• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 26, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

Polonia: Po ndjejmë pasojat reprezaljeve ruse

by
05/09/2015 12:30
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Polonia: Po ndjejmë pasojat reprezaljeve ruse

 konradZëvendësministri i jashtëm polak Konrad Pawlik, përgjegjës për problemet e vendit të tij me Ukrainën, shpjegon në mënyrë tejet konkrete të gjithë problematikën e Lindjes. Edhe pse në intervistë kemi këmbëngulur për çështjet e Ballkanit dhe sidomos Shqipërisë, funksionari i lartë i politikës së jashtme polake është fokusuar vetëm në problemin e Ukrainës, që për vendin e tij përbën një shqetësim tejet të madh…

 

 

 

 

Nga Varshava/Ben Andoni

 Është e vështirë që këtij zyrtari t’i shkëputësh diçka për Shqipërinë përveç sloganeve burokratike. Shkëlqesia e tij Konrad Pawlik, zëvendësministri i jashtëm polak,  është përgjegjës për Ukrainën dhe është një nga zyrtarët evropianë që e njeh më mirë Ukrainën dhe Rusinë, ndaj fokusohet vetëm në fushën e tij.. Nuk dua të heq skenarë të zinj më thotë, por duhet të jemi të kujdesshëm. Dhe, kur e pyes për detaje, ai me elegancë e mbyll : “Polonia e ka ushtrinë profesionale. Por situata aktuale na detyron të mendojmë si mund ta fuqizojmë atë me formacionet vullnetare të mbështetura në strukturat shoqërore, p.sh. organizatat e skautëve ose ato sportive”. Për Shqipërinë, vendi i tij e mendon në të ardhmen në Evropë, por kujdes, pasi të ketë kryer detyrat evropiane!!

 

Ç’do të thotë për Poloninë konflikti në Ukrainë?

“Me aneksimin e Krimesë dhe agresionin në Donbas Rusia ka lëkundur arkitekturën e sigurisë të ndërtuar në dekada në Evropë. Pas Luftës së Dytë Botërore asnjë vend evropian nuk ka aneksuar territorin e ndonjë vendi fqinj. Polonia është vendi i vetëm e BE-së, i cili kufizohet njëkohësisht me Ukrainën dhe me Rusinë, andaj situata përtej kufirit lindor natyrisht që na shqetëson shumë.

Ju kujtoj gjithashtu që, duke realizuar politikën e fqinjësisë së mirë ndaj Ukrainës, Bashkimi Europian nuk ka parashtruar qëllime gjeopolitike. Kemi dashur vetëm të  ndërtojmë një zonë stabiliteti dhe mirëqenieje. Jemi të mendimit se stabiliteti  është në interesin e tërë Bashkimit Europian. Partneriteti lindor ka qenë përgjigje ndaj kësaj sfide. Ky qëllim nuk është realizuar dhe për këtë përgjegjësia bie mbi Rusinë dhe jo mbi Bashkimin Europian”.

 

A ka qenë atëherë marrëveshja e Minskut zgjidhje e mirë?

konrad1“Bisedimet për rregullimin e konfliktit janë mbajtur në formate të ndryshme: të Gjenevës, normandik, në kuadrin e grupit të kontaktit me pjesëmarrjen e OSBE-së. Përveç marrëveshjes së Minskut nuk kemi aktualisht asnjë tjetër, të cilës mund t’i referoheshim. Jemi të vetëdijshëm që Minsku nuk ka sjellë asnjë zgjidhje politike të konfliktit. Megjithatë ka çuar në uljen e tensionieve, ka frenuar ekspansionin teritorial të separatistëve. Mund të thuhet  që në vend të luftës hibride tani kemi një paqe hibride. Dua të vini re gjithashtu se megjithëse në lindjen e Ukrainës vazhdimisht ka incidente të armatosura, asnjëra nga palët nuk ka vendosur ta shfuqizojë këtë marrëveshje”.

 

Si ka ndërmend Bashkimi Europian të reagojë ndaj veprimeve të Rusisë? A do të modifikohet politika e sanksioneve?

“Kusht i shfuqizimit të sanksioneve mbetet implementimi i marrëveshjes së Minskut. Në mars Këshilli Europian ka konfirmuar qartazi këtë qëndrim. Duke marrë parasysh që afati i implementimit të marrëveshjes mbaron vetëm në fund të vitit, diskutimin mbi kufizimin e sanksioneve duhet ta shtyjmë të paktën deri në janar 2016.

Gjithsesi nuk duhet të harrojmë se qëllimi kryesor i Rusisë nuk ka ndryshuar – ajo vazhdimisht synon të destabilizojë situatën në Ukrainë. Dhe për këtë ajo ka në dispozicion jo vetëm mjetet ushtarake, por edhe një gamë të  gjerë instrumentesh ekonomike. Nuk ka dyshim që Kremlini ndjek me vëmendje  edhe situatën e brendshme në Ukrainë. Ai e di  fort mirë se reformat që po ndërmerren  nga Kievi kanë kosto shoqërore shumë të lartë dhe mund të përbëjnë  një faktor tjetër  destabilizues”.

 

Polonia nuk ka qenë e pranishme në Minsk, nuk merr pjesë në formatin normandik. A do të thotë kjo që në bisedimet në forumin e BE-së Varshava është e vetmuar ? A ka qenë i mjaftueshëm reagimi i BE-së ndaj ngjarjeve në Ukrainë?

 

“Për Poloninë sot prioritet është deeskalimi i situatës në Ukrainë. Është çështje dytësore nëse formati normandik apo ndonjë tjetër do të sjellin këtë deeskalim, me apo pa pjesëmarrjen e Polonisë. Gjithsesi jemi në kontakt shumë të ngushtë sidomos me partnerët e Ëeimarit, pra me Berlinin dhe Parisin, zhvillojmë rregullisht konsultime dhe shkëmbejmë vlerësime.

Duhet të mbajmë mend që Bashkimi Europian ka 28 anëtarë. Diskutimet e gjata dhe këndvështrimet e ndryshme në një grup kaq të madh janë çështje më se të natyrshme. Më e rëndësishme është që në  bazë të tyre Bashkimi Europian po harton qëndrim të përbashkët. Jam i bindur se Rusia ka bërë një gabim të madh duke mos vlerësuar siç duhet aftësitë e Bashkimit për të ruajtur unitetin. Gjykoj se sanksionet kanë qenë për të një befasi e madhe. Kjo tregon që uniteti  brenda Bashkimit Europian mund të jetë një instrument shumë efikas në politikëbërje. Për këtë arsye Varshava në mënyrë konsekuente i mbahet qëndrimit se është më mirë të bëhet më pak por bashkë, sesa më shumë, por vetëm”.

 

Si e mbështet sot Polonia Ukrainën?

“Për Ukrainën ne jemi partner natyral. Kemi kaluar proces të ngjashëm transformimi dhe duam të ndajmë përvojën tonë. Treguesit ekonomikë dhe shoqërorë ukrainas shpesh krahasohen me ata polakë. Në Bashkimin Europian të gjithë e kuptojnë që Polonia ka një rol thelbësor për të luajtur.

Fushë e rëndësishme e mbështetjes është reforma e decentralizimit. Qeveria polake dhe presidenti kanë vendosur ta mbështesin menjëherë pas Majdanit. Kemi ngritur grupin e ekspertëve të përbërë nga specialistë nga fusha të ndryshme: duke nisur nga politika fiskale, politika shëndetësore deri tek specialistët për katastrofat natyrore. Reforma është e ndërlikuar, jo gjithçka shkon me ritmin që do të dëshironim.  Por kemi kaluar leximin e parë të amendamenteve të Kushtetutës ukrainase. Ndryshimet e propozuara tashmë i ka vlerësuar pozitivisht Komisioni i Venecias. Aktualisht po vazhdohet procesi i bashkimit të “grumbujve” dmth. njësive administrative të shkallës më të ulët. Nuk përjashtohet që Ukraina do të ndërmarrë veprime të ngjashme gjithashtu në nivelin “rajonal”,  do të thotë në nivelin e njësive të shkallës së mesme. Fushë e rëndësishme e mbështetjes është gjithashtu lufta kundër korrupsionit.

Drejtimi i dytë kyç i mbështetjes është lufta kundër korrupsionit. Kryeministri Jaceniuk ka deklaruar pak kohë më parë se në këtë fushë bashkëpunimi me Varshavën është i rëndësishëm për të. Institucionet polake të specializuara në luftën kundër korrupsionit janë në kontakt të vazhdueshëm me homologët ukrainas”.

 

Po me mbështetje ushtarake?

“Veprimet e Polonisë nuk e tejkalojnë kuadrin e politikës së NATO-s dhe Bashkimit Europian. Nuk i dërgojmë Ukrainës pajisje vdekjeprurëse, por e furnizojmë me shtroje për fjetje, krevatë, kuzhina mobile, këmisha antiplumb etj. Mbështetje të ngjashme japin gjithashtu edhe vende të tjera të BE-së. Pas ngjarjeve në Majdan embargoja për importin e armëve në Ukrainë është shfuqizuar, megjithatë aktualisht nuk po e marrim në konsideratë zgjerimin e fushës së ndihmës sonë”.

 

A ndihet Polonia e rrezikuar drejtëpërdrejtë nga Rusia?

“Nuk ndihemi të rrezikuar drejtëpërdrejtë, por kuptohet që jemi të shqetësuar me zhvillimin e situatës.

Duke lënë mënjanë rrezikun nga ana e Rusisë, situata në Ukrainë është për ne një sfidë e madhe në aspektin e migrimit. Tanimë një milion persona në Ukrainë e konsiderojnë veten azilantë të brendshëm, ata janë në gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe humanitare. Që prej shumë muajsh Polonia vëren rritjen e numrit të kërkesave për azil të paraqitura nga qytetarët e Ukrainës. Njëfarë përgjigje për këto sfida është politika jonë e vizave. Vitin e kaluar konsulatat polake në Ukrainë kanë lëshuar rreth 900 mijë viza, këtë vit mund të kalojmë shifrën një milion. Gjithashtu kemi rritur numrin e lejeve për punë të përkohshme. Punësimi në Poloni u lejon shumë personave të mbajnë familjet në Ukrainë, çka me siguri ndihmon zbutjen e pasojave të situatës së vështirë ekonomike”.

 

A e ka dobësuar ekonominë polake konflikti në Ukrainë?

“Njësoj si tërë Bashkimi Europian kemi ndjerë pasojat e sanksioneve dhe reprezaljeve ruse. Sidomos në vjeshtë 2014 kemi vërejtur tendenca negative. Megjithatë prodhuesit relativisht shpejt kanë arritur të ndryshojnë drejtimet e eksportit, kanë zbuluar tregje krejtësisht të reja. Këtë vit presim  një rritje të PKB-së në nivelin 3,5-3,8% dhe uljen e papunësisë deri në vlera njëshifrore. Kjo tregon që ekonomia polake është në gjendje të mirë”.

 

Krijimi i njësive të milicisë qytetare në Poloni mos vjen vallë nga ndjesia e kërcënimit?

“Polonia e ka ushtrinë profesionale. Por situata aktuale na detyron të mendojmë si mund ta fuqizojmë atë me formacionet vullnetare të mbështetura në strukturat shoqërore, p.sh. organizatat e skautëve ose ato sportive”.

 

Next Post

Xhaka: Dua “selfie” me Edi Ramën në Elbasan

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Finalizohet “Border” në Elbasan, 3 në pranga për trafik, turku rezultoi i kërkuar për krime të rënda

Finalizohet “Border” në Elbasan, 3 në pranga për trafik, turku rezultoi i kërkuar për krime të rënda

December 26, 2025
“Mbështetje gjyqësorit, mediave dhe…”, publikohet Raporti i Kongresit Amerikan për Ballkanin Perëndimor

“Mbështetje gjyqësorit, mediave dhe…”, publikohet Raporti i Kongresit Amerikan për Ballkanin Perëndimor

December 26, 2025
Agjenti digjital, informacion dhe vetërregullimi

Kartolina e munguar për vitin 2026

December 26, 2025
Rusia: Rrëzuam shtatë raketa Storm Shadow, Ukraina i kishte marrë nga Britania

Rusia: Rrëzuam shtatë raketa Storm Shadow, Ukraina i kishte marrë nga Britania

December 26, 2025
Gjyqi i shpërndarësve të drogës në Tiranë, policët u infiltruan si përdorues, më pas në grackë ranë…

Gjyqi i shpërndarësve të drogës në Tiranë, policët u infiltruan si përdorues, më pas në grackë ranë…

December 26, 2025
Kongresmeni Lawler-Kurtit: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë dhe dypartiake

Kongresmeni Lawler-Kurtit: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë dhe dypartiake

December 26, 2025
Fluks virozash dhe raste me Covid në urgjencën e Pediatrisë, 350 vizita në 24 orë

Fluks virozash në spitale, mjekët: Mos përdorni atibiotikë pa u konsultuar me specialistin

December 26, 2025
Festat e fundvitit, Policia nderon familjet e Dëshmorëve: Jeni pjesë e pandarë e jona

Festat e fundvitit, Policia nderon familjet e Dëshmorëve: Jeni pjesë e pandarë e jona

December 26, 2025
Ndahet nga jeta Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore

Ndahet nga jeta Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore

December 26, 2025
Gjatësia e hekurudhave me shpejtësi të lartë në Kinë tejkalon 50.000 km

Gjatësia e hekurudhave me shpejtësi të lartë në Kinë tejkalon 50.000 km

December 26, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com