Nga Andrzej Chwalba
Në vitet 1918-1921 në Evropë lindën apo rilindën shumë shtete që krijuan një arkitekturë të re politike të saj. Shumica syresh e mbrojti dhe e ruajti në vitet e pastajme mëvetësinë e fituar në periudhën e lartpërmendur. Në mesin e tyre disa, siç ishte Polonia, u kthyen në historinë shtetformuese të ndërprerë në fundin e shekullit XVIII. Ndërsa të tjera, si Letonia apo Estonia, si Sllovakia në përbërje të Çekosllovakisë apo Sllovenia në kuadër të federatës serbo-kroate-sllovene, u shfaqën në hartë për herë të parë. Asnjë nga shtetet e reja nuk ishte në gjendje të rimerrte të gjitha tokat e para rënies.
Republika e Polonisë e rilindur në fundin e tetorit 1918 vetëdijshëm po lidhej me trashëgiminë dhe traditat e parardhëses së vet: Republikës polako-lituane. Fjala për një shtet që veç të tjerash kishte përpunuar idenë e unioneve të shteteve sovrane. Bashkimi i sotëm Europian ka referenca tek unioni polako-lituan. Megjithë diferencat në interesa të klasave politike të të dyja vendeve gjithnjë triumfonte interesi parësor dhe bindja që unioni mbetej një lidhje dobisjellëse për të dyja palët. Vlerësoheshin atëbotë liritë qytetare dhe parlamenti i përbashkët (Sejmi). Parlamenti polak i shekullit XXI i përmbahet ndërgjegjshmëm trashëgimisë së asaj periudhe duke u quajtur Sejm. Kësaj tradite i përmbahen edhe lituanët që e emërtojnë parlamentin e tyre Sejmas, por edhe letonët- Saeima. Polakët, lituanët, letonët, por edhe ukrainasit dhe bjellorusët, shprehen me krenari për kushtetutën e parë në Evropë dhe të dytën në botë të miratuar më 3 maj 1791. Mendimtari politik polak, kleriku Hugo Kołłątaj në tekstin e kushtetutës futi një dispozitë mbi përgjegjësinë politike të pushtetit ekzekutiv (qeverisë), ndaj pushtetit legjislativ (parlamentit), anëtarët e të cilit zgjidheshin nga zgjedhësit duke e bërë parlamentin një përfaqësues të sovranit popull. Në shekujt XIX-XX shumë vende të botës përqafuan parimin e Kołłątaj-it. Kombet dhe shtetet, që janë trashëgimtare të Republikës respektojnë edhe traditën e bukur të tolerancës politike dhe fetare.
Në vitin 1573 klasa politike polake, në aktin e konfederatës miratoi dispozitën mbi tolerancën fetare në tokat e Republikës teksa ky akt është bërë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO. Autorët e tij iu referuan hapjes dhe tolerancës polake. Komuniteti i besimit hebraik, i persekutuar në Evropën Perëndimore dhe i përzënë prej andej gjeti molon e vet të sigurt te Republika. Falë kujdesit të mbretërve dhe Sejmit hebrenjtë fituan të drejta dhe liri të krahasueshme me ato të vëndasve. Kishin madje edhe trupën e tyre legjislative. Hapja e klasës politike të Republikës ndaj grupimeve vulnerabël bëri që në shekullin XVI të shfaqeshin menonikët e dëbuar nga Holanda si dhe skocezë që i largoheshin persekutimit fetar. Mes refugjatëve kishte gjithashtu grekë, italianë, armenë, karainë, rusë dhe protestantë gjermanë. Këto komunitete pasuruan kulturën e përbashkët të Republikës dhepërcollën vlerat e tyre në thesarin e përbashkët.
Megjithë përpjekjen reformatore ndërmarrë në fundin e shekullit XVIII Republika ra. Në ballafaqimin me tri shtete të fuqishme imperiale: Rusinë, Austrinë dhe Prusinë nuk kishte shanse të mëdha për mbijetesë. E megjithatë për polakët liria dhe pavarësia mbeteshin vlera të pandashme. Këtë e dëshmuan kryengritjet kombëtare të organizuara pas rënies së shtetit nga lëvizjet ilegale liridashëse të shekullit XIX; kryengritja koshçushiane e vitit 1794, ajo nëntoriane 1830-1831, kryengritja e janarit 1863-1864. Populli polak ka dëshmuar pjesëmarrje aktive në luftrat europiane për lirinë e popujve dhe shteteve në Pranverën e Popujve në Austri, Prusi, Hungari, Francë, Gjermaninë Perëndimore, Itali, sipas devizës polake që më pas u përqafua edhe nga të tjerët“për lirinë tonë dhe tuajën”.
Gjatë kryengritjes nëntoriane të periudhës romantike Sejmi kryengritës polak njohu këngën “Polonia ende nuk ka vdekur” si himn kombëtar ndërsa ngjyrat bardhëe kuq si ngjyra dhe simbole kombëtare, të cilat janë në fuqi sot e gjithë ditën. Polakët ishin të bindur se vetëm shteti i tyre u garantonte zhvillim shpirtëror dhe material sipas pritshmërive dhe traditave të tyre si dhe përparim në fushën e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe një përfaqësim dinjitoz në politikën dhe kulturën europiane. Ndaj edhe në panteonin kombëtar kanë vend ata që me pushkë e penë kanë luftuar për rikthimin e Polonisë në vendin e saj të dikurshëm në Evropë, në mesin e popujve të lirë dhe si e barabartë mes të barabartëve. Më të mëdhenjtë ndër ta, luftëtarët Kościuszko dhe Poniatowski, por edhe poetët Mickieviç dhe Sllovacki merituan vendin e tyre të prehjes në Wawel të Krakovit, në nekropolin mbretëror. Si të barabartë me mbretërit. Pas vdekjes, në vitin 1935, në Wawel u sollën edhe eshtrat e Marshallit të Republikës dhe ringjallësit të Polonisë në vitin 1918 Juzef Pillsudskit. (Józef Piłsudski)
Gjatë gjithë shekullit XIX, me intensitet të ndryshueshëm, çështja polake mbetej jetike, do të thotë çështja e rikthimit të Republikës në ndonjë lloj konfiguracioni territorial. Falë epokës napoleoniane në kuadër të Evropës franceze u krijua Principata e Varshavës dhe pas rënies së saj deri në vitin 1832 ekzistonte Principata liberale Polake në unionin e personifikuar me dinastinë e Romanovëve, ndërsa deri në vitin 1846 funksiononte qyteti i lirë i pavarur i Krakovit. Ndonëse kryengritjet kombëtare nuk patën sukses, ato gjithsesi gjallëruan historinë evropiane dhe i dhanë peshë çështjes polake.
Për aq kohë sa ekzistonte aleanca e tre copëtuesve Prusisë, Austrisë dhe Rusisë rifitimi i mëvetësisë ishte praktikisht i pamundur. Në fund të shekullit XIX gjithsesi u formësuan dy blloqe militare: shtetet qendrore dhe shtetet e Ententa. Në bllokun e parë bënin pjesë Prusia dhe Austro-Hungaria, në të dytin Rusia. Për herë të parë prej më shumë se 100 vjetësh rrugët e copëtuesve të Polonisë përfundimisht u ndanë. Kjo solli gjallërimin e shpresave polake. Mirëpo në momentin e shpërthimit të Luftës së Madhe në vitin 1914 asnjë nga shtetet zaptuese nuk donte të trajtonte çështjen polake si çështje ndërkombëtare. Po ashtu edhe Franca dhe Britania e Madhe, në koalicion me Rusinë, megjithë simpatinë për përpjekjet e polakëve, zyrtarisht mbeteshin në ujdi me Rusinë. Në vitin 1916 situata politike në Evropë dhe botë po niste të ndryshonte në favor të interesave polake. Së pari Prusia dhe aleati i saj zaptuan toka të gjera në Lindje në kurriz të Rusisë së mposhtur, të cilat populloheshin nga kombe të ndryshme. Berlini kishte vendosur të krijonte në Lindje një sistem shtetesh formalisht të pavarura dhe faktikisht të varura nga njëri tjetri si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht, por edhe të udhëhequr nga monarkët gjermanë. Këto shtete kishin për të formuar Unionin Gjerman në Evropë. Berlini donte njëkohësisht të dobësonte Austro-Hungarinë, të nënshtronte Rumaninë e pushtuar me luftë, të krijonte shtetin e Flamandëve si kufij perëndimorë të Evropës Gjermane. Në idenë e krijimit të shtetit polak gjermanët u bindën edhe më fort nga Legjionet Polake, do të thotë nga formacionet vullnetare që luftonin përkrah shteteve të qendrës qysh me fillimin e luftës. Lider joformal i këtyre formacioneve ishte Pillsudski. Në vitin 1916 gjermanët dhe austriakët i njohën Legjionet Polake si formacionet më të mira ushtarake në frontin e lindjes. Dokumenti i parë për rangun ndërkombëtar që shënon nisjen e rilindjes së Polonisë ka qenë akti i 5 nëntorit 1916, nënshkruar nga dy perandorët: Vilhelmi II dhe Franc Juzefi I. Akti parashikonte krijimin e Mbretërisë Polake me kryeqytet Varshavën. Në muajt në vazhdim, u krijuan, krahas atyre pushtuese, edhe pushtetet polake, qeveria, regjenca trivetëshe. Menjëherë pas aktit të 5 nëntorit gubernatori i përgjithshëm gjerman në Mbretërinë Polake thirri vullnetarët polakë nën flamurin e ushtrisë polake nën komandën gjermane. Përgjigja ishte shumë e vakët. Viti 1917 solli lajme të shkëlqyera që u shkonin për shtat shpresave polake. Fillimisht në Rusi, pushteti i ri lindur pas revolucionit rus parashikonte se Polonia mund të rikrijohej, por që do të donin shumë që kjo të ndodhte në aleancë të lirë me Rusinë e re, ndërkohë në prill Shtetet e Bashkuara hynë në luftë në krahun e aleatëve. Në mesazhin e famshëm drejtuar Kongresit të SHBA në janar 1918 presidenti Woodrow Wilson në pikën 13 paralajmëronte krijimin e Polonisë së pavarur me dalje të lirë në det (Balltik) si një nga qëllimet e luftës. Ndikim vendimtar në përmbajtjen e pikës 13 kishte artisti polak me famë botërore, pianisti dhe kompozitori Ignacy Jan Paderewski, i cili kishte miqësi me presidentin amerikan. Në një linjë me amerikanët edhe aleatët europianë po u njihnin polakëve të drejtën për të krijuar shtetin e tyre. Në Francë u krijua ushtria aleate polake nën komandën e ish oficerit të Legjioneve Polake gjeneralit Józef Haller. Kjo ushtri politikisht ishte nën varësi të Komitetit Kombëtar Polak (KNP) me seli në Paris dhe të drejtuar nga Roman Dmowski. Komiteti në fjalë u pranua si përfaqësuesi zyrtar i Polonisë. Kishte të drejtë të lëshonte pasaportat polake dhe të merrte kredi në emër të Polonisë në llogarinë e tij të ardhme.
Në vitin 1918 ardhmëria e Polonisë ishte siguruar. Rilindja ishte e sigurtë, po ashtu edhe disfata e shteteve qendrore. Mbetej ende pa përgjigje pyetja cili kamp politik polak do të merrte pushtetin në Poloninë e rilindur si dhe kush nga politikanët kryesorë Pillsudski apo Dmowski. Rënia e Austro-Hungarisë dhe disfata e Gjermanisë vjeshtën e vitit 1918 u mundësuan konspirativistëve polakë të çarmatosnin ushtritë e të dyja shteteve. Të çarmatosurit po ktheheshin qetësisht në shtëpitë e tyre. Rivalitetin e dy politikanëve kryesorë për marrjen e pushtetit e fitoi Pillsudski, i njohur dikur si aleat i austriakëve, ndërsa prej korrikut 1917 i burgosur nga gjermanët dhe i mbajtur në kalanë e Magdenburgut. Në Varshavë u kthye më 10 nëntor 1918. E pritën si shpëtimtar, si perëndi. U bë Kryetar i Përkohshëm i Shtetit. Bashkë me qeverinë dhe polakët themeloi Republikën e Polonisë- në sistemin e republikës, të hapur, tolerante dhe demokratike. Qytetarëve iu garantua kuadër i gjerë lirish qytetare, ndërsa grave të drejta të barabarta politike me burrat.
Ndërkaq mbetej i hapur dhe njëherësh i vështirë për t’u zgjidhur problemi i përcaktimit të kufijve, sepse trashëgimtarë të Republikës veç polakëve ishin edhe lituanët, letonët, bjellorusët, ukrainasit dhe të gjithë ata po krijonin shtetet e tyre kombëtare shpesh në territore të diskutueshme. Qëllonte që për zotërimin e të njëjtave toka pretendonin dy apo edhe tri shtete. Në tokat e larmishme nga pikëpamja etnike dhe fetare ishte e vështirë të përcaktoje kufij të drejtë. Në rrethana të tilla konfliktet dhe luftrat në mesin e trashëguesve të Republikës për llokma sa më të mëdha-ishin të pashmangshme. Tension kishte edhe në raportet midis popullsisë kristiane, veç të tjerash popullsisë polake dhe asaj hebreje të shumë në numër, e cila shpresonte që shteti i ri do t’i garantonte autonominë kulturore-kombëtare. Skamja e pasluftës, uria, rrënimi, epidemitë- kishin ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndëretnike.
Kufijtë përfundimtarë polakë u përcaktuan në vitet 1918-1923, veç të tjerash falë luftës fitimtare me Rusinë bolshevike në vitin 1920. Polonia e rilindur nuk mund të ishte monolite nga pikëpamja kombëtare, njëlloj si edhe shtetet fqinje, sepse banorët që kishin populluar në shekuj tokat e Republikës pranë njëri tjetrit e që kishin përdorur gjuhë të ndryshme, u përkisnin kulturave të ndryshme etnike. Të gjitha shtetet e Evropës së Re përbëheshin nga kombësi dhe besime të ndryshme. Në Poloni kishte një shumicë pakicach, ndër të cilat më të mëdhatë ishin ajo ukrainase dhe hebreje, në një kohë kur në shtetet fqinje banonin më shumë se 2 mln polakë. Trashëgimia e Luftës së Madhe dhe luftrave të viteve 1918-1921 kishte për të ndikuar në marrëdhëniet e vështira të Polonisë me fqinjët si dhe në marrëdhëniet e ndërsjella midis polakëve dhe pakicave kombëtare. Kushtet e vështira materiale të miliona banorëve të Polonisë, si pasojë e luftrave dhe zaptimeve të mëhershme, me siguri që nuk do ta bënin më të lehtë bashkëjetesën në mirëkuptim.
Përpjekjet më shumë se 100 vjeçare të polakëve për të rikthyer shtetin e pavarur përfunduan sipas traditës së filmave amerikanë hollivudianë:me fund të lumtur. Mirëpo filmi mbi përpjekjet polake ishte xhiruar në Evropën Qendrore. Në mesin e regjisorëve dhe njëkohësisht mamive të shtetësisë së mëvetësuar polake kemi personalitete kaq shumë të njohura dhe të respektuara në Poloni dhe jashtë saj, ndër të tillët janë: Tadeusz Kościuszko, kleriku Józef Poniatowski, kleriku tjetër Adam Jerzy Czartoryski, gjenerali Józef Bem, Romuald Traugutt, Józef Piłsudski, kompozitori Ignacy Jan Paderewski. Pa mençurinë dhe guximin e tyre, pa vizionin e tyre, ëndrrat e polakëve për të pasur shtetin e vet të bashkuar e të përbërë nga tokat e tri copëtimeve- nuk kishin për t’u bërë kurrë realitet.