Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, para largimit nga detyra u ka bërë një apel partive politike që të njohin përgjegjësitë e tyre dhe të miratojnë në Parlament Reformën në Drejtësi.
Diplomati gjerman, në një intervistë për “Deutsche Welle”, ka theksuar se nga miratimi i kësaj reforme do të mund të çelen negociatat me Bashkimin Europian.
“Shpresoj shumë që të gjithë të njohin përgjegjësitë e tyre dhe të miratojnë këtë propozim në Parlament, sepse vetëm me miratimin e Reformës në Drejtësi Shqipëria ruan mundësitë e saj për të marrë një rekomandim nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave të anëtarë- simit në BE”, ka thënë Hoffmann.
Çfarë do të kujtoni si sfidën dhe arritjen tuaj më të madhe gjatë tri viteve të detyrës suaj si ambasadori gjerman në Tiranë?
Së pari do të doja të përmendja Reformën në Drejtësi. Pak kohë pas nisjes së detyrës në verën e vitit 2013, kisha dalë në përfundimin se një reformë rrënjësore në Drejtë- si – dhe me këtë nënkuptoj para së gjithash dhënien fund të korrupsionit, për fat të keq aq shumë të përhapur dhe jashtëzakonisht të dëmshëm për vendin – nuk do të ishte kurrsesi e një rëndësie të mbivlerësuar për Shqipërinë – për zhvillimin ekonomik dhe përafrimin e saj me BE-në. Ndaj është kënaqësi e madhe të shoh se me sa energji është çuar përpara kjo reformë, që – të shpresojmë – do të miratohet shumë shpejt.
Së dyti, një temë me të cilën jemi marrë intensivisht prej fillimit të vitit 2014 ka qenë emigrimi për qëllime azilkërkimi drejt Gjermanisë, një fenomen që i tejkaloi të gjitha masat. Shpresoj që tani të gjithë në Shqipëri ta kenë kuptuar, që në Gjermani nuk ka azil për emigrantë ekonomikë.
Për mua ishte e qartë që në fillim se shqiptarët në Gjermani nuk kërkonin azil, por një jetë më të mirë.
Ndaj është me rëndësi maksimale që këtyre njerëzve t’u jepet shpresa për një jetë më të mirë këtu në Shqipëri dhe mua më gëzon fakti që ne kontribuojmë në këtë drejtim prej dekadash përmes shumë projektesh – nga rikonstruksioni i linjave të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, përmes furnizimit me energji elektrike dhe deri tek arsimi profesional, për të cilin unë jam angazhuar në mënyrë të veçantë.
Nisur prej angazhimit tim të brendshëm, për mua ishte një kënaqë- si tjetër të konstatoj që prej datës 1.1.2016 për të gjithë shqiptarët është lehtësuar aksesi ligjor në tregun gjerman të punës dhe ata që duan të dinë si funksionon, mund t’i gjejnë informacionet në faqen e internetit të Ambasadës Gjermane në Tiranë.
Dhe në fund dëshiroj të përmend përballjen me historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri, për rëndësinë e së cilës kam pasur rastin të shprehem në shumë raste, gjë që në përshtypjen time ka ndikuar që kjo temë e rëndësishme të shkojë më përpara.
A ju vjen keq që përfunduat detyrën si ambasador në Tiranë pa parë miratimin e Reformës në Drejtësi, që siç ju sapo thatë, përbën një nevojë urgjente, një nga reformat më të rëndësishme për Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, njëherazi e mbështetur fort nga Gjermania dhe BE-ja?
Unë jam angazhuar me forcë në mbështetje të Reformës në Drejtësi, si dhe për faktin që forcat politike relevante të gjejnë kompromise objektivisht të arsyeshme për një numër mjaft të vogël çështjesh të mbetura hapur.
Propozimi i shtruar në tryezë nga Komisioni ad hoc i Reformës në Drejtësi është një produkt i punës së juristëve europianë dhe amerikanë, bashkërisht me ekspertët shqiptarë, i cili ka marrë edhe miratimin e Komisionit të shumëvlerësuar të Venecias.
Në Parlament dhe në komisionin parlamentar përkatës ka pasur raste të ndryshme për diskutime të hollësishme.
Më shumë se kaq, vështirë se mund të bëhet në një proces të tillë kaq kompleks reformash, ndaj shpresoj shumë që të gjithë të njohin përgjegjësitë e tyre dhe ta miratojnë këtë propozim në Parlament, sepse vetëm me miratimin e Reformës në Drejtësi Shqipëria ruan mundësitë e saj për të marrë një rekomandim nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.
E sigurt është që përmbylljen- shpresoj të suksesshme – të këtij projekti të rëndësishëm do të kisha dashur ta përjetoja këtu në vend, por natyrisht që edhe nga Berlini do ta ndjek me të njëjtën vëmendje mënyrën se si do të vijojnë gjërat.
Cilat janë gjërat më të mira që ju keni përjetuar në Shqipëri, ato që do t’ju thërrasin të ktheheni këtu një ditë?
Njerëzit e dashur dhe bukuria e natyrës. Ne kemi shëtitur në fakt shumë në Shqipëri, por ka disa kënde që nuk kemi arritur t’i njohim, dhe që i kemi lënë për vizitat e ardhshme.
A ka pasur edhe gjëra që ju nuk i keni pëlqyer kaq shumë?
Nëse po, a mund t’i thoni? Dy gjëra më bien ndër mend spontanisht tani: edhe pse unë pothuaj 65-vjeçar vazhdoj të dëgjoj me kënaqësi Jimi Hendrix apo “Rolling Stones”, zëri i lartë i një muzike mediokre që dëgjoja gjithandej – në restorante të kuruara, apo lagje të tëra që shpërthenin nga amplifikatorët e deri edhe në qytete si Saranda, vendosur buzë gjiresh të bukur – më ka cingëritur nervat.
Dhe, së dyti, më vjen në mendje fiksimi i shumë njerëzve me telefonat e tyre celularë, teksa lexojnë apo shkruajnë të pashqetësuar email-e dhe mesazhe, p.sh., në opera apo edhe ndërsa janë duke ngrënë me një person tjetër!
Nisur nga përjetimet tuaja në Shqipëri, ngjarjet ku morët pjesë, njerëzit që bashkëpunuat dhe njohët, çfarë këshille do të doni t’u jepni politikanëve dhe njerëzve të Shqipërisë?
Për sa u përket politikanëve: më e rëndësishmja për mua është që njerëzve t’u përcillet në mënyrë të besueshme, përmes një angazhimi dhe pune konkrete, që veprimtaria politike duhet të orientohet për nga e mira e përgjithshme, dhe jo për nga interesat personale ekonomike apo interesat partiake në kuptimin e luftës për ruajtjen apo rifitimin e pushtetit pa marrë në konsideratë dëmin që i shkaktohet kulturës demokratike.
Nëse zgjidhet kjo qasje, atëherë njerëzve mund t’u përcillet shpresa e arsyetuar për përmirësimin e gjendjes së tyre në Shqipëri, çka unë e konsideroj si jashtëzakonisht të rëndësishme. Shqipëria ka bërë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore hapa gjigandë përpara në zhvillimin ekonomik, por shumë pak flitet për faktin që këtu vazhdon të ketë një numër shumë të madh njerëzish që jetojnë në kushte ekstremisht të varfra.
Një panoramë të qartë të gjendjes kam mundur ta gjej në raportet e OJQ-ve gjermane dhe qendrave të misioneve katolike në vend, të cilët bëjnë një punë shembullore në ndihmë të të varfërve dhe të sëmurëve, dhe për të cilën shpreh vlerë- simin tim të thellë.
Përgjithësisht për vendin do të ishte mirë, nëse te të gjithë qytetarët dhe qytetaret do të zinte vend një orientim edhe më i fortë drejt së mirës së përgjithshme, ku gjithsecili të jepte kontributin e vet, qoftë edhe vetëm në formën e vendosjes së rregullit në mjedisin rrethues të vendbanimit të tij.
Por në këtë kontekst kam parasysh në mënyrë të veçantë të gjithë ata që kanë një nivel të lartë mirëqenieje financiare dhe që do të mund të angazhoheshin më fort në veprimtari bamirësie në patronazh të kulturës.
Ambasador Hoffmann, kush do të jetë pasardhësi/ja juaj në Tiranë?
Po mjaftohem të them, meqenëse firmosja përfundimtare ende nuk është bërë, që klubi joformal i zonjave ambasadore në Tiranë do të zgjerohet. I uroj pasardhëses sime të pritet në të njëjtën mënyrë të hapur dhe miqë- sore, sikurse kam pasur mundësinë ta përjetoj edhe unë.
DW/d.i.