciliteteve urbane, forcimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve sociale, rivitalizimi të artit dhe kulturës në një mjedis turizmi elitar”, u shpreh Balla gjatë një takimi me qytetarët në Fier.
Opozita ka akuzuar vazhdimisht kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën për projektin e Portit të Durrësit, që sipas tyre është ‘aferë korruptive’. Ndërkohë të enjten në 24 nëntor, pritet të zhvillohet seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë ku do të diskutohet për disa orë lidhur me projektin e Portit të Durrësit dhe buxhetin e vitit 2023 dhe më pas këto dy projektligje do të votohen nga deputetët.
/e.d