Një bust bronzi i Adolf Hitlerit i realizuar nga Josef Thorak, një prej skulptorëve zyrtarë të Rajhut III, u gjet i fshehur nëntokë, gjatë punimeve të kryera në Muzeun Kombëtar të Gdanskut, në veri të Polonisë, theksoi një zyrtar i Muzeut.
“Busti prej rreth 50 centimetrash i gjatë, i fshehur nëntokë, u nxorr nga një eskavator gjatë punimeve në kopshtin e brendshëm të muzeut”, theksoi Lech Lopuski, një prej zyrtarëve të departementit të skulpturës të Muzeut.
“Busti mbante nënshkrimin e Thorak dhe datonte në vitin 1942. Vërehet se ai ishte fshehur me qëllim”, theksoi ai.
Mes dy luftrave, Gdansku ishte një qytet i lirë, me një shumicë gjermane dhe në ndërtesën e muzeut ndodhej selia e muzeut bashkiak (Stadtmuseum).
“Kjo është një skulpturë e rëndësishme. Thorak ishte një skulptor i talentuar dhe shihet se ai ka bërë një punë të mirë”, theksoi Lopuski.
“Busti mendohet të ketë qenë pjesë e dekoracioneve të zyrës së drejtorit, por është shumë herët për të njohur historinë e tij”, shtoi ai.
“Në ditët e ardhshme, busti do të pastrohet dhe do të analizohet. Nuk dihet ende nëse do të ekspozohet apo jo. Çështja është delikate”, deklaroi Lopusk.
ATSH