Nga Monika Zuchniak-Pazdan*
Agresioni rus kundër Ukrainës ka shkatërruar arkitekturën ekzistuese të sigurisë. Polonia dënon fuqishëm sulmin e paprecedentë ushtarak ndaj Ukrainës. Ne qëndrojmë me Ukrainën si fqinjët e saj, si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, si shtet i Bashkimit Evropian. Rusia mori vetëdijshëm vendimin e ndryshimit të kufijve me forcë – në shekullin XXI, veprime të tilla janë të papranueshme. Ne nuk pajtohemi me asnjë lëshim ndaj Rusisë që do të minonte integritetin territorial dhe pavarësinë e shtetit ukrainas. Është e qartë se Polonia, për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, është në vijën e parë të mbrojtjes, por edhe të ndihmës humanitare. Kjo është arsyeja pse ne flasim shumë intensivisht me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, vendet perëndimore dhe aleatët e NATO-s, çfarë mund të bëjmë më shumë në mbrojtje të jetës së civilëve të pafajshëm dhe për të ndihmuar ushtrinë ukrainase.
Ne mirëpresim ndihmën e madhe të deritanishme të NATO-s, BE-së dhe partnerëve të tjerë demokratikë në furnizimin e forcave të armatosura të Ukrainës me pajisje ushtarake. Polonia paraqiti një ofertë për transferimin e avionëve të saj MIG-29 tek pala amerikane. Megjithatë, vendime të tilla duhet t’i nënshtrohen bisedimeve të hollësishme në kuadrin e sigurisë së të gjithë Aleancës së Atlantikut të Veriut, prandaj transferimi i mjeteve të tilla kërkon pëlqimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Veprimet e Kievit janë vetëmbrojtje dhe komuniteti ndërkombëtar ka të drejtë të mbështesë në një situatë të tillë. Ne duhet të sigurohemi që kjo mbështetje të jetë konsistente dhe e menduar, që t’i përgjigjet nevojave kryesore të sinjalizuara nga Kievi, por mbi të gjitha të jetë e pandërprerë gjatë gjithë kohëzgjatjes së konfliktit. Çdo hezitim do të shfrytëzohet nga agresori.
Polonia –pritësja e madhe e valës së të shpërngulurve nga lufta
Polonia dhe Ukraina janë të lidhura jo vetëm me një kufi 535 km të gjatë, por edhe me shumë vite histori të përbashkët, ndonjëherë të dhimbshme. Për shumë shekuj polakët dhe ukrainasit kanë jetuar në një shtet. Para agresionit rus, statistikat zyrtare vlerësonin se në Poloni jetonin rreth 1.5 milion ukrainas, duke përfaqësuar kësisoj grupin më të madh të të huajve në Poloni. Ukrainasit zgjodhën Poloninë për shkak të afërsisë së saj gjeografike, kulturore dhe gjuhësore. Prandaj vala e parë e refugjatëve të luftës vinte më shpesh në Poloni, ku ata kishin familjet, miqtë ose mundësinë për t’u ndihmuar nga shoqatat dhe organizatat ukrainase që ishin shumë aktive në Poloni.
Lufta është dramë njerëzore. Vladimir Putin, duke sulmuar Ukrainën, e ktheu në ferr jetën e qytetarëve të saj. Ajo që mund të dukej si një makth, për fat të keq, është bërë realitet. Shumë njerëz në Ukrainë, veçanërisht gra e fëmijë, u dënuan të lënë atdheun- të ikin nën breshëri bombash, me nxitim dhe frikë për të nesërmen. Përballë krimeve të tilla, është detyra jonë morale t’i mbështesim dhe të solidarizohemi me ta. Polonia ka pranuar deri tani mbi 2 milionë refugjatë.
Lufta e Putinit ndezi solidaritetin njerëzor në mbarë Evropën. Në Poloni kjo është e dukshme në çdo hap. Përveç strehimit, Polonia ofron ndihmë shumë praktike dhe konkrete. Që nga fillimi i agresionit rus, ne kemi hapur gjerësisht kufijtë për refugjatët, duke krijuar pika të veçanta pritëse ku refugjatët marrin ndihmë urgjente, do të thotë informacion për qëndrimin e tyre në Poloni, ushqim, kujdes mjekësor bazë, një vend për të pushuar. Organizuam trena specialë për të moshuarit dhe nënat me fëmijë të vegjël, si dhe autokolona me furnizime dhe ndihmë mjekësore. Pikat e informacionit për refugjatët nga Ukraina funksionojnë gjithashtu në të gjitha qytetet e mëdha, stacionet hekurudhore dhe stacionet e përzgjedhura të autobusëve. Ka edhe dy pika të tilla në aeroportin e Varshavës. Refugjatët nga Ukraina marrin informacion bazë sa i përket mbështetjes në Poloni.
Në Poloni nuk ka kampe refugjatësh, çka përbën një fenomen të paparë në botë me një numër kaq të madh refugjatësh. Kjo nuk do të ishte e mundur pa ata miliona polakë, zyrtarë të pushtetit vendor dhe pa organizatat jofitimprurëse. Ishin familjet polake që hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre për refugjatët. Mijëra makina private erdhën nga e gjithë Polonia për të marrë ata që kaluan kufirin. Polakët qëndrojnë në radhë për orë të tëra për të dhuruar gjak për luftën kundër Ukrainës. Qeveria ka përgatitur një bazë të madhe logjistike dhe akomoduese, dhe mbi të gjitha, të gjithë procesin e gjetjes së njerëzve që do të qëndrojnë në Poloni. Qytetarët ukrainas kanë akses falas në transportin ndërqyetatas, me tren apo autobus, për të shkuar thellë në Poloni ose në ndonjë vend tjetër të BE-së. Polonia është gjithashtu qendra logjistike e ndihmës humanitare dhe ushtarake që i ofrohet Ukrainës nga të gjitha vendet e botës. Ndihma është aq e madhe sa qeveria ka hapur një faqe interneti të veçantë “Ndihma për Ukrainën”, ku vullnetarët mund të regjistrohen dhe të marrin udhëzime për çkanë nevojë.
Përveç masave ad hoc, zbatohet edhe ndihma sistemore. Këshilli i Ministrave miratoi me urgjencë një projektligj për ndihmë ndaj qytetarëve ukrainas për shkak të konfliktit të armatosur në territorin e atij shteti. Është një zgjidhje e veçantë dhe gjithëpërfshirëse. Ligji, ndër të tjera hapi tregun polak të punës për qytetarët ukrainas, planifikon të financojë një periudhë kalimtare dymujore të mbështetjes për njerëzit që kanë pranuar shtetas ukrainas në shtëpitë e tyre. Ai rregullon qëndrimin legal të qytetarëve ukrainas në Poloni, aksesin për kujdes mjekësor, arsim, sistemin social për 18 muaj. Në këto ditë të vështira, ne duhet të tregojmë solidaritet me fqinjët tanë ukrainas në çdo nivel.
Polonia ka shumë mundësi për ndihmë, por edhe vetë ka nevojë për mbështetje
Nuk ka dyshim se po përballemi me një nga krizat më të mëdha humanitare në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kur u përballëm me krizën e mëparshme të madhe të migracionit në vitet 2015-2016, kur në territorin e BE-së hynë brenda një viti një e gjysmë deri në dy milionë emigrantë, ajo u kthye në një krizë gjigande. Turqisë, e cila mbajti dy ose tre milionë refugjatë, iu dhanë fillimisht 3 miliardë euro dhe më pas 3 miliardë të tjera. Për vendet fqinje të Ukrainës me pak përvojë në menaxhimin e migracionit, kriza aktuale e refugjatëve përbën një sfidë serioze. Mundësitë e tyre për të ofruar ndihmë janë shumë të mëdha, por jo të pafundme. Andaj ndihma financiare e deklaruar nga Komisioni Evropian kërkon shpërndarje të shpejtë dhe efikase për vendet që strehojnë refugjatët. Përveç fondeve të ofruara deri më tani, do të jetë i nevojshëm edhe disbursimii i kësteve të tjera të ndihmës nga buxheti i BE-së. Është e vështirë të parashikohet se sa do të zgjasë kjo luftë dhe sa do të qëndrojnë refugjatët jashtë vendit të tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i bërë ata të ndihen nën kujdes dhe të sigurt.
Nuk ka dyshim se lufta në Ukrainë, e cila po vazhdon prej më shumë se një muaj, shoqërohet me një sërë pasojash ekonomike jo vetëm për Poloninë, por edhe për vendet e tjera – e shohim gjithashtu edhe në Shqipëri. Një vlerësim i saktë i këtij ndikimi është i vështirë pasi varet nga shumë faktorë, duke përfshirë ecurinë e mëtejshme të veprimeve ushtarake, shkallën dhe efektivitetin e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, reagimet e bankave qendrore, ndryshimet në politikën e brendshme fiskale e shumë të tjera. Lufta, për shkak të përmasave të mëdha të dramës njerëzore, humbjeve materiale dhe shkallës së paparë të sanksioneve ekonomike, është një tronditje që do të ndikojë në jetën shoqërore dhe ekonomike të shumë vendeve për një kohë të gjatë dhe pasojat e saj do të ndjehen nga secili prej nesh. Përveç kësaj, duhet të kujtojmë se ekonomitë e shumë vendeve nuk janë rikuperuar ende nga tronditja pandemike.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të vijojë të jetë unanim përballë agresionit rus
Agresioni rus ndryshon ekuilibrin e forcave në Evropë. Ndryshon sigurinë dhe gjeopolitikën. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë unanim dhe t’i dërgojë sinjal të qartë Rusisë dhe presidentit të saj – ne nuk pajtohemi me cënimin e integritetit territorial të Ukrainës, ne nuk pajtohemi me shkeljen e ligjit ndërkombëtar, shkeljen e të drejtave të njeriut. Ukrainasit po luftojnë për sigurinë e Evropës. Fati i Evropës po luhet aktualisht atje. Ne kemi nevojë për një përgjigje strategjike, politike dhe ushtarake. Para së gjithash, ne duhet të mobilizojmë një koalicion ndërkombëtar humanitar. Ne duhet të bëjmë më shumë për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë pavarësinë e saj. Gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë pajisje mbrojtëse. Ne duhet të veprojmë shpejt për të koordinuar përpjekjet tona për të mbështetur ushtrinë ukrainase. Më tej, nevojiten sanksione edhe më të forta ekonomike, të cilat do të godasin privilegjet e institucioneve financiare dhe oligarkëve rusë. Por këto fonde nuk do të jenë të mjaftueshme nëse Evropa nuk shkëputet nga nafta dhe gazi rus që financon makinën luftarake të Putinit. Ne duhet ta privojmë Rusinë nga burimet e financimit për ushtrinë e saj. Dhe së fundi, ne duhet të jemi gjithmonë të hapur ndaj diplomacisë dhe de-eskalimit, me kusht që të jetë qeveria ukrainase ajo që bie dakord për një marrëveshje të mundshme.
Është gjithashtu tepër e rëndësishme që ne duhet të veprojmë qysh tani për të forcuar sigurinë euroatlantike. Kapaciteti ynë parandalues duket të jetë i pamjaftueshëm për momentin. Kjo përfshin jo vetëm forcimin e krahut lindor të NATO-s, por edhe mbështetjen e vendeve evropiane që nuk janë anëtare të saj, të cilat janë potencialisht të kërcënuara nga agresioni rus, si Moldavia, Gjeorgjia dhe popujt e Ballkanit Perëndimor.
Një vend serioz në negociata nuk bombardon verbërisht civilët në të njëjtën ditë
Sa herë që negociatorët janë ulur në tryezë, Rusia intensifikon sulmet e saj mbi objekte dhe popullsi civile. Veprime të tilla janë pjesë e strategjisë ruse për të treguar forcë dhe për të ushtruar presion për të arritur paqen sipas kushteve të veta. Ata synojnë gjithashtu të dobësojnë udhëheqjen ukrainase – rusët ende shpresojnë që populli i rraskapitur në një moment, sipas tyre, ka për t’u kthyer shpinën autoriteteve ukrainase dhe do të fillojë të presë paqen sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë këtyre bisedimeve, pala ukrainase u përpoq të kujdesej për popullatën civile. Ajo kërkoi hapjen e korridoreve humanitare. Është e qartë se Ukraina, si një komb sovran, ka të drejtën e plotë për të negociuar siç e sheh të arsyeshme. Personalisht, megjithatë, jam shumë skeptike për negociatat e vazhdueshme të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë. Kam frikë se këto negociata janë një tjetër shpërqendrim dhe krijojnë një perde tymi për mizoritë e tmerrshme. Nëse një vend është serioz për negociata, ai nuk bombardon verbërisht civilët në të njëjtën ditë.
Polonia vazhdimisht i përmbahet qëndrimit se vendi i Ukrainës është Evropa e bashkuar. Ukraina ka të drejtë të vetëvendosë dhe të zgjedhë drejtimet e preferuara të zhvillimit. Është në interesin e gjithë qytetërimit tonë perëndimor që të ekzistojë një Ukrainë e pavarur dhe sovrane. Nuk kemi dyshime për këtë. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë të Bashkimit Evropian që menjëherë t’i japin Ukrainës statusin e vendit kandidat dhe duam ta ftojmë Ukrainën në BE. Me ndihmën e miqve tanë të BE-së, ne jemi në gjendje të rindërtojmë Ukrainën dhe ta ndihmojmë atë t’i bashkohet komunitetit tonë. Ukraina ka ende një rrugë të gjatë për të bërë, dhe Polonia e di këtë. Ne po bëjmë gjithçka mundemi për të ndihmuar Ukrainën.
Jemi të kënaqur që hapat e parë në rastin e Ukrainës tashmë tashmë janë hedhur: procesi i aplikimit dhe paraqitjes së saj për vlerësim formal. Edhe pse për momentin është vetëm një hap teknik, gjithsesi është shumë simbolik. Deklarata e Këshillit Europian e miratuar së fundmi në Versajë thekson se Ukraina i përket familjes evropiane, prandaj shpresojmë që aplikimi i Ukrainës të ketë një përgjigje pozitive nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare. Ne mirëpresim faktin që ideja për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat po merr vrull. Tashmë njëmbëdhjetë vende të BE-së e mbështesin, nga tetë që ishin fillimisht.
Polonia është për një Evropë të fortë, të bashkuar dhe ambicioze
Historia zhvillohet para syve tanë. Pushtimi rus ndryshon ekuilibrin e forcave në Evropë. Ndryshon sigurinë dhe gjeopolitikën. Një objektiv tjetër i mundshëm mund të jenë vendet e krahut lindor të NATO-s. Putin dëshiron të rindërtojë Perandorinë Ruse. Kjo duhet të jetë një shkak për shqetësim për të gjithë ne. Polonia ka paralajmëruar për këtë për shumë e shumë vite. Tani vendet perëndimore kanë filluar të shohin se kërcënimi është në fakt real. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë unanim dhe t’i tregojë Putinit se ne nuk pranojmë të cenojmë integritetin territorial të Ukrainës, se ne nuk pajtohemi me gjenocidin.
Ukrainasit po luftojnë për sigurinë e Evropës. Këtu luhet aktualisht fati i Evropës. Lufta e nisur nga Putini në Ukrainë është gjithashtu një luftë për shpirtin e Perëndimit. Këtu ne perëndimorët duhet të tregojmë se nuk do t’i nënshtrohemi tiranisë. Ka ardhur koha që ne të tregojmë se vlerat si liria dhe e drejta e popujve për vetëvendosje nuk janë vetëm ato për të cilat po flasim, por për të cilat jemi gati të luftojmë. Evropa duhet të kuptojë se nëse humbet Ukrainën, nuk do të jetë më kurrë e njëjta. Evropa pa Ukrainën do të jetë një simbol i dështimit, poshtërimit dhe pafuqisë. Dhe ne duam një Evropë të fortë dhe ambicioze.
*Ambasadore e Polonisë në Tiranë