Pentagoni “i mbylli derën” të mërkurën një propozimi të Polonisë për t’i ofruar Ukrainës avionë luftarakë MiG-29, prodhim rus, duke i tranferuar ato nëpërmjet një baze në Gjermani. Nga ana tjetër zbulimi amerikan tha se dërgimi i avionëve në këtë mënyrë do të paraqiste rrezik të lartë për përshkallëzim të luftës.
Pas hedhjes poshtë të propozimit polak, Pentagoni dukej i angazhuar ta hidhte këtë çështje pas krahëve, çështje cila ka krijuar një problem delikat me një aleat të NATO-s, në një kohë kur Presidenti Joe Biden ka theksuar nevojën për një përgjigje të unifikuar dhe të koordinuar ndaj agresionit të Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka bërë thirrje të vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara t’i sigurojnë ushtrisë së tij më shumë avionë, paraqitur kjo si një zgjidhje alternative ndaj krijimit të një “zone të ndalim-fluturimit” mbi Ukrainë, për t’iu përgjigjur agresionit rus. Propozimi për këtë të fundit u hodh poshtë më herët nga Uashingtoni dhe NATO, që e shohin si një rrezik të panevojshëm që mund të përshkallëzonte tensionet.
Javën e kaluar, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni po shqyrtonte një propozim sipas të cilit Polonia do të furnizonte Kievin me avionë luftarakë të epokës sovjetike, të cilët pilotët ukrainas janë trajnuar t’i fluturojnë, dhe Varshava nga ana tjetër do të merrte avionë amerikanë F-16, për të kompensuar humbjet.
Por Polonia nuk donte të ishte pjesë të kësaj, e shqetësuar për përfshirje shumë të drejtpërdrejtë në konflikt me Rusinë. Polonia tha më se ishte e përgatitur t’ia dorëzonte të 28 avionët e saj MiG-29 NATO-s, duke ia dërguar ato në bazën ajrore amerikane në Ramstein të Gjermanisë, nga ku do të niseshin drejt Ukrainës.
Por ky propozim u hodh poshtë nga Pentagoni.
Ambasadori i Polonisë në Shtetet e Bashkuara Marek Magierowski tha se qeveria polake e kishte marrë mesazhin.
“Partnerët tanë amerikanë e refuzuan këtë propozim, sepse ata arritën në përfundimin se kjo do të përshkallëzonte tej mase situatën”, tha zoti Magierowski për rrjetin televiziv CNN. Ai tha se Polonia e kupton këtë dhe shtoi se: “ajo që ne duhet të theksojmë përsëri tani është uniteti dhe kohezioni brenda NATO-s. Ndaj le të vazhdojmë“.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se gjatë një telefonate të mërkurën, zoti Zelenskyy kërkoi përsëri me urgjencë që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë avionë luftarakë, raketa anti-ajrore dhe armatime të tjera.
Sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby, u tha gazetarëve se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin diskutoi propozimin për transferimin e avionëve MiG me homologun e tij polak dhe shpjegoi se pse Uashingtoni e konsideroi atë të papranueshëm.
Zoti Kirby tha se administrata Biden po bisedon edhe me vende të tjera për “opsione alternative” për mbështetjen e nevoja me urgjente të Ukrainës lidhur me mbrojtjen, kryesisht për më shumë armë me bazë tokësore për të goditur tanket dhe avionët rusë, në atë që ka qenë kryesisht një luftë tokësore. Zoti Kirby tha se ndihmat mund të përfshijnë raketa tokë-ajër dhe raketa kundërajrore që mbahen në krahë.
Ndërkohë Nënpresidentja Kamala Harris mbërriti të mërkurën në Varshavë për konsultime me autoritetet e këtij vendi, por Shtëpia e Bardhë tha se ajo nuk do të ishte e përfshirë drejtpërdrejt në çështjen e avionëve.
Zoti Kirby përmendi disa arsye kryesore se pse zoti Austin refuzoi propozimin polak, e para lidhet me pikëpamjen e Uashingtonit se do të ishte më e mençur t’i siguronte Ukrainës armatime që do të forconin më drejtpërdrejt mbrojtjen e saj, përfshirë sistemet kundër mjeteve të blinduara e sisteme të mbrojtjes ajrore. Zoti Kirby tha se forcat ajrore ruse, ndonëse më të mëdha në numër krahasuar me atë të Ukrainës, nuk kanë luajtur ndonjë rol kryesor në ofensivën ruse dhe kanë qenë me efektivitet të kufizuar për shkak të përdorimit të mbrojtjes ajrore me bazë tokësore nga ana e Ukrainës, që përfshijnë raketat Stinger.
Zoti Kirby tha se Ukraina ka ende një numër të konsiderueshëm të avionëve të saj dhe se Shtetet e Bashkuara besojnë se shtimi i avionëve nga vendet e tjera “nuk ka të ngjarë të ndryshojë ndjeshëm efektivitetin e forcës ajrore ukrainase në krahasim me aftësitë ruse”.
Gjithashtu, komuniteti amerikan i zbulimit ka vlerësuar se transferimi i avionëve luftarakë MiG në Ukrainë “mund shihej si një veprim përshkallëzues dhe mund të rezultojë në reagim të ashpër rus që mund të rrisë mundësinë e një përshkallëzimi ushtarak me NATO-n”, tha zotit Kirby. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Por disa nga vendet fqinje të saj janë, ndaj dhe aleanca po përpiqet të shmangë përhapjen e luftës.
Ndërsa deklarata e zotit Kirby dukej se i jepte fund propozimit polak, shfaqja e një mosmarrëveshjeje publike mes aleatëve mund të ketë një ndikim më të gjatë. Javën e kaluar, qeveria amerikane e vendosi Poloninë përpara një situate të nxehtë me kërkesën për të dërguar në Ukrainë avionë luftarakë të prodhimit sovjetik.
Të mërkurën, Sekretari i Shtetit Blinken tha se në fund të fundit çdo vend do të duhet të vendosë vetë se si do ta ndihmojë Ukrainën.
Polonia është një aleat vendimtar në krizën lidhur me Ukrainën. Ky vend po strehon me mijëra trupa amerikane dhe në mes të krizës më të madhe evropiane të refugjatëve në dekada po pranon një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që ikin nga lufta në Ukrainë krahasuar me çdo vend tjetër.
Gjatë një vizite të mërkurën në Vjenë, Kryeministri polak Mateusz Morawiecki këmbënguli se Polonia nuk është palë në luftën në Ukrainë dhe se çdo vendim nëse do të dërgohen avionë luftarakë atje, nuk mund t’i takojë vetëm Varshavës.
Kjo mbart rrezikun e “skenarëve shumë dramatikë, madje edhe më këqij se ata me të cilët po përballemi”, argumentoi zoti Morawiecki.
Michal Baranowski, drejtor i zyrës për Varshavën në Institutit gjerman Marshall, tha për Associated Press se qeveria e Varshavës u befasua nga deklarata publike e zotit Blinken javën e kaluar.
“Ajo u pa si një lloj trysnie nga Uashingtoni ndaj Varshavës. Dhe për këtë arsye reagimi ishte ‘rikthimi i topin në fushën e qeverisë amerikane”, tha zoti Baranowski.
Gjithçka duhej të ishte trajtuar në prapaskenë shtoi ai./VOA
g.kosovari