Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e datës 24 Mars, rrëzoi kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për të shkaktuar nga detyra kryetaren e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, për shkak të një vendimi të dhënë lidhur me pronësinë e 45 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalëzit, e cila u bë shkak për dhunimin dhe largimin nga Shqipëria të biznesmenit libanez, Fadi Mitri. Ky i fundit, me anë të kompanisë “Omnix” kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë.
Ndërkaq, znj. Qeleshi ka punuar pranë Studios Ligjore “Kola&Associates”, në pronësi të Flutura Kolës, ortakes së Argita Berishës në biznes, ndërsa merrej me regjistrimin e kompanive të Damir Fazlliçit në QKR. Gjatë dominimit të KLD nga Partia Demokratike, me anë të Bujar Nishanit, Gjin Gjonit etj., Qeleshi ka bërë një karrierë të shpejtë në gjyqësor.
Shqiptarja.com zbardh procesverbalin e mbledhjes së KLD, nga i cili del edhe një herë në pah mekanizimi se si ky Këshill, pas ditë para se të shkrihet, i mbron gjyqtarët, të cilët akuzohen nga Ministria e Drejtësisë për vendime të paligjshme. Në rastin konkret, në mbrojtje të gjyqtares kanë dalë kryetari i KLD, Bujar Nishani dhe anëtarët Artan Broci, Ridvan Hado, Neritan Cena, Astrit Haxhialushi, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Petrit Çomo, Gerd Hoxha dhe Xhezair Zaganjori.
Debatet në mbledhjen e KLD për gjyqtaren Qeleshi
-Petrit Vasili: Kjo kërkesë bazohet nga inspektimi kryer nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, inspektim i cili është iniciuar mbi bazën e ankesës së kompanisë “Omnix”.Nga inspektimi i kryer ka rezultuar disa problematika të cilat si grup çështjesh mund të grupoheshin në disa prej tyre si grupe, lidhur së pari me gjykatën e cila nuk ka përcaktuar vlerën e sendit të paluajtshëm si objekt gjykimi.
Së dyti gjykata ka zhvilluar proces gjyqësor me ndërgjyqësi jo të rregullt në shkelje të dispozitave ligjore të parashikuara në nenet 14, 193, 195 të kodit të procedurës civile, një grup tjetër ka qenë, gjykata ka kërkuar një kërkesë padi gjyqësore ndërkohë që për pronën objekt gjykimi paditësi kishte një proces administrativ të filluar dhe ende të pambyllur, njëkohësisht gjykata ka disponuar mbi një pronë publike, pa identifikuar saktësisht regjimin juridik të pronës. Së pesti gjykata ka disponuar me parashkrim fitues mbi pronën objekt gjykimi në kundërshtim me provat e administruara që vërtetojnë faktin që paditësi nuk e ka poseduar lehtësisht atë.
Dhe së fundi gjykata ka disponuar në vendim, në tejkalim të kërkimeve të paditësit, të paktën siç rezulton nga inspektimi kryer në atë kohë dhe njëkohësisht duke i vlerësuar këto grupe problematikash, po i konsideroj të tilla, është propozuar nga Ministria Drejtësisë në atë kohë pasi është një procedim i filluar kohë më parë.
-Joana Qeleshi: Sigurisht që asnjë gjyqtar nuk donte që të ishte në këto pozita siç jam unë sot përpara jush, megjithatë nga ana tjetër e vetmja arsye për të cilën mund të them se kam mirëpritur këtë lloj seance është fakti sepse prej muajit shtator periudhë gjatë të cilës mediatikisht, më pas edhe institucionalisht figura ime si gjyqtare është përbaltur për shkak të çështjes në fjalë të cilën siç e citoi edhe Ministri Drejtësisë ka qenë në rrethana të caktuara të një ngjarjeje e cila ka ndodhur dhe unë nuk e di se si dhe pse është lidhur me çështjen time, e cila në fakt nuk ka lidhje aspak me ngjarjen në fjalë apo me situatat e tjera.
Në mënyrë të detajuar në faqet 4 deri 6 të vendimit tim të arsyetuar është arsyetuar shprehimisht pse pronare e pronës në fjalë është Bashkia Durrës dhe fakti nis një palë është pronar apo jo i një pasurie të luajtshme apo të paluajtshme është një element të cilin e përcakton ligji nuk e përcakton as gjyqtari as palët as ministria e Drejtësisë dhe konkretisht për të folur nëse një pasuri e caktuar dhe në rastin konkret pasuria që unë kam patur objekt gjykimi ka qenë pasuri: e para, pronë publike apo jo?
Dhe e dyta në pronësi të bashkisë apo jo unë i jam referuar ligjit përkatës dhe cilat janë pronat e paluajtshme të shtetit e përcakton ligji 8743 dt 22.02.2001 i cili përcakton në mënyrë të detajuar diferencën mes pronave publike, pronave shtetërore dhe më pas ligji 8744 dt 22.02.2001 për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore.
Referuar këtyre 2 ligjeve është e qartë se pasuria objekt gjykimi që unë kam patur ka qenë në pronësi e para njëherë është një pronë shtetërore jo publike pasi bëhet fjalë për një pasuri të paluajtshme e cila ka qenë e llojit pasuri tokë arë,e llojit tokë pemishte nuk është një pasuri publike sepse neni 3 i ligjit përcakton shprehimisht cilat konsiderohen pasuri publike
-Neritan Cena: Në këto kushte unë mendoj që në momentin që kemi të bëjmë me një vendim të formës së prerë nuk mund ta marrim fare në shqyrtim nëse ka shkelje të dispozitave procedurale apo shkelje të ligjit material.
Nëse do të kishim të bënim me
vendim të prishur nga gjykatat më të larta pastaj mund të kishim vënë për diskutime shumë të gjera, nëse ka pasur shkelje apo jo të normave procedurale apo shkelje të ligjit të normave materiale por gjithmonë të konstatuara nga gjykatat më të larta.
Në këto rrethana qëndrimi im është që ne s’mund t’i hyjmë më vendimit të formës së prerë, sado i padrejtë qoftë ky vendim i formës së prerë nuk mund ta marrim në shqyrtim. Ky është mendimi im.
-Gerd Hoxha: Ju faleminderit Z. President. Unë dua të them dy fjalë lidhur me këtë rast që ne po shqyrtojmë dhe dëshiroj që këto diskutime që ne po i bëjmë sot të mbahen mend dhe të kihen parasysh shumë edhe nga Inspektorët, në zhvillimin e punës së tyre pavarësisht se mund të urdhërohen nga eprorët e tyre që të kryejnë një inspektim.
Ne gjithmonë duhet të udhëhiqemi nga ligji dhe mua më shqetëson fakti sidomos me këtë inspektim që gjej pasazhe të tilla ose shprehje të cilat u përkasin ekskluzivisht vetëm gjykatave më të larta.
Kemi një praktikë të konsoliduar tashmë të gjykatës së Lartë, vendime unifikuese të gjykatës Kushtetuese duke filluar nga viti 2004 e në vazhdim se çfarë ndodh me një vendim gjyqësor, si kundërshtohet një vendim gjyqësor dhe si mban përgjegjësi gjyqtari për një vendim gjyqësor. Unë i gjej të papranueshme shprehje të tilla të inspektorëve që kur thonë se nuk ka krijuar bindje, nuk ka bërë një hetim të thelluar gjyqësor.
Nuk shoh asnjë shkelje të pajustifikuar aq më tepër të përsëritur të dispozitave dhe e fundit që është nuk ka asnjë dëm të shkaktuar ndërmjet palëve, madje edhe ajo palë që nuk ishte në proces, se ne jemi jurist dhe e dimë që një vendim gjyqësor ka fuqi vetëm për ato palë që janë në proces. Omnix nuk ka qenë palë te ky proces por edhe vetë ky subjekt në atë shkresë që citoi z. ministër ka thënë që nuk merrem me këtë punë se më cënon interesa.
-Xhezair Zaganjori: Unë mendoj që në radhë të parë duhet të kemi parasysh që sigurisht që është një vendim gjyqësor i formës së prerë, mund të jemi mund të mos jemi dakord, është tjetër gjë, mund të thosha që është bërë pak shqetësim ndoshta për praktikën dhe ne duhet edhe si Gjykata Lartë të angazhohemi për unifikimin e praktikës gjyqësore por edhe ministria edhe avokatura e shtetit duhet ta ngrenë zërin sidomos për padi që kanë të bëjnë me detyrimin për njohje pronar ose fitimi pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme me parashkrim fitues, pa titull pronësie etj etj., por në rastin konkret ne duhet ta thjeshtojmë problemin. Ky është një vendim i formës së prerë, na pëlqen, s’na pëlqen.
Personalisht do të thosha që të kisha qenë unë gjyqtar mbase se kisha marrë këtë vendim, por ky është një vendim i formës së prerë dhe problemi kryesor nëse mund të ketë ndonjë problem, prandaj me të drejtë u theksua këtu që gjyqësori funksionon me shkallë gjykimi, e gjej te bashkia dhe avokatura shtetit. Avokatura shtetit merr pjesë në procese minore, në konflikte pune ose në çështjet absolutisht të parëndësishme dhe nuk merr pjesë në një gjykim në të cilin kërkohet të regjistrohen rreth 45 mijë metër katror
-Bujar Nishani: Kush është dakord me propozimin e ministrit të drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtares Joana Qeleshi “shkarkim nga detyra”?
-Artan Broci: Kundër propozimit të ministrit.
-Ridvan Hado: Kundër.
-Neritan Cena: Kundër.
-Astrit Haxhialushi: Kundër.
-Brunilda Kadi: Kundër.
-Eneida Civici: Kundër.
-Petrit Çomo: Kundër.
-Gerd Hoxha: Kundër.
-Xhezair Zaganjori: Kundër.
-Bujar Nishani: Kundër.
shqiptarja.com/ ma.me